Dy fjalë për rrugën pa krye

Nga Erl Kodra

Është tejet interesant qëndrimi i elitës politiko-mediatike të Tiranës rreth zhvillimeve të fundit në Partinë Demokratike. Rruga pa krye që ka marrë opozita ka vetëm një përfundim – izolim total nga Washingtoni. Elitat tona nuk e thonë në asnjë rast se rikthimi i Sali Berishës në krye të Partisë Demokratike do të rezultojë në një izolim të thellë dhe të gjatë të opozitës shqiptare nga Shtetet e Bashkuara. Ëndërrat e bukura me heronjë që sfidojnë perandoritë mbeten ëndërra, sado të bukura të jenë. Nuk ka asnjë shenjë ose provë që mund të ndryshojë përfundimin se rikthimi i Berishës në krye të PD do të jetë fatal për këtë parti.
Në fakt ka vetëm një mënyrë për t’iu imponuar Shteteve të Bashkuara – dhe ajo është përmes forcës. Por që të imponohesh përmes forcës, së pari duhet të zotëroni atë forcë. Dhe jo forcë dosido, por atë lloj force, sa të keni mundësi t’i prishini punë SHBA-ve.
Por a ka mundësi dhe forcë Partia Demokratike t’i prishë punë Shteteve të Bashkuara?
Shpesh thonë se “non-grata ka qenë edhe Jaser Arafat, madje ai ka qenë në listën e terroristëve”. Po, është e vërtetë. Por a është PD faktor aq i rëndësishëm, i njëjtë me OÇP-në e Arafatit? Madje, a e ka PD forcën dhe peshën e Ali Ahmetit ose Menduh Thaçit, të cilët iu imponuan SHBA-ve për çështje ekzistenciale kombëtare?
Nëse elitat mendojnë se izolimi nga Washingtoni është rruga e duhur, le ta thonë dhe ta argumentojnë pse qenka rruga e duhur. Përndryshe, injorimi i fakteve nuk e zgjidh problemin, por vetëm e rëndon problemin. Partia Demokratike do të hyjë në një periudhë të gjatë ngrirjeje, aq të gjatë, sa do të zgjasë qëndrimi i Berishës në krye të saj.