Escobar : SHBA-ja e shqetësuar,regjistrimi i popullsisë në Mal të Zi, që mund të rrisë tensionet nacionaliste

 

Zv/sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar, shprehu te enjten shqetësimin për procesin e regjistrimit te ardhshëm të popullsisë në Mal të Zi, sepse, siç tha, mund të nxisë tensione nacionaliste, në vendin e vogël me rreth 620 mijë banorë.

Zoti Escobar, që është njëherësh i dërguar i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, i bëri këto komente, gjatë takimeve me zyrtarë të lartë në Podgoricë.

Ambasada amerikane shkroi në rrjetin Twitter pas takimit të zotit Escobar me kryetarin e parlamentit të Malit të Zi, Aleksa Beçiç, se zyrtari i lartë amerikan inkurajoi reformat në sistemin prokuroria dhe të ligjeve zgjedhore.

“Deputetët e parlamentit të Malit të Zi duhet të punojnë së bashku kundër korrupsionit dhe të promovojnë interesin publik”, citon ambasada zotin Escobar.

DAS Escobar spoke w/@BecicAleksa to urge progress on prosecutorial and electoral reform. He also expressed 🇺🇸 concerns over census questions which could inflame nationalist tensions. MPs @SkupstinaCG must work together to fight corruption & advance the public interest. pic.twitter.com/dre8zKSsFU

Më herët gjatë ditës ai u takua me kryeministrin malazez, Zdravko Krivokapiç, me ç’rast vuri në dukje se Mali i Zi duhet të jetë i përqendruar në reformat e nevojshme për të përshpejtuar anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ndërsa inkurajoi një integrim më të fortë ekonomik të rajonit.

“Shtetet e Bashkuara qëndrojnë pranë të gjithë atyre që mbështesin një Mal të Zi sovran, gjithëpërfshirës dhe qytetar”, tha Escobar, sipas llogarisë në Twitter të ambasadës amerikane në Podgoricë.

In their meeting, DAS Escobar urged @profKrivokapic to ensure his government remains focused on reforms to accelerate 🇲🇪’s #EU accession, while encouraging deeper regional economic integration. The 🇺🇸 stands with all those who support a sovereign, inclusive, and civic Montenegro. pic.twitter.com/6ksp9hIVwD

Kryeministri Krivokapiç, u tha më pas gazetarëve se janë pajtuar që lufta kundër korrupsionit, bashkëpunimi i ngjeshur rajonal dhe angazhimi i fuqishëm i vendit për integrimin në BE janë jashtëzakonisht të rëndësishme për Malin e Zi.

“Mali i Zi dhe Shtetet e Bashkuara mbeten aleatë të përhershëm të NATO-s, në luftën për vlerat dhe idealet më të mëdha demokratike”, theksoi kryeministri malazez.

Mali i Zi është anëtar i NATO-s dhe aspiron që të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian. Por, fitorja e forcave proserbe dhe proruse në zgjedhjet e vitit 2020, ka shtuar shqetësimet për orientimin e vendit të vogël buzë Adriatikut që është pavarësuar nga Serbia në vitin 2006.

Zoti Escobar, e ka shpallur përparësi të punës së tij çuarjen përpara të procesit të integrimit më të shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, si rrugë për të penguar destabilizimin e rajonit nga ndërhyrjet e vendeve të treta si Kina dhe Rusia.