Evropa dhe Amerika marrin masat më drastike kundër Covid-19

Ndërkohë që gjendja vazhdon të jetë e rëndë në vendet e prekura nga koronavirusi i ri (Covid-19), autoritetet nisën të ashpërsojnë masat për t’i bërë ballë epidemisë dhe pasojave të saj.
19.03.2020 ~ 20.03.2020
Evropa dhe Amerika marrin masat më drastike kundër Covid-19
Numri i vdekjeve në Itali, vendi evropian më i prekur nga koronavirusi i ri (Covid-19), është shtuar me 475 persona dhe ka shkuar në 2.978 në total. 7 për qind e mbi 35.000 rasteve janë punonjës të shëndetësisë.

Në Francë, numri i vdekjeve u rrit në 274 dhe numri i rasteve i ka tejkaluar të 9.000.

Kancelarja gjermane Angela Merkel iu drejtua popullit me një fjalim dhe kërkoi nga qytetarët solidaritet dhe disiplinë gjatë këtij procesi.

“Tani respektoni rregullat, të cilat do të jenë të vlefshme për ca kohë,” tha ajo.

Për shkak të koronavirusit Gjermania ka ndërprerë përkohësisht edhe zbatimin me Turqinë të programit për pranimin e refugjatëve (lidhur me sistemin e tyre në një vend të tretë).

Nga ana tjetër, Mbretëria e Bashkuar, e cila po ndjek një rrugë tjetër në luftën me virusin, strategjinë e njohur si “imuniteti shoqëror”, nuk mundi të rezistojë më dhe mori vendim për mbylljen e shkollave duke filluar që nga kjo e premte deri në një urdhër të dytë. Universitetet në vend më parë kishin vendosur ndërprerjen e mësimdhënies në auditorë ose kishin nisur mësimi në distancë (në internet). 104 njerëz, përfshirë edhe një shtetas turk, kanë vdekur deri më tani nga koronavirusi në Angli.

Në Rusi një grua ka humbur jetë në moshën 79 vjeç për shkak të epidemisë duke regjistruar kështu edhe vdekjen e parë në vend për shkak të Covid-19.

Raportohet se në Greqi virusi ishte konstatuar tek një ushtar dhe sëmundja është përhapur në ushtrinë greke.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të Covid-19. Numri i rasteve të konfirmuara në vend është 35 dhe njerëzve u kërkohet të qëndrojnë në shtëpi.

Nga sot, Shqipëria, ku janë regjistruar 64 persona të infektuar dhe 2 vdekje, ka ashpërsuar rregullat për kalimtarët. Kryeministri i vendit, Edi Rama, njoftoi se do të lëvizet vetëm 6 orë në ditë, nga ora 6 e mëngjesit deri në 10 paradite dhe pasdite nga ora 16:00 deri në 18:00.

Në Kosovë gjendja shëndetësore e personave të prekur me coronavirus vazhdon të jetë e qëndrueshme.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) janë konfirmuar 115 vdekje dhe më shumë se 7.000 të infektuar. Presidenti Donald Trump mbylli kufijtë me Kanadanë.

“Me pëlqim të ndërsjellë, ne do të mbyllim përkohësisht kufirin verior me Kanadanë për kalimet jo të nevojshme. Por situata nuk do të ndikojë tregtinë mes dy vendeve”, ka shkruar Trump në «Twitter».

Numri i vdekjeve nga koronavirusi në Kanada është rritur në 8. Kryeministri Justin Trudeau, i cili është i karantinuar për shkak të epidemisë, mbajti në këto kushte konferencën e tretë për shtyp. Trudeau deklaroi një paketë ndihme me vlerë 82 miliardë dollarë, e cila përfshin mbështetjen e kanadezëve në të ardhura, subvencione për pagat dhe shtyrjen e taksë-tatimeve. Në vend është shpallur gjendje e jashtëzakonshme e pjesshme.

Një pacient 61-vjeçar vdiq nga Covid-19 në vendin e Karaibeve, Kubë, ku deri më tani janë konfirmuan 7 raste.

Në Kosta Rika ka humbur jetën një person.

Në Kolumbi është shpallur gjendja e jashtëzakonshme kundër përhapjes së virusit. 93 raste janë regjistruar në vendin me 48 milionë banorë.

Në [ishujt] Fixhi, një vend i Paqësorit Jugor, është regjistruar rasti i parë me Covid-19.

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern deklaroi mbylljen e kufijve të vendit për të gjithë vizitorët me përjashtim të shtetasve të Zelandës së Re dhe atyre që kanë leje qëndrimi të përhershme, duke filluar që nga mesnata e sotme.

Shoqëria ajrore kombëtare e Australisë, “Qantas” dhe ortakja e saj “Jestar” kanë njoftuar ndërprerjen e fluturimeve ndërkombëtare nga fundi i marsit deri në fund të majit.