“Etnokomunizmi i Berishës dhe serbofilia e Ramës”

Nga Sebastian Zonja

– Mos i lejo të ta spërkasin fytyrën me gjak!
Dikush që dërgoi armë për gjenocidin në Ruanda e naftë për makinerinë serbe në Srebrenicë kërkon nga Partia që kreu Masakrën e Tivarit që të mbajë qëndrim kundër gjenocidit.
Kjo është klasa politike shqiptare në një paragraf.
Ne jemi një vend që kemi klasë politike pa elitë kulturore.
Kjo e enjte spërkati me gjaku fytyrën e çdo shqiptari. Deri dje pushtetarët e diktaturës i kishin duart me gjak sepse vranë e prenë çdo kundërshtar. Bijtë e tyre u tmerruan nga gjaku në duart e etërve dhe dolën kundër atij sistemi që hante kë t’i dilte përpara.
Nuk erdhi pluralizmi. Pushtetarët e djeshëm me duart me gjak blenë dushe italiane “Ariston” dhe u lanë për muaj të tërë derisa u dolën njollat e gjakut nga mëngët.
Por ishin po të njëjtët. I hoqën njollat gjakut nga mëngët, por nuk i hoqën dot nga kujtesa e tyre. As nga kujtesa e popullit. Kjo psikozë shkaktoi batërdinë e vitit të errët 1997 dhe vrasjen e prerjen e çdo kundërshtari politik dhe tregtar.
Komunistët ishin seriozë, por pasardhësit e tyre u bënë qesharakë, sepse nuk janë as komunistë, as kapitalistë. Janë një qenie hibride. Nuk kanë as shkollim lindor, as perëndimor, janë hibridë. Nuk janë as marksistë, as fridmanianë, janë hibridë. Nuk janë as nacionalistë, as internacionalistë, janë një hibrid i çuditshëm i etnokomunizmit.
Kam bindjen e thellë se parlamenti i Shqipërisë do të mbajë qëndrim dinjitoz më 11 korrik, në datën e përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë. Sigurisht, ky qëndrim do të duhej të mbahej më herët, por u bë shkas S. Berisha. Me çdo kusht, tani që nuk e pranojnë për partner politik, Berisha po hap çdo temë të mundshme në opinionin publik – që nga problemet e gjuhës e deri te çështje të nxehta të marrëdhënieve ballkanike.
Rama, si Berisha më herët, është prodhim i konjukturave ballkanike. Ka dekada, shekuj ndoshta, që politika në Ballkan është prodhim i ndërhyrjeve të njërit vend te tjetri. Nëse Berisha ishte bashkëkohës i Bullatoviçit e Milosheviçit, Rama është bashkëkohës me Zaevin e Vuçiqin.
Qëndrimet e Berishës gjatë qeverisjes së tij janë njëjtë si ato të Ramës sot. Janë qëndrime serbofile.
Berisha nuk e njohu gjenocidin në Kosovë sa ishte në pushtet. As Rama.
Berisha nuk e njohu gjenocidin në Srebrenicë sa ishte në pushtet. As Rama.
Berisha nuk e njohu gjenocidin çam sa ishte në pushtet. As Rama.
Rama dhe Berisha janë prodhime të epokës së tyre – të komunizmit shqiptar me kumbar Miladinin e Dushanin.
Votimi i socialistëve kundër pranimit të një rezolute për dënimin e gjenocidit dhe “kurthi” i Berishës për t’i vënë me shpatulla pas muri nuk nderon asnjë shqiptar.
Ai që e dënon këtë votim tregon se politika duhet të ketë moral. Ajo ka moral. Dhe ata që thonë se nuk ka, e përdorin këtë shprehje në dobi të pafytyrësisë së tyre.
Të mbash qëndrim kundër një gjenocidi është qëndrim moral.
Por, po ashtu, duhet të mbajmë qëndrim edhe ndaj shefit të ish-kompanisë “Shqiponja” që u themelua edhe për të tregtuar naftë në ish-Jugosllavi, kur kjo ndodhej nën embargo, dhe sot na del si personi që mbron interesat shqiptare në rajon.
Ditën e enjte njolla gjaku përçudnuam fytyrën e çdo shqiptari për arsye se pushtetarët nuk kanë një qëndrim të unifikuar për çështje të rëndësishme kombëtare. Kjo tregon se nuk kanë një ide për kombin. Se të kesh qëndrim për kombin duhet me pas ide për kombin.
Rama nuk ka. Por as Berisha nuk ka.
Idenë për kombin nuk e sendërton veç elita politike. Atë e bashkëndërton edhe elita kulturore. E ndërtoi Sami Frashëri. Sot nuk e lexojmë më Samiun. Kontribuoi i madh Z. Skiro. Sot nuk e lexojmë Skiroin.
Për periudhën në të cilën u rrit Berisha dhe Rama, si do ta ndërtonte idenë për kombin një elitë kulturore e politike e cila kishte frikë të shkruante lirshëm nën komunizëm apo të diskutonte mbi këtë ide?
Ndaj, as Berisha, as Rama, nuk e kanë këtë ide. Berisha ka sentiment më të madh se Rama, por nuk ka ide. Po të kishte pasur ide, do të kishte plan. Nuk kanë as ide, as plan.
Sentimentet, ndjenjat e thella për Kosovën e Tetovën, për Plavën e Gucinë, nuk janë projekte politike.
Srebrenica është tema e radhës në teatrin e radhës. Regjisor dhe kameraman ishte Berisha, ndërsa aktorë ishin socialistët. Regjisori armiqësoi myslimanët e Ballkanit dhe shumë shqiptarë anekënd trojeve me socialistët shqiptarë.
Si do i përgjigjej një shqiptar pyetjes së një suedezi se pse nuk e njohin gjenocidin në Srebrenicë? A do të thoshte atë që tha T. Balla – se nuk mund të faktorizojmë një deputet të parlamentit që është “non grata”?
A do e kuptonte këtë përgjigje suedezi?
40 % e shqiptarëve që lexojnë përditë për politikën këtu në Shqipëri do e kuptonin dhe do debatonin. Po ata që janë nëpër troje, si do ta interpretonin?
Temat e mëdha të kombit i kemi lënë në duart e njerëzve të vegjël, meskinë.
Mungesa e një elite kulturore në vend, apo heshtja e saj, ka sjellë katandisjen e parlamentit të Shqipërisë në një kotec gjelash e pulash që bëjnë vetëm glasa. Askush nuk na merr seriozisht.
Ditën e enjte, votimi në parlament, përkundrejt glasave që ka hedhur Berisha dhe Rama ndër vite mbi imazhin e shqiptarëve, mbi fytyrat e shqiptarëve hodhi stërkala gjaku.
Parlamentarët shqiptarë, që kurdokohë kanë në gojë emrin e Nënë Terezës, e katandisën imazhin e saj në atë të një mjeraneje që turpërohet për vendin nga vjen.
Pas atij votimi, nuk ka më vlerë debati mes Qoses dhe Kadaresë për identitetin e shqiptarëve.
Fytyra e Qoses u bë me gjak. Fytyra e Kadaresë u bë me gjak.
Nën egjidën e antikomunizmit, Berisha dhe PS-ja, kanë bashkëqevrisur në mënyrë formale e informale këto 30 vjet.
Berisha si antikomunist e PS-ja si pasardhëse e PKSH-së.
Sot, nën egjidën e antiserbizmës, beniamini i Ramiz Alisë dhe Partia së tij, që kanë mbi supe barrën e masakrës së Tivarit, i marrin fytyrën çdo shqiptari të ndershëm me meskinitetet e tyre.
Nëse distancohesh nga ai votim i Partisë së Masakrës së Tivarit, distancohu dhe nga beniamini i Ramizit.
– Mos i lejo të ta spërkasin fytyrën me gjak!