ELBASANI dhe PAVARSIA

Nga Shefqet DELIALLISI

Elbasani ka dhënë një kontribut të spikatur në shpalljen e pavarsisë së Shqipërisë në Elbasan e Vlorë. Nëpërmjet telegrameve botuar në “Dokumenta Historike” të Lef Nosit, do përpiqem ta rindërtoj këtë ngjarje të madhe duke u fokusuar pikërisht te Elbasani.
Parathënien e librit “Dokumenta Historike”, Lef Nosi, e mbyll me këto fjalë :

“Me botimin e kësaj fletoreje, nuk asht qëllimi me kritikue as me levdue veprat e njanit e të tjetrit, por me qitë në dritë ngjarje të cilat përfytyrojne fazat e ndryshme t’evolucionit politik te këti vendi.”

Sapo vendosi që kuvendi do të mbahej në Vlorë, (Ismail Qemali kish menduar të bëhej në Durrës), ai ju drejtua Aqif Pashës dhe Shefqet Vërlacit, dhe me ngulm i kërkon praninë e tyre në Vlorë :

“ Durrës, 9 (21 nëntor) Vjeshta e Tretë 1328-1912, Ora 4.20 e natës. Shkëlqesiës Tija Aqif Pashës, Shefqet Beut e Irfan Beut .Elbasan…
Në nji mbledhje ku do të bisedohen masa të jashtzakonshme e do t’epet nji vendim i premë, e gjindmja e Shkëlqesiës Tija Aqif Pashës e Shefqet Beut, asht e domosdoshme, edhe për këtë nuk mund të mendohet asndonji shkak e arsye ndalimi. Prandaj, i shtrënguem nga nevoja e punës e i shtymun nga detyra patriotike, lutemi qi t’urdhënoni të dy edhe pres përgjegjën tuaj.” ( L.Nosi“Dokumenta Historike”f.75)

Nuk dihet pse dy figurat më të rëndësishme të Elbasanit, nuk shkuan në Vlorë. Gjithsesi, kjo nuk e zbeh aspak kontributin e madh që ata dhanë për pavarsinë nga Elbasani.

Cilët ishin të mandatuarit e Elbasanit në Vlorë ?

Fillimisht ishin tre. Mid-hat bej Frashëri, Lef Nosi dhe Shefqet Daiu, të cilët në 22 Nëntor u nisën për Vlorë. Në 24 Nëntor u shtua dhe Dervish bej Biçakçiu, që ishte dhe delegat i Peqinit, dhe në 25 Nëntor edhe Qemal bej Karaosmani.
Në telegramin dërguar Dervish bej Biçakçiut thuhet :

“Elbasan, 12 (24 Nëntor) Vjeshta e Tretë 1328-1912, Zotniës Dervish Bej Biçakçiut, Peqin. Elbasani emnoi përfaqësues Mid-hat Bej Frashëri, Shefqet Dainë e Lef Nosin edhe pardje unisën për Vlonë. Pasi zotnia e juaj jeni zgjedhë përfaqësues nga Peqini, natyrisht, jo Elbasanin, por edhe gjithë prefekturën e përfaqësoni. Pasi po ju zgjedhim edhe n’emën t’Elbasanit, vepëroni së bashku.
Aqif pashë Biçakçiu, Shefqet Bej Vërlaci, Kryetari i Bashkiës Alush Rushdi Saraçi, parija e qytetit……(L.Nosi “Dokumenta Historike”f.79)

Dervish bej Biçakçiu ishte njeri me influencë në Elbasan. Në vitin1909, me votat e delegatëve nga gjithë viset shqiptare ai ishte zgjedhur kryetar i Kongresit Kombëtar të Shkollave Shqipe të Elbasanit dhe ishte një nga financuesit kryesorë të shkollës Normale.
Në 25 nëntor u caktua edhe delegati i pestë :

“Elbasan, 13(25 Nentor) Vjeshta e Tretë 1328-1912, 3.45 ora e natës. Kryesiës së Kongresit t’Independencës së Shqipniës Vlonë.
Ju bajmë më ditë, se edhe Qemal Beu, qi asht prej Parësiës, u-emnue delegat, për me bashkpunue me delegatët e tjerë t’Elbasanit e të Shqipniës. Aqif Pashë Biçakçiu, Shefqet Bej Vërlaci, Hasan Bej Biçakçiu, parija e Elbasanit…(f.83).

Qemal Karaosmani, ishte gjithashtu nga një familje e shquar e Elbasanit. Ngjarja e madhe e gjeti drejtor të kadastrës në Berat. Në kujtimet botuar në gazetën “Arbëria” në 28 nëntor 1936 ai shkruan : “Më 20.XI. 1912 vjen një telegram prej Vlone…….drejtue Bashkisë së Beratit : “Përkthmi i telegramit…prej Ismail Qemal Beut nga Vjena:”Me vaporin e parë vij… “….Mbas disa ditësh vjen një telegram me firmën e Bektash Cakranit me shokë prapë prej Vlone, drejtue Aziz Pashë Vrionit, ku thuhej: “Ismail Qemal Beu pas-nesër del n’Durrës, dërgoni njerës dhe kuaj t’a merrni, se prej këndej nuk mundemi të dërgojmë.”…U mblodhëm në shtëpinë e Aziz Pashës, dhe biseduam çështjen se cili të vejë e të marri Ismail Qemal Beun e ta përcjellë deri në Vlonë….. të gjithë sa ishin aty, më shënuan mua dhe unë me kënaqësi e pranova… të nesërmen u nisa për në Durrës tue marrë me vedi katër persona nga njerëzit e mij dhe tre kuaj rezervë. Në Durrës më thanë se Ismail Qemali …gjendet në Hotelin e Aziz Pash Vrionit në buzë të detit… Atë natë fjeta aty dhe biseduam drejtimin e udhëtimit qi do të bajim të nesërmen….”
Nga Durrësi Qemal Karaosmani i drejtohet një tjetër elbasanasi të shquar :“Durrës, 10 Vjeshta e Tretë 1912, Vllait tonë të dashtun Behxhet Beut, Çermë. Sot po nisemi edhe po vijmë aty, jemi ma tepër se njizet vetë. Pra, pregatituni edhe na bani vend ke Dervish Beu ose në shpië tuaj. Në dashtë zoti mbrama jemi aty”.
( L.Nosi“Dokumenta Historike”f.76). Dhe në mbërmjen e 23 Nëntorit, Ismail Qemali me shokë bujti në Çermë, në çifligun e Dervish Bej Biçakçiut e Behxhet Bej Hytit.

Pra delegatë në Kuvendin e Vlorës si përfaqsues të Elbasanit ishin : elbasanasit Lef Nosi, Mid’hat Frasheri, Shefqet Daiu, Dervish Bej Biçakçiu, Qemal Bej Karaosmani.