Elga!

Nga Moza Boletini
SHBA Prill 2020

Ndodhesha në Spitalin Psikiatrik Nr. 5 në Tiranë, së bashku me vajzën time të vogël Elgën. Kisha shtruar nënën për t’u kuruar nga një sëmundje reumatizmale. Përpara nesh në korridorin e gjatë po ecte ngadalë një grua e re dhe mjaft e dobët. Me zor i hidhte këmbët, pasi pandoflat e spitalit ishin të shkatërruara më keq se “Këpucët e Lulit të vocërr”. Nga pas i varrej rrypi i fustanit fanellat. Flokët e saj ngjyrë gështenjë, të rëna mbi supet ishin mjaft të shpupurisura. Kush e di sa ditë kishte pa vënë krehër në kokë. Ecte e fliste me vete.

Mami Elga, mami Elga – u dëgjua një zë fëmije mbrapa nesh.

Gruaja ktheu kokën e saj të lodhur që me zor i a mbanin ato supe të rënë, e u përkul për të pritur dikë. Unë ktheva kokën pas. Një vajzë e vogël topolake me syçka të kaltër e dy gërsheta të verdhë, u shkëput nga dora e të atit dhe vrapoi drejt saj. I u hodh mbi krahë, por e ëma nuk e mbajti dot dhe u rrëzua në dysheme.

Unë vrapova drejt saj për ta ndihmuar. E kapa nga krahët, nga mesi (peshonte sa një pendë) dhe e ngrita. Ishte Elga…mu duk sikur edhe ajo më njohu. U mundua të buzëqeshë pak, vura re gjak në buzën e saj të poshtme, i cili i doli pasi u rrëzua.

Ilir – mundi të belbëzojë emrin tim, duke më ngulur sytë e saj të kaltër, të cilët mu dukën shumë te zmadhuar në ato çaste. Dikush ma tërhoqi nga vetja. Ishte i shoqi, një djalosh trup madh e me mustaqe deri tek veshët, i cili më pa gjithë inat e kureshtje. Vinte erë alkol.

Babi o babi, ajo teta quhej Elga – po më thoshte ime bijë duke më tërhequr nga dora.

Po, po Elga, Elga…quhej – ia ktheva unë, e pa dashur hyra në kujtimet e mia të rinisë.

* * *

Pasi hipën të gjithë njerëzit që ishin në stacion, autobusi mori kthesën për në Uzinën e auto – traktorëve “enver hoxha”. Ishte kjo një rrugë e gjatë për udhëtarët e zakonshëm, ndoshta edhe e mërzitshme, ndërsa për mua jo. Nuk e di pse, por sa herë që hipja në autobus më pëlqente që rruga prej andej nga isha nisur të mos mbaronte kurrë. Kjo më kishte mbetur që nga fëmijëria, kur me kalamajtë e pallatit bënim xhiro nëpër “Unazë”. Makina private nuk kishte ato kohë, për afro gjysëm shekulli, përjashto udhëheqësit e lartë komunist që ishin në pushtet.

Ha, ha, ha – nga fundi i autobusit u dëgjuan të qeshurat e forta e të gëzuara të disa vajzave. Të gjithë udhëtarët pranë meje kthyen vështrimin mbrapa. Edhe unë veprova si të tjerët.

Janë gjimnazistet, që bëjnë praktikën një mujore në uzinë – tha fatorino.

Eh! Çupa të reja janë, edhe do qeshin – ofshani një grua veshur pis në të zeza.

Fluturojnë thuaj, u prish rinia – u hodh e tha një tjetër.

Asnjë nuk foli më, ndërsa mua sytë m’u përqëndruan pa pritur tek vajza sy kaltër që më kishte tërhequr vëmendjen edhe disa ditë më parë me çapkënllëqet e saj prej lozonjare. Flokët e saj të gjatë ngjyrë gështenjë ndrisnin nga rrezet e diellit pas xhamit të autobusit. Unë vazhdova ta shikoja, por edhe ajo më pa aq gjatë, sa shoqet e saj lanë të qeshurën e po na shikonin të dyve.

Kur zbritëm tek stacioni i Uzinës e ndalova, e pyeta për emrin, pasi u prezantova edhe vetë më parë. Ajo nuk u largua, bisedoi pak me mua, e ndrojtur, por ndoshta e priste këtë çast.

Ishte fund shkurti, fillim pranvere, lulet sapo kishin filluar të mbushnin lëndinën përreth uzinës, ku ne bënim praktikën një mujore, por vetëm me një ndryshim. Elga ishte maturante në gjimnazin “Ismail Qemali” ndërsa unë vazhdoja vitin e tretë në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike. Një ditë rrugën nga uzina për në shtëpi e bëmë të dy me këmbë, nuk hipëm ne autobus. Elga mblodhi rrugës disa lule shumë të bukura, të cilat i thurri kurorë, e më pas unë i’a vendosa mbi flokë.

Dukej si një shtojzavallë. Ashtu e gëzuar, e me kurorë mbi flokë shkoi në shtëpi atë ditë, e ëma kur e kishte parë ishte habitur….

Ditët kalonin pa u kuptuar, ndërkohë Elga për mua ishte bërë më shumë se shoqe. Fillova ta doja. Mbaruam praktikat e filluam studimet që të dy. Bashkë kaluam çaste mjaft të bukura, të cilat do të mbeten të paharruara në jetën time.

Po, po nuk kam për t’i shlyer kurrë nga kujtesa ime, sepse ishte Elga, vajza çapkëne e lozonjare që ngjalli tek unë ndjenjën e parë të dashurisë.

Edhe ajo më donte…!

Kur të mbaronte maturën kishte dëshirë të vazhdonte studimet universitare për gjuhë – letërsi. I pëlqente të shkruante, në atë kohe i kisha lexuar edhe disa shkrime tek gazeta “Zëri i Rinisë”, të cilat më patën pëlqyer shumë. Kishte shije të hollë edhe në krijimet e saj, ashtu siç ishte elegante edhe vetë. Unë shpesh e ngacmoja duke e krahasuar me gjilpërën me kokë.

Kur të shtosh edhe nja dy kilogram në peshë – i thoja – do të shpallim fejesën tonë. Dhe ajo filloi të hante shumë brumra që të shëndoshej.

Por njohja e dashuria jonë nuk vajti gjatë. Ajo u nda nga unë, ashtu siç u ndanë petalet nga lulet e tyre, se më pas ato do të jepnin frytin e tyre. Kishte ardhur stina e verës. Kisha dy mbasdite që e prisja Elgën për të shkuar në Teatër, por ajo nuk erdhi. Pas disa ditësh më dërgoi shoqen e saj të ngushtë Valin, që tashmë ishte bërë e pranishme në disa nga takimet tona.

Ilir, Elga nuk do të takojë më – më tha ajo me gjysëm zëri, kokën të kthyer pak anash, e pa më vëshruar.

Pse çfarë ka ngjarë?? – e pyeta unë i çuditur.

Ajo nuk po fliste.

Mos i ka pëlqyer ai sportisti që i vinte rrotull kohëve të fundit. Ah po ai është, basketbollisti e kampioni i kombëtares, kurse unë një inxhinier hekurash.

Jo Ilir, mos fol kështu. Elga vazhdon të të dojë ty e vetëm ty. Por asaj …

Valit i ngeci fjala në grykë. Unë e kapa nga krahët….

I kanë arrestuar të atin për agjitacion e propagandë – më tha, e u shkëput nxitimthi nga unë.

Çdo gjë ndryshoi tek unë dhe tek Elga. Ne u ndamë. Më mirë të them e ndava unë nga jeta ime. Por nuk kisha se si të veproja ndryshe. I ati i u dënua për agjitacion – propagandë kundër pushtetit popullor. Çfarë të bëja unë, të më përjashtonin nga fakulteti? Lufta e klasave ishte prezente kudo, shumë e ashpër në çdo fushë të jetës. Nëse unë do të martohesha me Elgën do më degdisnin në zonat më të thella të vendit.

Po ku të kishte gabuar vallë i ati i saj!?

Ai kishte qenë arsimtar, mësues matematike, e gjithë jetën në shkollë të mesme. Ishte njeri i mirë, e me kulturë të gjerë, të paktën për të tillë e njihte edhe dajua im, pasi kishin qenë shokë klase në Shkollën Teknike Amerikane “Harry Fultz” në Tiranë. Dhe tani…

Prindët i kisha të dy komunistë, kur i tregova se si qëndronte raporti me Elgën më ndaluan rreptësisht takimet me atë. Më rekomanduan Mirandën, vajzën e shokut filan …Drejtor Drejtorie në Ministrine e…Tiranën e kisha të siguruar. U fejuam u martuam, tani kemi dy fëmijë, djalë e vajzë. Vajzën ma quajnë Elga. Kam bërë edhe disa rrugë të mira jashtë vendit, sigurisht dhëndri i shokut filan…

Po Elga?

Ajo pas ndarjes tonë e arrestimit të të atit u tret e u dobësua shumë. Shkolla e lartë nuk i doli, as shkrime të saj nuk lexoja më në gazetë. Më treguan se nuk i a botonin për shkakun e të atit, që u dënua si armik i partisë e popullit. Më vinte keq, e doja akoma, por nuk mund të shkatërroja jetën time.

Pasi kishte punuar tre vite me punë të detyruar në Fermën e Tapizës, e disa vite pastruese në Spitalin e Fëmijëve në Tiranë, filloi të punonte në Uzinën e Auto – traktorëve “enver hoxha” në Tiranë. Po pse aty dreqi e mori, apo pse e lidhin kujtimet me mua.

O në fabrikën e pasurimit të qymyr gurit në Valias, ose në uzinen e auto – traktorëve. Punë tjetër nuk ka për ju të deklasuarit e pushtetit – ia kishte prerë nënpunësja e kuadrit të lagjes.

Edhe ajo kishte “zgjedhur” uzinën traktori.

Nuk kishin kaluar as dy vjet, dhe Elga ishte martuar me një djalë që e keqtrajtonte. Ç’katastrofë!

Për Elgën nuk kishte më pranverë. Punonte tornitore me tre turne në uzinë. Ajo nuk qeshi më si dikur në fund të autobusit, kur dielli i shëndriste flokët e gjatë pas xhamave të qelqtë. Mbas lindjes së vajzës, fëmijës së saj të parë ajo sëmuret rëndë, e nuk e mori më veten. Kishte kaluar në depresion nervor.

Tirane, Albania 1984

Reply, Reply All or Forward

Mimoza Dajci

[email protected]
(917) 280-8146
+ Add to contacts