Fajtorët një ditë do të përgjigjen ,në mos para dejtëisë së kapur,para gjyqit të historisë.

Nga Vilson Haxhiraj

“18 Brymeri i Lui Bonapartit” është esse e njohur e Marksit,që ka hyrë në fjalorin politik si parodizim i figurave politike mediokre, duke i përballur ato me figura realisht të mëdha.Citimi në esse i Hegelit, ”Historia përsëritet.Herën e parë si dramë dhe herën e dytë si farsë”, gjen ilustrim edhe në realitetin politik shqiptar, në figurën e z.Sali Berisha, në metamorfozën mes arritjeve historike të një lideri të shquar dhe degradimit më pas,të vizionit dhe përpjekjeve të tij në nivele mediokre. Më 22 Mars të v.1992, në krye të opozitës shqiptare, z.Berisha dëboi zyrtarisht nga skena politike regjimin komunist, të përfaqsuar nga PPSH dhe ndërmori në vazhdim reformat e tregut. Ringritja e PD pas vitit të vështirë 1997 dhe fitorja e zgjedhjeve të v.2005, u arrit në sajë të vizionit largpamës dhe protagonizmit të tij të pashoq. Gjatë viteve 2005-2010 , në cilësinë e k/ministrit të Shqipërisë, z.Berisha do të çonte vendin drejt sukseseve ekonomike dhe politike, të pa arritura deri më sot. Ky ishte apogjeu i veprimtarisë së tij, si politikan dhe burrë shteti. Risi ishte edhe ngritja e strukturës së “Komitetit të Orientimit të Politikave ( KOP)”,me synimin ambicioz të emancipimit të jetës politike dhe të qeverisjes, me pjesmarrjen e elitave intelektuale, por që nuk u çua deri në fund prej tij. Blendi Kajsiu, Ermal Asimja, Adri Nurellari, Besnik Aliaj, dhe të tjera figura të vlerësuara të jetës së sotme publike,ishin pjesë e KOP. Tërheqja nga kreu i PD pas humbjes së zgjedhjeve në v.2013, pasonte atë të z. Nano në v.2005, ishte akt emancipues, që zgjoj në opinionin publik shpresën e krijimit të një tradite pozitive të aktit të dorheqjes, si institucion moral. Por doli që ishte thjesht një mashtrim i rëndomtë. 8 vjet pas dorheqjes së parevokueshme, z.Berisha ka ndërmarrë aksionin politik për të marr me “grusht shteti” Partinë Demokratike. 11 Dhjetori , dita e mbledhjes së Kuvendit të PD, është 18 Brymeri i tij, është farsa, mbyllja e trishtuar dhe pa lavdi e karierës së tij politike. Por çfarë ofron z.Berisha për rrëzimin e z.Rama, në rast se del në krye të PD-së ? Si do të mund të përmbysë përparësitë e PS-së? Cila është projekti i tij politik për të sjellë të PD në pushtet? Prej v.1996, PS është partia më e madhe në Shqipëri, e organizuar dhe e disiplinuar më mirë dhe më shumë nga PD. Shoqëria shqiptare, ku mendësia dhe nostalgjia për Enver Hoxhën dhe komunizmin është ende e fortë i siguron PS, pasardhëse direkte e PPSH, mbështetje elektorale më të madhe, në raport me formacionet e tjerë politikë. Me z.Rama në krye, një lider “i fortë” sipas shijes së shqiptarëve, me mbështetetje ndërkombëtare të qartë dhe mjete financiare të bollshme për blerje dhe korruptim të zgjedhësve, të figurave publike me ndikim dhe mediave, sikundër u provua, z.Rama,fitues i mandatit të tretë radhazi, është më i fortë së kurrë më pare. Përballë ka një opozite të përçarë , falë edhe kontributit shumë luftarak dhe energjik të z. Berisha, sindikata inekzistente dhe një shoqëri civile të pastrukturuar, që praktikisht e bëjnë aksioni politik të tij, të pamundur. E vërteta e madhe, por e mbuluar me zhurmë fjalësh, është që lëvizja e z.Berisha nuk ka motiv interesin e PD, as atë publik,ose kombëtar. I zënë në befasi nga “non grata” amerikane dhe vendimi i z.Basha, që e largoi nga grupi parlamentar i PD, qëllimi i tij është lehtësimi i përballjes me SHBA, përmes daljes në krye të PD, që e vendos në një pozicion shumë më të fortë nga i deputetit të pavarur, ku gjendet sot. Z.Berisha nuk ka vizion për të sjellë të djathtën në pushtet,veç atij të protestave. Por strategjia e protestave të dhunëshme, që shoqëruan braktisjen e Kuvendit dhe zgjedhjet vendore të 30 Qershorit të v.2019, çuan jo në fitoren e pritshme të opozitës, por në humbjen e rëndë të 25 Prillit. U provua gjithashtu, që ky aksion politik ishte vepër e tij. I gjithë artikulimi politik i z.Berisha përbëhet nga sharje,fyerje, shantazh me dosje të fshehta, që nuk kursejnë askënd ,që nuk është në anën e tij, deri edhe zonjat deputete të PD-së. Por sharjet, shantazhi, nuk përbëjnë program politik, as strategji dhe vizion largpamës. Ato dëshmojnë formimin politik autoritarist dhe mendësinë egocentriste të z. Berisha dhe veç i rrënojnë reputacioni qytetar dhe politik. PD dhe e djathta kanë nevojë për platforma dhe strategji, që i japin zgjidhje sfidave të kohës, që krijojnë mundësi reale për rrotacionin e pushtetit dhe ecjen përpara të vendit.
Forcat progresiste në PD duhet të kuptojnë që vetë kriza, që po kalon në PD ka krijuar një mundësi të artë për trasformimin demokratik të gjithë strukturës organizative ,parimeve dhe mekanizmave, që rregullojnë funksionimin e saj, deri në lejimin e fraksioneve. Është e vetmja rrugë e sigurt për ndarjen me Berishën dhe Berishizmin, si praktikë dhe mendësi autoritariste ; e vetmja, që mundëson krijimin e elitave të reja, bazuar në meritën, rrotacionin e drejtuesve dhe elitave brenda partisë dhe atë mes partive, për qeverisjen e vendit. Shoqëritë moderne dhe partitë politike , si hallkë e rëndësishme e tyre, progresojnë me elita intelektuale, jo me liderë të përjetshëm, të modelit diktatorial, si dikur.Është koha për një hop cilësor në jetën e PD dhe të gjithë politikës shqiptare, që mund ta bëjnë vetëm individë, që mbartin dhe sjellin ide të reja. Shqipëria nuk ka të ardhme me z.Berisha dhe të ngjashmit e tij në politikë. Ata nuk janë shpëtimtarët ,por fajtorët e mëdhenj për gjendjen dramatike ku ndodhet vendi sot, që një ditë do të duhet të përgjigjen ,në mos para dejtëisë së kapur, para gjyqit të historisë.