Edmond Cajës të Qafë Barit

Nga Kastriot Dervishi

Njëri prej anëtarëve të përkushtuar të armatës së persekutorëve komunistë, ish shefi i policisë (1982-1985) dhe më pas komandanti (1985-1989) i repartit të riedukimit nr.311 Qafë Bari, Edmond Caja, na theu “heshtjen e gjatë” (mezi po e prisnim në fakt) dhe në një të përditshme, për dy ditë rresht shpërndau një tekst trungnor të dobët agjitativ pa kokë e pa bisht, në të cilën pretendonte një “hakmarrje” e cila dukej shumë naive e fëminore. Kësisoj, fondit të artë të propagandës komuniste, iu shtua edhe një material tjetër se askush në Shqipëri nuk ka ushtruar diktaturë.
Caja duke harruar mësimet e shokut Enver me të cilat është mbrujtur, prej janarit 1993 jeton në “kapitalizmin e kalbur” gjerman, pikërisht atë që “mundën” paraardhësit e tij dushanistë e miladinistë. Pavarësisht se ka vite në Gjermani, madje merret me lotari, duke shkelur krejt moralin komunist me të cilin e kanë edukuar paraardhësit e qeverisë së rigonit, Caja kish gjetur me droje një kënd të më sulmonte duke më quajtur “ky hajdut dosjesh” dhe në një vend tjetër fjalinë tymëse “pasi kanë bërë çorap dosjet nëpër arkiva”. Në dallim nga emrat e tjerë të përmendur (të cilët i quante “kori i korbave”), ndaj meje, ky “luan” i partisë nuk kishte asgjë konkrete, por fjalë nga ato të përgjithshmet e injorantëve komunistë e enveristë kudo ndodhen, me të cilat jam mësuar tashmë. Shokët e celulës komuniste ku bën pjesë Caja, kushedi si ia kanë paraqitur figurën time “armiqësore”, me siguri “fashiste”, aq sa nuk bëjnë dallimin më të thjeshtë njerëzor (nuk pretendoj më shumë te këta) se leximi nuk është “vjedhje dosjesh”. Pavarësisht simpatisë apo mossimpatisë, në asnjë shkrim timin nuk kam referuar gjëra të paqena apo të pavërtetuara. Kjo gjë dukej edhe te fejtoni i Cajës, pasi nuk kish asgjë ku të kundërshtonte. Nëse Caja dhe kallëpi i tij leximet e mia i quan “vjedhje”, duhet ta llogarisin këtë jo me qindra, por me mijëra; as me një banesë, por me një lagje. Ajo që lexohet nuk ka nevojë të vidhet. Leximi shkon në mendje dhe jo në objekte. Jam edukuar ta dua vendin tim, të mbroj çdo gjë shtetërore dhe kombëtare që ai ka. Integritetin moral dhe profesional e kam edhe më të pastër se bora e maleve tona. Dhe jam shumë krenar për këtë. Përbaltës cilin kam këtë rast? Një komandant kampi të komunizmit. Në një autobiografi të tij të viteve të shkuara, ka shkruar me krenari pesë herë fjalinë se rridhte “nga një familje e varfër fshatare”. Raporti i vjedhjes me “familjen e varfër fshatare” dihet, është motivi kryesor që bëri që paraardhësit e Cajës të braktisnin katundin dhe të vinin përdhunisht në Tiranë për të “bërë ndonjë plaçkë”. Përzunë pronarët e shtëpive, i vranë, i burgosën, i internuan, i morën gjithçka, etj. Në gërxhet nga erdhën e ku nuk i binin pianos, kishin një shprehje lapidare: “o me dele (çoban) o me kapele”. Edhe E.Caja për traditë u bë me kapele (oficer). Unë nuk rrjedh nga “një familje e varfër fshatare” o Edmond Caja që të kem ves e traditë vjedhjen, të deleve apo të sendeve. Nuk kam zënë pronën e ndokujt si të parët e tu uzurpatorë që për 50 vjet u vetëlavdëruan” se mundën gjermanin e si moral më të mirë i saj të dërguan tyja (😅😂😂) në Gjermani.
Në tekstin e tij, Caja është mundur që me metodat primitive të Miti Kuricit të fusë në sherr ish të dënuarit e Qafë Barit, të merret me gjëra krejt të kota, e madje të na shitet sikur është përpjekur shumë për mirëqenien e të dënuarve. Mirë që nuk ka shkruar se ka qenë vetë i dënuar. Përmend edhe ndonjë bashkëpunëtor Sigurimit aty këtu, për të dhënë përshtypjen se “i di mirë këto punë”. Synon ta paraqesë revoltën e Qafë Barit nga qartësisht politike, në një rebelim të udhëhequr nga të dënuar ordinerë. Mirëpo, asnjë i dënuar nuk kishte vendim gjykate për të vuajtur dënimin nëpërmjet punës së detyruar. Do mjaftonte vetëm kaq për ta çuar atje ku e ka vendin Edmond Caja. Revolta që udhëhiqej kundër regjimit nga parulla “Poshtë Enver Hoxha” sigurisht ishte qartësisht politike. Asnjë emër i veçuar ordineri nuk prish tërësinë dhe karakterin e atyre njerëzve që regjimi i mbante të izoluar në kampin e Qafë Barit. Unë jam personi që gjeta vendin e eshtrave të dy martirëve të revoltës së Qafë Barit, si dhe bërjes së njohur të faktit që atyre iu morën edhe sytë për eksperiment mjekësor dhe jam shumë krenar për këtë. Po ashtu kam shpëtuar nga humbja, sistemuar dhe bërë publike, fotot e revoltës në fjalë, tashmë të shumë shpërndara.
Portreti i Edmond Cajës, vendi i të cilit dhe sishokëve të tij duhej të ishte në Hagë e jo në Gjermani, është ndërtuar pak nga pak në kujtesën time nga tregimet e qindra ish të burgosurve politikë, miq të mi, me të cilët më kanë bashkuar vlerat antikomuniste. Më ka bërë përshtypje se ish të dënuarit e përmendnin aq shumë për keq, saqë emrat e komandantëve të komisarëve (p.sh. Selaudin Hoxhallin) të tjerë të këtij kampi kanë ngelur në hije e nuk njihen pothuajse fare. A thua të gjithë këta, akuzojnë një njeri kaq “të sjellshëm”?! E pra ishte 7 vjet në Qafë Bari. Partia nuk e dërgoi kot aty. Por si njeri që urrejtjen ndaj “armikut” e kish të fortë. Edhe kur u bë komandant, Caja, i përshkruar nga të dënuarit si kapadai, nuk mund të rrinte pa bërë kolltukun e zyrës me lëkurë dhelpre. Anëtar nuk e bëri kot partia ditën e republikës komuniste, më 11 janar 1989, por për merita.
Në shkurt 1983 i dënuari me emrin Agron (dënuar me 11 vjet për faje politike në moshën 16 vjeçare në vitin 1980), vuajtës në Qafë Bari, ku punonte në nxjerrjen e piritit i shkruante Enver Hoxhë, se punonin me dy turne, rriheshin barbarisht, nuk ushqeheshin dhe se nuk laheshin kurrë me ujë të ngrohtë. “Komanda ka futur terrorin duke rrahur çdo ditë të dënuarit me kamxhik në dorë në mënyrë çnjerëzore.” – shkruante ai. Kamxhiku quhej nga komanda si “zorra e trashë”. “Kjo minierë nuk është kamp pune dhe riedukimi, por një kamp shfarosje”, duke i bërë të dënuarit të “pavlefshëm si njerëz” nëse dilnin që andej, pasi nuk kishte “ligj që i mbronte”.
Së fundi, se po na hiqesh “reformator” i madh i burgjeve, një fillim praktike i urdhrit të ministrit nr.01-65, datë 18.12.1990, për një ndryshim në rregulloren e burgjeve të vitit 1985. Megjithëse ishte pranuar pluralizmi, ti Edmond Caja nuk kuptoje asgjë se kish ardhur një rend i ri, ende flisje për “ndërhyrje forcërisht” kur fyheshin “udhëheqësit e partisë e të shtetit” (urdhri bashkëlidhur). Ndërsa mbyllja e Kampit të Qafë Barit nisi me kërkesë të ministrit të Industrisë e Minierave, Besnik Bekteshi, i cili më 5.6.1990 (pra para se të bëhej Edmond Caja drejtor më 18.8.1990) i shkruan ministrit të Punëve të Brendshme, Simon Stefani se 130 të burgosurit nuk garantonin prodhimin (që kish rënë jashtëzakonisht) e mineralit, pasi duheshin edhe 630 të tjerë. Për këtë arsye nisi studimi për t’i hequr të burgosurit e për t’i zëvendësuar me punëtorë nga zona. Pasi të dënuarit e Burrelit u çuan në Kosovë të Elbasanit, urdhri për “zhvendosjen provizore” të Repartit nr.311 në Repartin nr.321 Burrel doli më 10.9.1990. Kësisoj, ky veprim nuk ka lidhje “punën” e “reformatorit” të madh Edmond Caja.