Dje president, sot në Hagë. Sot kryeministër, nesër në qeli!

NGA PROF. DR. ASOC. ENVER BYTYÇI

Guenter Kunert në një nga esetë e tij të titulluar “Shkrime” botuar në vitin 1972 thoshte se bota ndryshon dhe se ajo është gjithnjë në lëvizje. Për ta ilustruar këtë ide ai merr si shembull rastin e një peme. Dhe për ta dëshmuar këtë ndryshim shkruan se “Dje ishte një pemë, sot është një copë dru dhe nesër do të jetë hi”! Më tej, duke ilustruar këtë me të vërtetën, Kunert shkruan se pema ishte e vërteta e djeshme, druri është e vërteta e sotme dhe hiri do jetë e vërteta e nesërme.

Po ta krahasojmë situatën në Kosovë shohim të njëjtën kurbë të ndryshimit dhe lëvizjes sa i përket dialogut me Serbinë. Dje bisedohej me Hashim Thaçin, sot bisedohet me Abdullah Hotin. Dje bisedohej në Uashington, sot në Bruksel. Dje ishte në rend ditë shkëmbimi i territoreve, sot është në rend dite një zgjidhje tjetër e konfliktit. Ndërkaq dje Hashim Thaçi ishte në zyrën e presidentit të Kosovës dhe merrte në pyetje vartësit e tij, jepte urdhëra dhe madje dhe direkativa. Sot e katër ditë ai është president, por ushtron të kundërtën e autoritetit të presidentit. Ai jep llogari në gjykatën speciale, jo pak, por gjashtë orë në ditë. Aleksandër Vuçiç dje ishte president i një shumice relative në Serbi. Sot është një presidenti i shumicës absolute. Dje ai ishte mësuar ta administronte një shumicë tjetër parlamentare, sot është në konfuzion dhe nuk di se çfarë do të bëjë me shumicën absolute. Ndërsa miku i tij në Tiranë, Edi Rama, dje ishte i kudondodhur. Sot është i vetmuar. Dje “u jepte mend” Europës, Amerikës e Ballkanit, madje edhe Putinit për konfliktin në Ukrainë. Sot i jep mend vetëm Myslim Murrizit dhe Rudina Hajdarit, por edhe me këta ka konflikt. Dje ishte “babai i kombit” dhe me një urdhër i mbylli njerëzit në shtëpi, sot nuk di çfarë të bëjë edhe pse shifrat e të infektuarve me COVID-19 janë tre fishuar. Dje tallej në foltore me ambasadorët e huaj, sot ua ka harruar emrin atyre, sepse nuk i ka më në krah. Dje bënte shou me atlete në tapetin e kuq në kryeqytetet europiane. Sot ia kanë ndaluar që në këto vende të kërkojë azil, jo më të kërkojë shpëtim!

Ajo që Kunert e trajton në vijën lineare si të vërtetë të ndfryshimit, duket qartë se ka nis të ndodhë në Shqipëri, në Kosovë dhe në rajon. Nesër do të thuhet se Hashim Thaçi dje ishte president e sot është në Hagë. Do të shkruhet për Edi Ramën se “dje ishte kryeministër e sot është në bankën e të akuzuarve”! Oreksi i madh për pushtet, para e pasuri i çoi prapa hekurave! Do të thuhet për Aleksandër Vuçiç se “Dje ishte president i Serbisë, por që tamahu i madh politik ia zu frymën”!

Duke u rikthyer te fabula filozofike e Kunert shkojmë më tej, të lidhja që ndryshimi ka me mjetin e përdorur. Që pema të bëhet dru na duhet sopata ose sharra. Që druri të bëhet hi, na duhet zjarri. Pra ndyshimi nuk vjen vetiu. Kërkohen mjete të caktuara për ta arritur atë. Nëse gjykata speciale ishte mjet për të ndryshuar ekuilibrat e bisedimeve Kosovë-Serbi, protestat e fuqishme dhe revolta popullore mund të bëhen mjet i ndryshimit dhe rrotacionit të pushtetit në Shqipëri.

Martin Walser na ndihëmon se si duhet t’i kuptojmë dhe interpretojmë këto ndryshime. Brenda këtyre zhvillimeve gjen disa kategori. Hermenautika trikëndore është ajo që na bën me dije se kuptimi i këtyre zhvillimeve sqarohet nëse analizojmë tri këndet që përmendëm më lart. Këndi numër një janë aktorët në lëvizje që po ndryshojnë cilësinë dmth gjendjen e tyre politike e sociologjike. Këta janë përkatësisht Edi Rama, Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç. Të dytët janë faktorët e brendshëm, të cilët veprojnë për shkak të peshës së pushtetit dhe të pasurisë që të tre ata i ka zënë poshtë vetes, por që kanë prishur dhe ekuilibrat e pushtetit, politikës dhe gjendjes social-ekonomike të këtyre faktorëve. Të tretët janë aktorët ndërkombëtarë, sidomos ata europianë. Këta të fundit përcollën diku nga larg e diku nga afër, herë me besim dhe herë me skepticizëm, metamorfozën e ndryshimit, pra procesin e shndërrimit të këtyre tre liderëve ballkanikë nga “shpresë për ndryshime në rajon”, në “problem për stabilitetin, sigurinë dhe paqen në vendet e tyre e në rajon”! Tashmë mbetet thjesht maturimi. Por edhe kjo është e kondicionuar në masë të madhe se cili do të jetë ndryshimi që do vijë. Aktorët në ikje, të cilët janë bërë pengesë ezhvillimit të përgjithshëm dhe mbartin me vete mëkate të shumta, do të përpiqen ta marrin me vete në ferr edhe fatin e kombeve të tyre, apo do të mund të largohen pa trauma civile?! Edi Rama duket se kërkon t’i shkojë deri në fund çmendurisë së vet. Hashim Thaçi ka kuptuar se tashmë është me shpatulla pas murit dhe nuk ka ku shkon më tutje. Ndërsa Aleksandër Vuçiç, ndryshe nga dy shqiptarët kryeneçë, e ka një zgjidhje: Ta marrë vendin e tij e ta çojë përsëri përtej Uraleve!

Fundi i gjithë këtyre ndryshimeve është i dukshëm: Thaçi nga president në qelinë e ngrohtë të burgut të Hagës. Rama nga zyra e kryeministrit në qelinë e ftohtë të burgut të Shkodrës (Gjithnjë nëse Lulzim Basha do jetë i vendosur për të mos bërë marrëveshje në tavolinë). Aleksandër Vuçiç do të përfundojë me azil në Moskë! Këto janë të vërtetat e djeshme, të sotme dhe ato të së nesërmes, nëse i referohemi kategorizimit të Linert. Le të presim e t’i shohim sa më shpejt këto ndryshime cilësore, të cilat nuk ndodhin vetëm me pemën, drurin dhe hirin, por ndodhin me çdo qenie që mërr frymë. Nëse liderët politikë e kuptojnë përkohshmërinë e madje ndryshimin objektiv që ndodh në këtë përkohshmëri, atëherë ata do të ishin më të përgjjegjshëm për fatin e kombit që udhëheqin si dhe për fatin e tyre personal!