“Dyert e blinduara vetëm në ambiente teknike”, Hasa: Kemi informacione, po përgatitemi për çdo skenar

Gjatë së enjtes një sërë fotosh dhe pamjesh kanë treguar se në Partinë Demokratike po blindohen dyer. I ftuar në “Radari Informativ” në ABC me Juli Xhokaxhi, ish-deputeti demokrat Endri Hasa e pranoi ekzistencën e dyerve të hekurta por theksoi se nuk ka asnjë derë të brendshme në Selinë Blu që të jetë blinduar.

Sipas tij, në godinë po punohet për riorganizimin e ambienteve për të akomoduar sekretariatet dhe nënkryetarët. Nga ana tjetër, sekretari për Organizimin Digjital në PD pranoi po ashtu se po merret çdo masë për të evituar çdo incident të mundshëm.

“Po merret çdo masë për të evituar çdo incident të mundshëm, çdo akt dhune, apo tjetër që është planifikuar nga ata që duan të bëjnë një protestë. Berisha do të hakërreje demokratët kundër demokratëve. Është marrë çdo masë e nevojshme që mos t’i humbasë dinjiteti asaj godine.”

Ish-deputeti përsëriti edhe një herë se janë ambiente teknike ato që po mbrohen me dyer të hekurta, siç mund të jenë panelet elektrike dhe “kjo bëhet që t’u ruhet jeta qytetarëve.”

Sipas Hasës, partia ka marrë informacione nga burime të ndryshme për akte që mund të tentohen të realizohen në protestën e nesërme. Kurse, i pyetur nëse PD ka kërkuar ndihmë nga Policia e Shtetit për ditën e nesërme, Hasa tha se demokratët i kanë dalë gjithnjë vetë për zot partisë së tyre.

“Nuk i kemi kërkuar ndihmë askujt. Demokratët i kanë dalë gjithmonë zot partisë të tyre. Çdo akt dhune, çdo tentativë do të dokumentohet saktë. Kushdo që do tentojë të dhunojë dinjitetin e asaj partie do të mbajë përgjegjësi.”

Ish-deputeti hodhi poshtë edhe mundësinë që në godinën e PD të qarkullojnë persona të armatosur ndërsa komentonte një foto të shpërndarë në mediat sociale në të cilën kanë pozuar disa të rinj të maskuar me një nga sanitaret e godinës.

“Ku janë se nuk i kam parë? Nuk e di fare kur është bërë fotoja. Ku janë armët? Aludohen? Armët e kujt? Në momentin që zgjedhin të kapen pas çdo grimce që u del përpara…”