E djathta reale e Shqipërisë

Nga Gjin Gjoli *

Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, organizata më e madhe shqiptare e njëherësh zëdhënëse e qindra mijra shqiptarëve dhe familjeve patriote e nacionaliste, të cilët për gjysëm shekulli i’u nënshtruan dhunës dhe terrorit barbar komunist.Ka vite që vazhdon betejën demokratike e morale për të drejtat legjitime të kësaj shtrese,e cila ka një kontribut themelor në përpjekjet e popullit shqipëtar për liri, pavarësi shtetformim, njëherësh për orientimin e Shqipërisë në krah të perëndimit dhe SHBA-së.
Gjyshërit dhe baballarët e qindra përfaqësuesve të tyre që protestuan dje nëpër rrugët dhe bulevardet e qyteteve tona janë pinjollë të familjeve më të shquara të Kombit Shqipëtar, etërit e pavarsisë kombëtare dhe arkitektët e shtetit moderrn shqipëtar ,i cili identifikohet me periudhën e Monarkisë Shqipëtare në vitet 1928-1939.
Të përndjekurit politikë janë me të vërtetë Legjioni i Nderit të demokracisë, patriotizmit dhe civilizimit shqipëtar.
Nacionalistët shqipëtar, të cilët përfaqësohen me këtë shtresë të shoqërisë dhe liderët e tyre janë të parët që e pritën me pushkë okupatorin dhe u hodhën në zjarrin e betejave për liri.
Ata janë Garibaldët tanë dhe lavdia jonë e përjetshme sepse krahas luftës për çlirim me kuvendet e mëdha historike të Pezës, Mukjes e atij të Bujanit në Malësinë e Gjakovës hodhën themelet e bashkimit kombëtar, si një aspiratë themelore e shekullore në trojet e veta etnike në Ballkan.
Etërve të tyre që qeverisin sot, siç thonë nga Kosova nuk ua ndjeu hiç për të drejtat legjitime,njerëzore dhe juridike të kësaj shtrese.
Ata janë përgjegjës para historisë, jo vetëm për instalimin në Shqipëri të diktaturës më të egër në Europë dhe izolimin e vendit, por përtej këtij fakti historik këta khmerë të kuq janë autorë të krimeve të tmerrshme ndaj popullit të tyre,të cilët në konventat e të Drejtën Ndërkombëtare Juridike klasifikohen si krime kundër njerëzimit.
Kjo dëshmon dhe në Malësinë e Gjakovës ku me 28 Shtaor 1946 batalionet komuniste zbarkuan në këtë zonë dhe filluan reprezaljet me pushkatime. Internimin e mijra familjeve nga veriu i Shqipërisë drejt kampeve të vdekjes në Tepelenë e zona të tjera të jugut.
➢ Konfiskimi i pasurisë së tyre.
➢ Shfrytëzimin shtazarak në punë skllavëruse e të papaguar.
➢ Mohimin e të drejtës për të patur një varr të vetin.
Të gjitha këto janë krime të shëmtuara kundër njerëzimit dhe të kujtojnë epokën e gjygjit të shtrigave të perandorive të mesjetës.
Të përndjekurit politikë, këta njerëz fisnik dhe atdhetar kishin njëmijë arsye të hakmerreshin kundër barbarëve që i persekutuan, e ndaj familjeve të tyre.
Por ata nuk e bënë këte, në emër të Atdheut dhe të ardhmes tonë të përbashkët.
Mostrat e diktaturës meritonin plotësisht të viheshin para drejtësisë në një gjygj alla- Nurenberg e të përgjigjeshin për krimet kundër njerëzimit, të cilat nuk parashkruhen asnjëherë sipas konventave ndërkombëtare.
Por kjo fatkeqësisht nuk ndodhi, e xhelatët e morën faljen nga viktimat e tyre si një akt dobësie e frike.
Nëse në kohën e diktaturës është zbatuar një politikë dhune e apartejdi ndaj kundërshtarëve politikë që përfaqësohen nga kjo shtresë në periudhën tridhjetë vjeçare postkomuniste ka pasur një indiferencë të pafalshme nga politika,shteti dhe institucionet e tij.
Problemet e medha të të përndjekurve politkë, e në radhë të parë dënimi shembullor i xhelatëve, dekomunistizimi e despiunizimi i politikës dhe organeve kushtetuese, të drejtësisë dhe organeve ligjzbatuese, arsimimi, dëmshpërblimi, kthimi i pronave dhe integrimi i tyre i plotë në jetën sociale, ekonomike e politike të vendit janë akoma në kalendat greke.
Të persekutarit e regjimit komunist janë kolona vertebrale e demokracisë e nacionalizmit shqipëtar.
Ata janë ikona e vërtetë e Shqipërisë Europiane, udhërrëfyesit e rrugëtimit tonë drejtë kombeve të lira të hapsirës Euroatlantike.
Nuk janë rracë e ulët që kërkojnë lëmoshë e privelegje nga shoqëria dhe shteti, të cilëve u kanë dhënë kaq shumë.
Nuk ka asnjë vepër të madhe të ndërtuar në kohën e diktaturës komuniste që nuk ka në themel të saj mundin djersën e gjakun e tyre.
Ata janë detyruar të punojnë në kushte të rënda e çnjerëzore, njësoj si afro-amerikanët në shekullin e XVIII─të.
Ju është mohuar brutalisht e drejta e shkollimit, përfaqësimit, e drejta e shenjtë për të patur një varr.
Qindra – Mijëra familje kërkojnë edhe sot të afërmit e tyre të zhdukur nga diktatura e kasapët e saj , ndërkohë, parlamenti, qeveria, institucionet e shtetit janë mbushur plot e përplot me bijtë e bijat, nipat e mbesat e etërve mizorë.
Në çdo vend serioz të botës shteti dhe institucionet e tij konceptohen si vazhdimësi në kohë dhe hapësirë.
Asnjë president apo kryeministër shqiptar përgjatë tridhjetë viteve nuk u ka kërkuar falje të përndjekurve politikë në emër të institucioneve që përfaqësojnë për vuajtjet dhe persekutimin e tyre.
E pra Ati i Shenjtë Gjon Pali i dytë pati kurajon tu kërkonte falje amerikanëve pas 600 vitesh për sjelljen e padenjë të Kristofor Kolombit kur zbarkoi në këtë kontinent.
Të persekutuarit janë e djathta reale e Shqipërisë, nisur nga prejardhja, historia e vizioni i tyre për demokracinë e shtetin e së drejtës.
Të persekutuarit kanë në radhët e tyre figura të spikatura e me kontribute të mëdha.
Ata duhet të përfaqësohen në parlament dhe në të gjitha nivelet qeverisëse me kandidatët e propozur vetë nga Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë.
Diskriminimi politik është taktikë e strategji që ndjekin regjimet autoritare, neodiktatoriale në shtetet multietnike ndaj pakicave.
Të përndjekurit nuk janë minoritet e as pakicë.
Ata janë zëri i Atdheut, gardianë të lirisë dhe demokracisë.
Të përndjekurit politikë janë kryefjala dhe kallzuesi i kombit Shqipëtar.
Me plot të drejtë duhet ti pagëzojmë “Misionarë të Kombit”.
Koha po i thërret përsëri në skenë si avangardë për përmbysjen e neodiktaturës.

  • I përndjekur politik antikomunist dhe N/Kryetar i Shoqatës së Nikaj-Mërturit.Fjala në Ditën e Qëndresës Antikomuniste të  Malësisë së Gjakovës , Lekbibaj 29 shtaor 2021