Çmimet Ndërkombëtare për Lirinë e Shtypit nderojnë gazetarët e guximshëm

 

Gazetarët e guximshëm që u vlerësuan me Çmimet Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit për vitin 2021, sjellin një pasqyrë të gjendjes gjithnjë e më të brishtë të lirisë së shtypit në mbarë botën.

 

 

Mediumi i tij i pavarur i lajmeve vuajti si pasojë e grushtit ushtarak të shtetit në Mianmar kur junta mori pushtetin dhe filloi të godasë shtypin.

Zoti Naing jeton në Norvegji, ku ka kërkuar strehim dhe prej nga transmeton përmes satelitit në Mianmar (të njohur më parë si Birmania).

“Ushtria arrestoi mbi 100 gazetarë pas grushtit të shtetit në shkurt 2021. Ende, rreth 50 persona ndodhen në burgje”, thotë kryeredaktori i “Zëri Demokratik i Birmanisë”, ndërsa shton se në mesin e të arrestuarve janë shumë gazetarë të agjencisë së tij.

Ai është një nga të vlerësuarit me Çmim Ndërkombëtar për Lirinë e Shtypit të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve më 2021.

“Ky çmim do të nxjerrë në pah gjendjen e rëndë të gazetarëve tanë në terren, të atyre që janë në burgje dhe atyre që ende po luftojnë për të raportuar, duke rrezikuar jetën dhe të ardhmen e tyre”, thotë zoti Naing.

Me çmime janë nderuar edhe gazetarë nga Bjellorusia, Guatemala dhe Mozambiku, për raportime në kushte të vështira për agjencitë e vendeve të tyre.

“Fituesit e çmimit na kujtojnë se mjedisi për gazetari të pavarur ka ndryshuar kudo, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Sfidat janë shumë të mëdha. Optimizmi që ekzistonte kur fillova këtë punë para 25 vitesh, për fat të keq nuk është më“, thotë Joel Simon nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve.

Gazetarja nga Guatemala Anastasia Mejia ishte reporterja e vetme që mbuloi një protestë në qytetin e saj të lindjes, Jojabaj, në gusht të vitit 2020, për çka më vonë u arrestua.

“Më mohuan lirinë për 36 ditë. Seancat shtyheshin sa për të vonuar procesin”, thotë ajo.

Gjykata e shpalli të pafajshme, por ajo vazhdon të ndihet e rrezikuar.

“Nëse vazhdoj të flasë, do të më vrasin dhe do të më shkatërrojnë familjen”, thotë gazetarja.

Joel Simon nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve thotë se ndihet optimist për të ardhmen e gazetarisë, por është edhe realist.

“Liria e shtypit apo e shprehjes është beteja e epokës së informacionit. Ne duhet të mbizotërojmë duke e ditur se jemi në një luftë të vështirë dhe të gjatë“, thotë zoti Simon.

Edhe gazetari Aye Chan Naing vazhdon luftën për lirinë e shtypit.

“Mendoj se e ardhmja do të jetë e ndritur. Pas gati 10 muajsh nga grushti i shteti, ushtria nuk arriti t’i mbyllë gojën popullit. Ne po marrim shumë informaicione përreth vendit. Më 1988 jam detyruar për herë të parë të largohen nga Birmania dhe m’u deshën 20 vite për t’u kthyer. Shpresoj që këtë herë nuk do të duhet aq gjatë“, përfundon kryeredaktori i “Zërit Demokratik të Birmanisë”.