Demokratët e refuzuan dhunën, koha të ribëjmë PD për të gjithë.

Nga Skerdjan Dhuli

Demokratët e refuzuan dhunën.
Tani është koha të ribëjmë PD për të gjithë.
E djeshmja ishte një ditë e zezë për PD.
Gjithë çfarë ne nuk donim të shihnim, e pamë. Çfarë nuk donim tju servirej shqiptarëve, ju servir. Ashtu shëmtuar siç vetëm dhuna di të flasë.
Dje selia e PD u kthye barbarisht në shenjestër me një dhunë të pashoqe. Dhunë e cila nuk nisi dje po fiks 4 muaj nga sot, mbrëmjen e 9 shtatorit.
Për 4 muaj demokratët u ushqyen me lloj lloj zeprish konspirative, teori fyese, sulme të pashoqe ndaj lidershipit të partisë.
E dje njeriu që ka marrë votën e demokratëve për 30 vjet (përfshi këtu edhe të familjes time) mori varenë, gjystinë, trapanin, trohoin, gurët, shkallët, hunjt, gazin lotsjellës dhe ja behu drejtë selisë së Partisë Demokratike. Të asaj partie që ai si akush tjetër ka përfituar prej saj pushtet pa kufi.
Dje Sali Berisha i ngjau Edi Ramës së 21 janarit të 2011 kur rrethonte kryeministrinë.
Ashtu si Rama nuk e mori kryeministrinë me dhunë, ashtu edhe dje PD nuk ra me dhunë.
A priti Berisha të merrej selia me dhunë ?
Ai e donte, por më mirë se kushdo e dinte që kjo nuk arrihej.
Dhe e kuptoi më mirë se kushdo kur pa se në oborrin e selisë nuk ishin as ata demokratë që ishin në stadium në 11 dhjetor e jo më të pretenduarit e numrit utopik 44 mijë. Numri shumë i ulët i demokratëve dje në protestën e Berishës tregon se edhe mbështetësit e tij apo kritikët e Bashës nuk janë dakord me dhunën dhe nuk e shohin atë si zgjidhje. Tribalizmi nuk sjell kurrë sukses.
Dhe meqë me numra nuk u imponua dot, dhuna mbeti si e vetmja formë.
Një dhunë e shëmtuar që nisi ndaj Roland Bejkos, si një turp që sa ta kujtoj në jetë, do ndjej të njëjtën drithërimë si atë moment, e më pas me dhunën ndaj selisë për ta bërë atë sallatë dhe deri tek momenti që ndërhyri policia.
Një ndërhyrje që duhej bërë shumë më herët sepse aty krijimi i viktimave ishte fare afër dhe kjo do ishte jo vetëm fundi i Berishës por edhe fundi i PD, por meqë Edi Ramën nuk e ndryshojmë dot, le ta pranojmë se më mirë vonë se kurrë.
Por dje Ishte edhe fundi politik i Sali Berishës. Një fund i padëshiruar por fundja secili e zgjedh vetë mënyrën sesi do të largohet.
Sot PD i ngjan një skene lufte. Një ambienti që asnjë demokrat nuk do donte ta shihte e që për fat të mirë nuk pati viktima (çka i frikesha shumë, deri në bindje) por për fat të keq PD dje është goditur pa mëshirë në zemër të saj.
Ata që dhunonin me urdhër e dinin shumë mirë se brenda kishte njerëz. Kishte demokratë, deputetë, anëtarë kryesie, anëtar të këshillit kombëtar etj. Por pse e bënin ? Një pjesë nga naiviteti, një pjesë ngaqë kanë humbur karriget në PD. Le ta besojë çdo demokrat se elita e dhunës nuk e sulmon PD dhe Lulzim Bashën për parime po vetëm sepse kanë humbur privilegjet duke përdorur emocionet e demokratëve të ndershëm për betejën personale.
Miqtë e mi.
Asnjë prej nesh nuk është i lumtur me çka ndodhi dje. Dhe dua ta them shumë përzemërsisht se nuk jam i lumtur as me faktin që dje ishte fundi i shëmtuar i një aksioni renegat e tribal brenda partisë i cili prej 4 muajsh e shfokusoi totalisht vëmendjen e opozitës duke bërë Edi Ramën të vegjetojë në komoditet dhe të abuzojë e vjedhë në qetësi maksimale në kurriz të shqiptarëve.
Sali Berisha e ka pasur mundësinë që nga politika të dilte si hero. Ai e kishte këtë mundësi prej vitit 2013 atëherë kur demokratët e besuan mes lotësh dorëheqjen pa dorëheqje të tij.
Pse zgjodhi që fundin ta kishte kështu, është çështje e tij. Fundja njeriu e zgjedh vetë edhe fundin e tij.
Ajo që më bën të lumtur është refuzimi që shumica dërmuese e demokratëve i bënë dje dhunës.
Prezenca e ulët dje ishte nota që mençuria e demokratëve i dhanë dhunës dhe të shkuarës në PD.
Çfarë vjen pas të djeshmes është një tjetër histori.