Drejtësia ne presion politik për Salianjin : Basha i dërgon letër Yuri Kim

 

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ka dërguar një letër Ambasadores Yuri Kim në lidhje me vëllain e ish- ministrit të brendshëm Fatmir Xhafaj.

Në letrën dërguar ambasadores, Basha thotë se PD-ja publikisht përmes Ervin Salianjit ka paraqitur prova për përfshirjen e vëllait të zotit Xhafaj në narko-trafik.

“ Pavarësisht këtyre zhvillimeve, nën presionin politik të qeverisë, sistemi drejtësisë dështoi të bëjë dhe përfundojë një hetim për këto krime të dyshuara, përfshi tentativat për t’i mbuluar ato, me përfshirjen e zyrtarëve të lartë të policisë dhe politikanëve nga PS”.

Kreu i PD-së shpalos edhe shqetësimin për atë që ndodhi me gjyqin e ish deputetit Ervin Salianji.

“ Gjyqi prodhoi shkelje flagrante të ligjit, nga një gjykatës haptas i lidhur me partinë në pushtet duke dënuar përfaqësuesin e PD Ervin Salianji dhe gazetarin investigativ Jetmir Olldashi me akuza absurde për raportime të rreme”.

Bashkë me këtë letër kreu i PD Basha ka dërguar edhe një material përmbledhës për atë që e quan abuzim pushteti dhe presion politik, që ndëshkoi denoncuesit e një krimi për të mbrojtur autorët e krimit.