Deklaratë patriotike a tallje politike

Nga Shkelqim Selmani

Flakëkashta gjoja patriotike e Ramës në Prishtinë për një President të zgjedhur nga populli për të dy shtetet shqiptare është as më shumë e as më pak një tallje tinëzare politike me instuticionin e lartë të Presidentit të një shteti sovran, i cili nuk mund të jetë njëhersh president i dy shteteve. Kjo deklaratë është edhe cinike se ai e di mirë që kjo tullumbace është e pazbatueshme ligjërisht e kushtetuetshmërisht dhe këtë e kupton çdo shqiptar këndej dhe andej kufirit edhe me inteligjencë mesatare. Po pse i duhej kjo shashkë gjoja patriotike Edit ? Kot, ashtu i tha mendja, për të thënë diçka, që edhe pse nuk realizohet, të tjerët nuk e thonë dhe ky trimi guxon të hedhë si një gur në mes të lumit bash mu në mes të Prishtinës dhe pastaj ne të tjerët të vrasim mendjen pse e hodhi dhe të futemi vetë në lumë e ta nxjerrim… Zhvejku në një rast të tillë e për një deklaratë të tillë do thoshte : Ç’më duhet mua se ç’farë them unë ! Në se Rama do të ishte vërtet patriot pse nuk deklaron se ka ardhë koha që shqiptarët e Shqipërisë dhe të Kosovës të mendojnë dhe veprojnë për bashkimin e dy shteteve në një shtet të vetëm ku jo vetëm presidenti do jetë i përbashkët, por do të kemi një kryeministër, një qeveri e një administratë dhe në vitin 2025 të futeshim në BE si një shtet i vetëm. Po je trim e patriot ja këtë të deklarosh zoti kryeministër. E meqë këtë se thua dot ti ja sapo e thash unë dhe para meje e kanë thënë edhe shumë patriotë të tjerë; ndonëse askush nuk do i japë rendësi kësaj deklarate të drejtë e patriotike dhe askush nuk do shkruajë e flasë për mua apo për shumë të tjerë që e kanë thënë para meje siç bëjnë me shashkat, mashtrimet dhe batutat e tua pa kripë….Ti mund të tallesh me presidentin, këtu në Shqipëri, që i hoqe edhe fotografinë nga muri, por nuk mund të tallesh me Shqipërinë dhe kombin shqiptar …