Der Standard: Rama,arsyeja pse BE nuk e preferon Shqipërinë

Shqipëria do të vazhdojë të vuajë në rrugën e saj drejt integrimit evropian për shkak të keqqeverisjes.

Në një analizë të publikuar sot në portalin e njohur EuObserver, eurodeputeti David Lega shkruan se Shqipëria nuk i ka plotësuar 15 kushtet e kërkuara nga BE për nisjen e negociatave.
Ndërkohë gazeta e njohur austriake, Der Standard shkruan se vendet e BE-së nuk janë gati që të ndajnë Shqipërinë nga Maqedonia e Veriut kur bie fjala te nisja e negociatave.

Gazetarja Adelheid Woelfl shkruan se komisionari për zgjerimin, Oliver Varhelyi ka deklaruar se Shqipëria mund të nisë e vetme negociatat pa Maqedoninë e Veriut. Por sipas gazetares, në vendet e BE nuk ka ndonjë ambicie që negociatat të nisin vetëm me Shqipërinë. Gjermania, Holanda dhe Danimarka janë kundër.

Arsyeja është se Maqedonia e Veriut është i vetmi vend që ka bërë përparime serioze drejt integrimit.

Madje gazeta citon një studim të kryer nga Tina Freyburg dhe Tobias Boehmelt që thekson se i vetmi vend që mund të plotësojë kriteret e anëtarësimit në vitin 2023 është Maqedonia e Veriut. Sipas tyre, Serbia nuk do jetë gati deri në vitin 2030, kurse Shqipëria nuk do i përmbushë standardet as në vitin 2050.

“Kjo është një nga arsyet se pse BE kurrë nuk ka menduar të preferojë Shqipërinë. Qeveria shqiptare nën Edi Ramën, i cili së fundmi fitoi përsëri zgjedhjet, gjithashtu ka zbarkuar në një rrugë gjithmonë e më shumë autokratike në vitet e fundit,” shkruan gazetarja