Dokumentar për krimet e komunizmit në New York

Nga Klara Matja

Manhattan, Prill 2019 – Me kërkesë të Producer Club në New York, u rishfaq sërish Dokumentari i BBC mbi krimet e komunizmit në Shqipëri dhe në Kosove. Iniciator i këtij eventi ishte Menaxheri i këtij Institucioni të Pavarur e Kulturor në Manhttan Z. Alfred Tolja, i cili njëherësh njihet edhe si aktivist i çështjes kombëtare.

Duke qenë se CD e këtij dokumentari ne SHBA e disponon Organizata e Gruas Shqiptare – Amerikane “Shpresë & Paqe”, ato u treguan të gatshme dhe realizuan sëbashku rishfaqen e tij, ku në sekuenca filmike paraqitet terrori dhe genocidi i diktaturës më të egër në Europë, që sundoi për afro gjysëm shekulli në Shqipëri.

Dokumentari i është dërguar dhuratë Organizatës “Shpresë & Paqe” nga TV Prestigjoz i BBC, si e vetmja organizatë gruaje që ngre zërin dhe mban veprimtari patriotike kushtuar viktimizimit të femrës shqiptare nga rregjimi makabër komunist në Shqipëri dhe masakrimit e malltrajtimit të femrës shqiptare në Kosovë nga makineria serbe.

Moderoi aktivitetin gazetari dhe publicisti i palodhur – ish i persekutuari politik Z. Beqir Sina, dekoruar me Çmimin Presidencial “Naim Frashëri” i cili për shumë vite me rradhë mbajti gjallë jetën shqiptare, në shumë media veçanerisht tek gazeta “Dielli” në Amerikë.

Në shenjë respekti për të pranishmit Producer Club pas shfaqes së dokumentarit shtroi edhe një koktej me çaj dhe fruta të stinës.