COVID-19 sjell në vëmendje laboratorin kinez

 

Në mbi katër muaj që kur Kina raportoi një shpërthim të pneumonisë virale në provincën Hubei, koronavirusi është shtrirë pothuajse në çdo cep të botës, por ende nuk ka një përgjigje të qëndrueshme se nga ku filloi e gjithë kjo.

Kina ka thënë se personat e parë të infektuar e morën virusin nga kafshët e gjalla që shiten në një treg në Wuhan, qyteti kryesor i provincës Hubei. Por që kur dolën në dhjetor të vitit të kaluar njoftimet e para publike për një shpërthim viral të pazakontë, shumë vëzhgues kanë vërejtur gjithashtu se laboratori i parë biologjik i nivelit të sigurisë 4 të Kinës, i cili kryen studime mbi koronaviruset e kafshëve, ndodhet vetëm disa kilometra larg tregut të gjësë së gjallë.

është thjesht një koinçidencë? Apo luajti laboratori në fjalë një rol më substancial në këtë shpërthim? Pa prova të qëndrueshme, spekullimet po mbushin boshllëkun. Në vazhdim janë gjërat që dihen deri më tani.

Shqetësimet amerikane për sigurinë

I strehuar në rrethinat kodrinore të Wuhanit, laboratori i sigurisë së lartë biologjike është i pari i këtij lloji në Azi. Aty gjenden mbi 1500 modele virusesh.

Laboratori ka përbërë prej dy vitesh një burim shqetësimi për zyrtarët amerikanë.

Dy kabllograme të Departamentit të Shtetit tregojnë se si zyrtarë të ambasadës amerikane në Pekin bënë disa vizita tek ky objekt kërkimor dhe i dërguan Uashingtonit dy paralajmërime zyrtare në fillimin e vitit 2018, për sa i përket masave të pamjaftueshme të sigurisë në këtë laborator. Në atë periudhë, shkencëtarët po zhvillonin studime të rrezikshme për koronavirusët nga lakuriqët e natës, njoftonte gazeta The Washington Post, duke cituar burime të shërbimeve të zbulimit.

Instituti i Virologjisë, Wuhan
Instituti i Virologjisë, Wuhan
Ish-zyrtarë dhe zyrtarë aktualë të shërbimeve amerikane të zbulimit u thanë gjithashtu mediave të ndryshme në Shtetet e Bashkuara, se komuniteti i zbulimit po shqyrton nëse koronavirusi u shfaq aksidentalisht nga laboratori, apo nëse “pacienti zero” punonte atje.

Megjithatë, burime të zbulimit i thanë Zërit të Amerikës se komuniteti i shërbimeve amerikane të zbulimit “nuk kanë rënë kolektivisht dakort për një teori të vetme” për sa i përket origjinës së koronavirusit.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara po hetojnë, zyrtarët thonë se mungesa në vazhdimësi e transparencës nga qeveria kineze, ndër të tjera edhe për Institutin e Virologjisë së Wuhanit, ngre pikëpyetje se si filloi epidemia. Zyrtarët akuzojnë gjithashtu Pekinin se ende nuk po i ndan të gjitha të dhënat që ka me komunitetin ndërkombëtar.

Shqetësime sigurie nga vetë kinezët

Kina refuzon me forcë mundësinë që virusi ta ketë patur fillesën në laboratorin e sigurisë biologjike, në vend të transmetimit nga kafshët tek njeriu në Wuhan. Sidoqoftë, autoritetet kineze nuk kanë ofruar prova të mjaftueshme për të mbështetur pretendimin e tyre.

Madje, ekziston evidencë kineze se laboratori kishte probleme sigurie. Zëri i Amerikës ka gjurmuar njoftimet e mediave shtetërore kineze ku flitet për incidente sigurie të pikasura nga inspektorët e qeverisë kineze, si dhe për aksidente të njoftuara që patën ndodhur kur punonjësit përpiqeshin të kapnin lakuriqët e natës të destinuar për punën kërkimore.

Rreth një vit përpara shpërthimit të koronavirusit, një vlerësim sigurie nga një ekip i qeverisë kineze konstatoi se laboratori nuk plotësonte standartet e vendit në pesë kategori.