E pabesueshme! Pse zoti Grenell kërkon të zhgënjejë kombin më pro-amerikan në botë?!

Enver Bytyçi

Këto ditë ka pasur një diskutim të gjerë rreth ngjarjeve që ndodhën në Prishtinë. Diskutimet i nxiti më tej një deklaratë e përbashkët e ambasadorit Grenell dhe diplomatit amerikan Palmer, si dhe intervista e zotit Grenell në një TV të Kosovës. I gjithë diskutimi vjen rreth qëndrimit amerikan për çeshtjen më të ndjeshme të debatit, atë të shkëmbimit të territoreve ose siç e quajmë ne, ndarjes së Kosovës.

Edhe pas deklaratës së dy diplomatëve dhe intervistës së ambasadorit Grenell kjo çeshtje mbetet ende e mjegullt, e paqartë, e ngatërruar në një labirinth. Janë me qindra e mijëra ata që e kanë gjetur përgjigjen kur thonë “Ne jemi aleatë dhe miq të përhershëm me SHBA-të”! “Grenell dhe Palmer e dhanë qartë përgjigjen e kësaj dileme”! “Ne i besojmë SHBA-ve, sepse Amerika na ka çliruar”! Dhe të gjitha këto kanë brenda një të vërtetë të padiskutueshme. Nëse nuk do të ishte angazhimi amerikan i administratës së Bush sennjor, Bill Clinton dhe Bush junior Kosova nuk do të ishte çliruar dhe nuk do ta kishte formuar shtetësinë e saj.
Por nuk mund ta them këtë për administrën Obama dhe atë Trump. Kjo e fundit nuk është indiferente, siç ishte ajo e presidentit Obama, ndaj Kosovës. Madje është shumë aktive. Grenell mund të krahasohet me Holboroke e ta marrë emrin buldozer i diplomacisë. Por a mund të shënohet në historinë e shqiptarëve si historia e Holbrooke? Vetë zoti Grenell në intervistën e tij la shumë hije dyshimi për këtë.

Ai thotë se nuk kam parë asnjë projekt që ideon ndarjen e Kosovës. Por nuk thotë se nuk ekziston ky projekt, nuk thotë gjithashtu se SHBA-të nuk do ta pranojnë në asnjë rrethanë një ide të tillë të gatuar në kuzhinat e Beogradit. Ai u shpreh se SHBA-të respektojnë kushtetutën dhe mbi bazën e saj duhet të ushtrojnë funksionet institucionet e Kosovës, por nuk thotë pse ai vetë nuk e respektoi kushtetutën e Kosovës kur thirri presidentin në bisedime me Serbinë, ndonëse kushtetuta dhe gjykata kushtetuese përcaktojnë se është kryeministri autoriteti i vetëm i udhëheqjes së negociatave me Serbinë. Diplomati Grenell fajësoi Albin Kurtin që nuk heq taksën pa asnjë kusht, por nuk e fajësoi qoftë dhe njëherë të vetme presidentin serb për aktivitetin armiqësor kundër Kosovës edhe pse në të njëjtën ditë të janarit të këtij viti kishte kërkuar në Prishtinë heqjen e taksës dhe në Beograd ndalimin e ç’njohjeve. Zoti Grenell tha se respekton vullnetin e sovranit në Kosovë, por nuk shpjegoi pse mbështeti rrëzimin e një qeverie legjitime të vullnetit të qytetarëve!

Nëse do të listonim kundërshtitë midis parimit dhe praktikës diplomatike të zotit Grenell, atëherë do të duhej të shtonim dozat e dyshimit dhe spekticizmit lidhur me rezultatin e bisedimeve Prishtinë-Beograd. Mjafton trysnia deri në rrëzimin e qeverisë 50 ditorëshe të Kosovës për ta pasur këtë skepticizëm. Por dyshimet i përforcojnë edhe fakte të tjera. Ishte Eliot Engel ai që ngre pikëpyetje të mëdha rreth temës që diskutojmë, duke kritikuar qasjen e administratës së vendit të tij. Është Daniel Serwer ai që çdo herë na bën me dije se diplomacia e Grenell për Kosovën është diplomaci anti-Kosovë.

E megjithatë shqiptarët skeptikë akuzohen nga njerëzit e tabuve si “anti-amerikanë”! Këtë nofkë e propagandoi me shumë arrogancë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe makineria e tij propagandistike, duke nxit artificialisht përçarjen e lidershipit në atë që quhet pro-amerikan dhe atë pro-gjerman. Ndërkaq amerikanët mbështesin dhe inkurajojnë bisedimet e fshehta të Hashim Thaçit me Aleksandër Vuçiq, kurse gjermanët, anglezët dhe francezët bëjnë të kundërtën! Grenell mbështet politikanët kosovarë, të cilët janë për shkëmbimin e territoreve dhe rrëzojnë nga qeverisja politikanët që kundërshtojnë këtë opsion. E gjitha krijon ndjesinë e përshtypjen se Hashim Thaçit i jepet suport në projektin e tij, të Vuçiq e të Edi Ramës për ndarjen e Kosovës, madje duke e lejuar atë të spekulojë me “mbështetjen amerikane”!

Në këto kushte shqiptarët, populli më pro-amerikan në botë, mund të përçahen. Presidenti Thaçi u ka vënë atyre alternativën “o me ne, o kundër nesh”! Ose “me Amerikën, ose kundër saj”. Sipas tij shqiptarët nuk lejohen të besojnë edhe te Europa, edhe te Amerika. Por ky kushtëzim krijon efekte psikologjike të pariparueshme. Le ta ilustroj me eksperiencat personale. Supozojmë se dikush ka një mik për kokë, për të cilin ai është gati ta japë jetën. Por në një moment të caktuar e ditë të vështirë për të, shikon që miku bashkëpunon me armiqtë e tij. Ai ka të drejtë të dyshojë te miku i tij për kokë! E kundërta do të ishe naivitet! Unë nuk di ndonjë rast kur dikush të jetë zhgënjyer nga armiqtë. Zhgënjimi vjen gjithmonë pre miqve, prej atyre, të ciëve iu beson.

Kështu ndodh dhe midis kombeve e shteteve. Nëse SHBA-të favorizojnë armikun e shqiptarëve, Serbinë, dhe ushtrojnë trysni te Kosova, viktima e Serbisë, gjë që nuk ka ndodh në të shkuarën, atëherë natyrshëm tronditet besimi i shqiptarëve. Dhe nëse ndodh kjo, zhgënjimi te amerikanët mund të jetë më i madh! Kjo nuk është dëshirë e individëve, është një proces objektiv që do të ndodh. Ndaj nuk e di se çfarë e bën zotin Grenell ta shtyjë kombin më pro-amerikan në botë të zhgënjehet pikërisht me Amerikën?! Është vërtet e pabesueshme!

Raportet e besimit janë shumë delikate. Ato krijohen në sprova të mëdha dhe dështojnë në kohë të vështira. Rasti i Kosovës nuk bën përjashtim, sepse askush në këtë vend nuk ka prit që Berlini ta refuzojë kategorikisht ndarjen e saj, ndërkohë që përfaqësuesi i Uashingtonit ta mbështesë këtë projekt!