Drejtësia e munguar

Nga Alma N. Lico
Kisha vendosur të mos shkruaja asnjë rresht për Temën aq shumë të konsumuar të drejtësisë së munguar. Në kërkim të një të drejte të shkelur dhe mohuar, bashkëqytetarët e mi e kanë provuar çdo të thotë të përballesh me sistemin e Drejtësisë, dhe në veçanti me gjykatat. Edhe ata të paktë individë që nuk kanë eksperienca personale të tilla, kanë dëgjuar aq shumë absurditete, sa që mendoj se asgjë që lidhet me vendimet e gjykatave nuk çudit më. Edicionet e lajmeve janë të mbushura me kronika për kriminelë që gjykatat i deklarojnë të pafajshëm, apo të pafajshëm që dënohen në mënyrë të padrejtë. Por përballja ime me këtë sistem të kompromentuar ka një specifikë paksa të veçantë, prandaj vendosa të shkruaj rreth saj.
Me datë 23 shtator 2016, së bashku me disa kolegë që ishin në të njëjtin funksion me mua, në mbështetje të së njejtës proçedure ligjore (të keqinterpretuar dhe zbatuar turpshëm dhe me keqdashje nga titullaret e Institucionit ), u liruam nga Policia e Shtetit. Urdhërat tanë të lirimit ishin një Copy-Paste i njeri tjetrit. Të gjendur në këtë situatë shkeljeje dhe padrejtësie, iu drejtuam Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë. Kolegëve të mi iu pranua padia kundër veprimit të padrejtë të Institucionit dhe e fituan gjyqin në këtë shkallë të gjykimit. Sigurisht, nuk rezultoi që kolegët e mi të rikthehen në punë, pasi ashtu siç ndodh rëndom, vendimet u apeluan nga Institucioni. Por, e vetmja që u rrëzova në këtë fazë gjykimi, isha unë.
Ndonëse si të gjithë shqiptarët, njoh shumë skandale në vendimet e gjykatave, nuk arrita të kuptoj se si e njejta gjykatë, për procese identike dhe për më tepër të trajtuara në të njejtën periudhë, jep vendime diametralisht të kundërta. Nuk kuptoj gjithashtu pse ky diferencim ishte vetëm për personin tim. Mundohem të gjej arsyen, por e kam të vështirë. E vetmja speicifikë e imja në raport me kolegët të cilët gjykata i trajtoi ndryshe nga unë, është se unë i përkas shtresës së të përndjekurve politikë, me fëmijëri dhe rini të kaluar në internim. Duke përjetuar edhe një varg padrejtësish të tjera në vitet e postkomunizmit, kam të drejtë të besoj se lufta e klasave që krijoi aq ndasi dhe viktima në periudhën e diktaturës komuniste, vazhdon me të tjera forma. Gjithsesi, ajo drejtohet kundër personave që vijnë nga familje kundërshtare të atij regjimi, dhe vazhdon të ketë të njejtën mendësi përçarëse dhe denigruese.
Të depoziuara prej mëse dy vjetësh, së shpejti proceset tona (imi dhe i kolegëve) do kalojnë në gjykimin e Apelit. Uroj shumë që kjo Gjykatë të mos përsërisë të njejtin turp e shkelje si ai i Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë. Së paku në këtë nivel të trajtohem në mënyrë të barabartë me kolegët.
Eshtë vërtet e tmershme të provosh gjatë të gjithë jetës peshën e padrejtësive së Institucioneve të Shtetit, nga të cilët nuk mund të mbrohesh dot. Nuk përballesh dot me një shtet që të dhunon, pasi ai ka në dorë të gjitha mekanizmat ligjore dhe antiligjore për të vepruar kësisoj.
E cfilitur nga kjo luftë e pabarabartë dhe e pafund, nuk më mbetet gjë tjetër vecse ti lutem Zotit që shqiptarët të bëhen bashkë për të reaguar ndaj dhunës dhe padrejtësisë së Institucioneve që ua kanë kthyer jetën në ferr. Pas vuajtjeve të periudhës së komunizmit, por edhe tranzicionit të tejzgjatur mendoj se meritojmë një shtet të së drejtës, një shtet që duke respektuar ligjet, t’i shërbejë denjësisht qytetarëve të saj.