Edhe dy fjalë për Rudinën: Gramoz Ruci është komunizmi që jeton dhe vret!!!

Nga Nebil Çika*
Pashë që Rudina Hjadari ka postuar në FB një status për reagimet ndaj ftesës së saj drejtuar kreut të kuvendit, ish ministrit e fundit të brendshëm komunist, autorit kryesor të masakrës së 2 prillit 1991 në Shkodër Gramoz Ruci, ndër të cilët isha edhe unë.
Ju, zonja Hajdari, pretendoni se: “Të kërkosh nderim zyrtar me heshtje në Kuvend për Martirët e Demokracisë nuk është fyerje por akt dinjitoz për ata që besojnë në vlerat demokratike.”
Termi “zyrtar” në Shqipëri, dhe në veçanti kur është fjala për krime “zyrtare” e politike siç është “2 prilli”, nuk ka pikë kuptimi, e si justifikim nuk vlen. Ju ju drejtuat për të mbajtur zi pikërisht ish zyrtarit komunist dhe zyrtarit aktual të akuzuar si autor kryesor i këtyre vrasjeve, por edhe të tjera, gjë që i dha mundësinë atij të fyente e të dhunonte sërish martirët duke u bërë pjesë e zisë që ne të tjerët kemi 28 vite që mbajmë për ta. Nuk mendoj se këtu bëhët fjalë për “vlera demokratike” por vlera humane dhe veçanërisht për drejtësi. Në cilin vend , apo praktikë demokratike perëndimorë ke parë që vrasësi të ftohet të mbajë zi për viktimat? Ata janë pranuar vetëm për një gjë kur kanë pranuar krimin, janë ndëshkuar dhe kanë kërkuar ndjesë, një gjë që nuk ka ndodhur me Ruçin dhe komunistët shqiptarë. Por ne jemi shqiptarë dhe kemi edhe të drejtën tonë zakonore Kanunin për të cilin bota na respekton. Dhe Kanuni na detyron të kundërtën.
Respektimi i martirëve tanë nuk ka lidhje me formacionet politike, të djathtën apo PD-në, por me të drejtën tonë njerëzorë për të nderuar ata që ata që u vranë për të fituar vlerat demokratike, nga ata që nuk jo vetëm nuk i donin por i dhunuan e i dhunojnë, të cilët ju i ftuat të mbanin zi me duart ende me gjakun e viktimave të tyre. Ju keni të drejtë që cilësoni si problem praninë në politike dhe bashkëpunimin me Ruçin, Islamin apo Xhuvelin të ish partisë tuaj por kjo nuk është përgjegjësi, është problemi dhe halli i madh i familjarëve të martirëve të 2 prillit dhe gjithë martirëve antikomuniste. Kemi qënë dhe jemi ne që e kemi kundërshtuar dhe e kundërshtojmë këtë derexhe të politikës Shqiptare. Ju dje nuk i thatë këto kur i kërkuat Rucit të mbante zi për viktimat e 2 prillit. Nëse ju para se ta ftonit të mbante zi, do ti kishit kujtuar atij që ishte “vrasësi”, mund të ishe justifikuar disi. Fakti që e bini pas reagimeve tona është thjesht një justifikim pa vlerë. E keqja u bë!
Mendoj se kritikat ndaj jush erdhën me se shumti nga ne të përndjekurit politikë dhe familjarët e martirëve antikomunistë të 2 prillit. Kujt i tregon bashkëpunimin me Rucin, Islamin e Xhuvelit ? Nenave , vëllezërve e motrave tëe Brocit, Cekës, Bishankut e Kryeziut që publikisht për 29 vjet kanë drejtuar gishtin tek Gramoz Ruci duke kërkuar drejtësi! Jo zonjë, të jetë për ne, ai duhet të ishte në Hagë, në burg për krime kundër njerëzimit, jo në krye të kuvendit duke mbajtur zi për viktimat e tij, me ftesën tuaj!
Dhe së fundi, dy fjalë si vajzë miku! Ne të përndjekurit politikë antikomunistë e konsiderojmë babin tuaj të ndjerë Azemin, si njërin nga ne, pasi mendojmë e besojmë se edhe atë si njerëzit tanë e vranë komunistet. Ne nuk e kemi falë e nuk e falim gjakun e tij dhe gjithë martirëve tanë përfshi edhe Azemin, pasi besojmë se vlerat demokratike bazohen te drejtësia dhe besimi në Zot!
Një nga amanetet e fundit të babait tuaj, pasi ashtu si ne kishte provuar plumbat e komunistëve është: “Komunizmi kur jeton vret!” dhe Gramoz Ruci është pa asnjë dyshim prova më e qartë që komunizmi jeton dhe…. sigurisht vret.

*Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë