Dueli mes shqiptarëve!

Nga Mimoza Leskaj

Është vështirë të japësh një mendim sot, ndaj është më mirë të dëgjosh dhe shikosh sepse euforia nuk sjell asgjë të saktë.
Kjo është vërtetuar disa herë gjatë këtyre 30- viteve!
Një eksperiencë e gjatë dhe e mundimshme për një popull që është kalbur brenda mureve të diktaturës ,(për fat a për gur shahu , akoma e paqartë kjo) e gjithsesi një popull që ka përfunduar në një tifozeri të habitshme.
Arritjet,fitoret, dështimet dhe logorimet brenda rrethit katror të kufirit kanë sjellë një rezultat dështues përsa i përket ecjes së kohës, ndaj sot në një Kuvend madhështie të demokracisë ndeshesh pikërisht me një duel, …. jashtë e njëjta gjë!
Keqardhje?!
Diçka më shumë!
Ëndërruam aq shumë,sa nuk e përgatitëm veten për zhgënjimin, luftuam sejcili nga ne në mënyrën e tij duke shpresuar, në një demokraci e cila jo vetëm do shqyente muret e egra të diktaturës, por do e çonte vendin përpara duke i dhënë dinjitetin e humbur, duke çuar historinë në vend, duke njohur viktimat dhe varret e humbura në mënyrën më të denjë, duke kthyer pronën e basarduar tek i zoti, etj etj!
Sot mbas tridhjet vjetësh jemi para një lloji të ri me histori të vjetër… atë të rishikuarjes së themelimit,apo rithemelim siç lexoj.
Nuk mjaftuan 30- vjet?
Në fund të fundit po të njëjtit janë, çfarë do ndryshojë?
Apsolutisht nuk mohoj rolin e doktorit për gabimet dhe mëkatet, për gjithë ç’ka bërë në të mirë të këtij vendi, dënoj figurën e Bashës për gjumin e rëndë që e ka zënë (me dashje apo pa dashje), por kurrsesi nuk mund të bëj euforizëm me dy gishtat lart, kurrsesi!
Desha t’iu kujtoj se dy gishtat lart i kemi paguar e stërpaguar me gjak, ndaj sot trishtohem për gjithë ç’ndodhi këto 30- vjet.
Kërkoj të shpresoj, por historia tregoi se një grusht njerëzish mbetën të njëjtë ,majtas e djathtas, ndaj rri në heshtje dhe përpiqem t’i them vetes se një ditë, ndoshta një ditë do bëhet, dhe dueli i mallkuar, lufta brenda llojit, urrejtja mes të të njëjtëve do shuhet.
Dhe kur të ndodhë kjo, at’herë do themi:
– Mirëserdhe demokraci!
….gjer atëherë jemi larg, të majtë e të djathtë!!!