Covid-19 – Mbi 33 mijë të vdekur dhe mbi 700 mijë të infektuar në botë

Mbarë bota po vazhdon të përballet me epideminë e koronavirusit të ri (Covid-19). Kjo sëmundje aktualisht e pashërueshme po vazhdon të marrë jetët e njerëzve.

Ndërsa vdekja e parë për shkak të llojit të ri të koronavirusit u regjistrua në Siri, u njoftuan edhe 9 raste të infektimeve me këtë virus.

Bëhet e ditur se në Marok, ku u zbulua lloj i ri i koronavirusit, ka vdekur një foshnjë 17 muajshe. Ndërsa humbja e jetës në vend u rrit në 27, numri i rasteve u rrit në 450.

Numri i njerëzve që vdiqën në Izrael për shkak të llojit të ri të koronavirusit u rrit në 15. Ministria e Shëndetësisë e këtij vendi njoftoi se numri i rasteve të Covid-19 arriti në 3 mijë e 865 në të gjithë vendin.

Në Indi, ku vdiqën 25 njerëz dhe numri i rasteve u rrit në 979 për shkak të epidemisë së Covid-19, Kryeministri Narendra Modi u kërkoi falje qytetarëve për vështirësitë e shkaktuara nga hapat e ashpra të qeverisë për të parandaluar përhapjen e epidemisë.

“Unë e di se disa prej jush do të zemërohen me mua, por këto masa drastike janë të nevojshme për të fituar këtë luftë.” tha ai.

Deklarata e Modi erdhi pasi dhjetëra mijëra punëtorë emigrantë, të cilët mbetën të papunë për shkak të ndalimit të daljes në rrugë, ishin të detyruar të ecin për të shkuar në shtëpitë e tyre dhe për shkak të ndalimit të transportit publik.

Në Burkina Faso një nga vendet afrikane nën-Sahariane, ku u regjistrua vdekja e parë nga lloji i ri i koronavirusit (Covid-19), ministri i Transportit, Lëvizshmërisë Urbane dhe Sigurisë Rrugore Vincent Dabilgou rezultoi pozitiv në testin kundër Covid-19. Në këtë vend afrikan, 12 njerëz vdiqën nga Covid-19 ndërsa edhe testet e 5 ministrave, përfshirë ministrin e Punëve të Jashtme dhe të Arsimit dolën pozitive.

Në Senegal në Afrikën Perëndimore, numri i rasteve të infektimit me Covid-19 u rrit me 12 dhe arriti në 115, ndërkaq bëhet e ditur se 27 persona të infektuar me virus u shëruan.

Nigeria shënoi 97 raste të infektimit me Covid-19 ndërsa një person vdiq nga kjo sëmundje.

Ndërkaq në Egjipt 40 njerëz vdiqën dhe numri i rasteve të infektimit u rrit në 609.

Në Marok, ku humbën jetën 26 njerëz, numri i rasteve u rrit në 463.

Tunizia azhurnoi humbjen e jetës në 8 dhe numrin e rasteve në 312 për shkak të Covid-19.

Ministri i Shëndetësisë i Jordanisë Saad Xhabir deklaroi se në vendin e tij është regjistruar vdekja e tretë për shkak të Covid-19, ndërsa shtoi se janë shënuar edhe 13 raste të tjera me Covid-19, kështu që numri i përgjithshëm i rasteve është rritur në 259 dhe 18 persona janë liruar nga spitali pas përfundimit të trajtimit mjekësor.

Nga ana tjetër numri i atyre që vdiqën nga Covid-19 në Itali u rrit me 756 në 24 orët e fundit dhe arriti në 10 mijë e 779. Në Gjenovë, 102-vjeçarja, Italica Grondona, e cila arriti të mposhtë Covid-19, “u bë një simbol i shpresës” në vend.

Numri i vdekjeve nga Covid-19 në Francë është rritur me 292 në 24 orët e fundit dhe arriti në 2 mijë e 606.

Raportohet se numri i personave të infektuar në vend është rritur në 40 mijë e 174 me një rritje prej 2 mijë e 599 dhe se numri i atyre që marrin kujdes intensiv u rrit në 4 mijë e 632, ndërsa 7 mijë e 132 pacientë u shëruan.

Ndërkohë, koronavirusi u zbulua tek 1 mijë njerëz që morën pjesë në meshat e mbajtura në Kishën Ungjillore në Mulhouse në shkurt. Bëhet e ditur se këta njerëz e morën virusin në qytete të ndryshme dhe se një infermiere që ka marrë pjesë në mesha ka infektuar 250 punonjës të kujdesit shëndetësor. Mediat raportojnë se edhe Presidenti Emmanuel Macron më 18 shkurt ka vizituar qytetin Mulhouse gjatë këtyre riteve fetare.

Lothar Wieler, shefi i Institutit Robert Koch, i cili zhvillon punime në fushën e sëmundjeve infektive në Gjermani, ka thënë që “Është e nevojshme që spitalet të përgatiten sa më mirë të jetë e mundur. Kapaciteti i shtratërve të kujdesit intensiv duhet të dyfishohet, nëse është e mundur edhe më shumë”.

Në Angli, ku humbja e jetëve u rrit me 209 dhe arriti në 1 mijë e 228 dhe ku numri i rasteve të infektimit u rrit me 433 dhe arriti në 17 mijë e 89, zv/drejtoresha e Shëndetit Kombëtar, dr. Jenny Harries paralajmëroi se vdekjet do të rriten, veçanërisht në 2 javët e ardhshme, ndërsa shtoi se rënia në numrin e vdekjeve mund të shënohet më vonë nëse masat vazhdojnë.

Ndërkaq në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), numri i vdekjeve u rrit me 480 dhe arrit në 2 mijë e 191. Vetëm në Nju-Jork, numri i personave të infektuar u rrit me 7 mijë e 195 raste në ditë dhe arriti në 60 mijë. Bëhet e ditur se njësitë e sigurisë që shërbejnë në të gjithë vendin janë gjithashtu të prekur seriozisht nga epidemia. Deri më sot 690 policë janë diagnostikuar me Covid-19, ndërsa në mesin e policëve të dërguar në spitale për trajtim mjekësor 2 kanë humbur jetën.

Shoqata e policisë amerikane, sherifëve dhe e zjarrfikësve i dërguan një letër të përbashkët Presidentit Donald Trump, duke i kërkuar atij të përdorte Aktin e Prodhimit të Mbrojtjes, i cili u prezantua gjatë epokës së Luftës Koreane për të siguruar pajisje të përshtatshme mbrojtëse.

Në Australi, në të cilën vdiqën 16 persona, numri i personave të infektuar me Covid-19 u përcaktua të jetë 3 mijë e 969 persona.

Ndërkaq zyrtarët italianë shprehin falënderime Shqipërisë për dërgimin e një ekipi të mjekëve në ndihmë në luftën kundër epidemisë së Covid-19. Pas dërgimit të ekipit mjekësor në shenjë solidariteti ndaj Italisë mike, politikanë të shumtë italianë kanë falënderuar qeverinë shqiptare për ndihmesën në këto ditë të vështira për ta.

Epidemiologët e rajonit paralajmërojnë se kurba e rritjes për pacientët e infektuar në Ballkan pikun do e ketë këto 10 ditë. Në Klinikën Infektive të QKUK-së në Prishtinë, sot më 30 mars 2020 janë duke u trajtuar 37 pacientë të prekur nga Covid-19.

Ndërsa një muaj pas regjistrimit të rastit të parë me Covid-19 në Maqedoninë e Veriut numri i të infektuarve po rritet në mënyrë lineare. Sipas të dhënave të fundit në këtë vend janë konfirmuar 259 raste me koronavirus, 6 raste të vdekjes dhe 3 të shëruar.