Edhe dy të vdekur nga koronavirusi në 24 orët e fundit

 

Në Shqipëri, dy pacientë me koronavirus kanë ndërruar jetë në spital gjatë 24 orëve të fundit, megjithë mjekimet prej disa javësh.

Një pacient 73-vjeçar nga Durrësi me COVID-19 ndërroi jetë në mbrëmje pas një muaji me intubime në spital.

Ndërsa mëngjesin e sotëm ndërroi jetë një 52-vjeçar nga Kruja pas një jave i intubuar në reanimacion.

Dy vdekjet e fundit e çuan në 30 numrin e qytetarëve që humbur jetën nga COVID-19.

Autoritetet shëndetësore njoftuan sot për zbulimin edhe të 14 rasteve të reja me koronavirus, që i përkasin tre qyteteve më shumë të prekura. 7 raste të reja janë në Tiranë, 5 në Krujë dhe 2 raste të reja në Shkodër me COVID-19.

Zyrtarët deklaruan se “pavarësisht luhatjeve në shifra ditorë, situata vazhdon të jetë e kontrolluar, gjë që duket tek numri i qëndrueshëm i shtrimeve në spitale dhe numri i ulët i qytetarëve që kanë pasur nevojë për frymëmarrje të drejtuar”.

Sipas tyre, Shqipëria ka regjistruar deri tani 750 raste me COVID-19 dhe mosha mesatare e tyre është afro 47 vjeç.

Aktualisht në dy spitalet COVID janë të shtruar 32 pacientë. Në statistikat zyrtare janë shtuar prej disa ditësh edhe të dhënat për pacientët e shëruar.

Aktualisht Shqipëria ka 289 persona aktivë me COVID, ndërsa 431 janë shëruar. Vazhdon prej shumë ditësh të mbetet e qënrueshme tendenca që numri të shëruarve të jetë më i lartë se numri i të sëmurëve.

Krahas zonave më shumë të prekura si Tirana, Shkodra, Kruja, Durrësi, Fieri dhe Kurbini, autoritetet shtetërore kanë shpallur edhe disa zona të gjelbëra, të cilat nuk janë prekur nga COVID-19 ose janë shëruar plotësisht rastet në to.

Në këto zona të gjelbëra edhe masat e sigurisë për qarkullimin e këmbësorëve dhe automjteve janë më të lehta.