Enkelejd Alibeaj nuk shkon në takim me Taulant Ballën për Presidentin

Ditën e sotme nisin zyrtarisht negociatat mes palëve politike për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, i cili merr detyrën pas datës 24 Korrik, kur edhe mbaron mandati i Ilir Metës.

Burime bëjnë me dije për Faxweb.al se ka nisur takimi mes Taulant Ballës dhe dy përfaqësuesve të opozitës Mesila Doda dhe Fatmir Mediu, dy të fundit përfaqësues të grupeve parlamentare të opozitës.

Mësohet se në këtë takim nuk do të shkojë Enkelejd Alibeaj, i cili më vonë pritet që të ketë edhe një komunikim me mediat, për të sqaruar arsyet e këtij vendimi.

Alibeaj duket se është gjetur nën presionin e brendshëm partiak, ku ka humbur shumicën e mbështetjes nga deputetët e grupit, për ti përfaqësuar në negociatat me socialistët.

Deri të dielën është dhe afati i fundit për të dorëzuar kandidaturat e mundshme për presidentin e ri të vendit, të cilin Edi Rama kërkon që ta ketë jashtë Partisë Socialiste.

Të hënën e 16 Majit do të jetë dhe raundi i parë për votimin e presidentit të ri të vendit, i cili kërkon një shumicë të cilësuar, që nënkupton marrëveshje me bazë të gjerë PS-PD.

Për shkak të përplasjeve të brendshme në Partinë Demokratike, zgjedhja e presidentit nuk duket ende një opsion për ti bërë palët në një mendje.