Denoncimi i PD: Ministria e Drejtësisë tender sekret për materiale mjekësore, fituesi i paracaktuar

Enkelejd Alibeaj,i PD , ka denoncuar një tjetër tender korruptiv të qeverisë Rama në këtë kohë pandemie kur paratë duhet të shkojnë në ndihmë të familjeve në nevojë.

Pas Ministrisë së Shëndetësisë tashmë është Ministria e Drejtësisë që ka bërë tender për materiale mjekësore anticovid, edhe këtë herë në formë sekrete! Fituesi sipas PD është gjithnjë i paracaktuar dhe këtë herë është kompania “FEDOS” shpk.

Denoncimi i plotë
Zgjerohet infektimi i qeverisë nga virusi i vjedhjes me tendera “sekretë”, Enkelejd Alibeaj denoncon tjetër rast: Pas 4 tenderave sekretë të Ministrisë së Shendetësisë, edhe Ministria e Drejtësisë tenderon paisje anti-COVID pa asnjë tranaparencë

Virusi i vjedhjes me tendera “sekrete” është përhapur masivisht në qeverinë shqiptare. Pas Ministrisë së Shëndetësisë edhe Ministria e Drejtësisë ka bërë tender për materiale mjekësore anticovid. Me urgjencë, me shpejtësi dhe sigurisht, sekret! Fituesi, gjithnjë i paracaktuar! Kompania “FEDOS” shpk është “fituesja” dhe përfituesja e parave të shqiptarëve, që nuk dihet si janë harxhuar.

Tenderat e klasifikuar sekret i kanë mbyllur gojën qeverisë! Asnjë pipëtimë se ku shkuan 1.5 milionë euro të ushqimit të shqiptarëve. Asnjë shpjegim pse u bënë sekrete 4 tendera të Ministrisë së Shëndetësisë. Ligji detyron qeverinë të bëjë transparencë dhe të mos bëjë “rrush e kumbulla” paratë e shqiptarëve.

Sa para nga të shqiptarëve ka harxhuar në mënyrë sekrete? A ka abuzuar me këto para? A ka favorizuar ndonjë klient?

Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe SPAK-u duhet të ulërijnë për zbatimin e ligjit. Shqiptarët i paguajnë për të gjetur padrejtësitë, abuzimet, vjedhjet dhe për t’i ndëshkuar ato.