Cili është roli i Hashim Thaçit për krijimin e frymës së përçarjes në Kosovë?

 

Enver Bytyçi

Albin Kurti nuk i është bindur ende presionit të Grenell për heqjen pa kushte të taksës ndaj mallrave serbe që hyjnë në Kosovë. Ai thotë se nëse heqim taksën pa kushtet e reciprocitetit, atëherë Thaçi dhe Vuçiq do ta nënshkruajnë menjëherë marrëveshjen me Serbinë, por të dëmshme për Kosovën. Edhe paraardhësi i tij, Haradinaj, vijon të këmbëngulë se heqja e taksës shkon në favor të Serbisë dhe ve në rrezik integritetin territorial e shtetëror të Kosovës. Në parlamentin e Kosovës u paraqit të mërkurën një rezolutë, e cila shpreh gatishmëri për dialog, por kërkon që të ruhet sovraniteti shtetëror dhe karakteri unitar i shtetit, si dhe dialogun, bazuar në vendimin e gjykatës kushtetuese, ta kryesojë kryeministri.

Në kontekstin e këtyre qëndrimeve ata që disa herë iu kundërvunë SHBA-ve, pra Thaçi me kompaninë e tij të PRONTO-s, kanë mundur ta bindin një pjesë të mirë të publikut se “Albin Kurti është anti-amerikan”! Dhe e gjitha kjo situatë në pamjen e saj të parë duket e pakëndshme, madje absurde. Si është e mundur që dy kryeministrat njëri pas tjetrit t’i “kundërvihen” kërkesave të SHBA-ve për heqjen e taksës, ndërkohë që ai që luante “k…qe” me amerikanët, Hashim Thaçi, të na shfaqet më amerikan se amerikanët?!
Kryeministri Kurti vërtet ka kundërshtuar kërkesën arrogante të një ose dy personaliteteve amerikane për heqjen pa kushte të taksës me Serbinë. Por ai asnjëherë nuk ka bërë ndonjë deklaratë kundër amerikanëve. Thjesht ka sqaruar se taksa duhet shoqëruar me reciprocitet dhe reciprocitetin nuk e ka kërkuar nga amerikanët, por nga serbët. Nuk e di ku është antiamerikanizmi i Albin Kurtit në kërkesën e tij për sjellje korrekte të Serbisë ndaj Kosovës?! Eshtë vërtet absurde të besohet se dikush na qenka anti-amerikan, pse ai kërkon të drejtën e vet e të kombit të vet për t’u trajtuar në mënyrë të barabartë me partnerin në bisedime, Beogradin!
Albin Kurti ka kërkuar gjithashtu që bisedimet t’i drejtojë kryeministri. Ky nuk është vullnet i tij. Është vendim i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, madje në përgjigje të një kërkese për shqyrtim, të cilën e kërkoi Thaçi. Nuk e kuptoj çfarë anti-amerikanizmi gjendet te kërkesa për zbatimin e kushtetutës së vendit?” Kosova ka një kushtetutë të hartuar nga amerikanët. Hashim Thaçi u bë anti-amerikan disa herë gjatë procesit të ngritjes dhe iniciativës së tij për zhbërjen e Gjykatës Speciale dhe nuk u sulmua me artileri propagande si kjo.

Ndërkaq Hashim Thaçi ka vendosur disa lidhje specifike në Shtëpinë e Bardhë me elementë që kanë kundërshtuar pavarësinë e Kosovës dhe marrëdhënien e ngushtë me këta ua shet shqiptarëve si “pro-amerikanizëm”! Nga ana tjetër ai shpreh kritika të ashpra deri në fyerje për Bashkimin Europian, për Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Francën etj. Hashimi u kthye para dhjetë ditësh në Kosovë, pas një qëndrimi njëjavor në Uashington. Shkoi në SHBA, u takua edhe me Aleksandër Vuçiq në Shtëpinë e Bardhë dhe nuk u konsultua me askënd në Prishtinë për këtë veprimtari të tijën anti-kushtetuese. Gjatë kësaj vizite ai e paraqiti Albin Kurtin si anti-amerikan. Nga disa burime kam mësuar se partnerëve amerikanë Thaçi u ka thënë se “Kurti gjatë qëndrimit të tij në burgjet serbe është rekrutuar nga shërbimet serbe e ruse”!

Ndërkaq ai vetë është vënë në veprime të hapura për realizimin e projekteve serbe në Kosovë. Aq shumë e ka armiqësuar presidenti kryeministrin e vendit të tij me dy-tre amerikanë në Shtëpinë e Bardhë, sa këta dy – tre eksponentë nuk lenë të kalojë një ditë pa shkruar statuse anti-Albin në Twiter. Ndërsa si në simfoni, të njëjtin reagim e përsërisin Aleksandër Vuçiq në Beograd hde Hashim Thaçi në Prishtinë. Kurse Edi Rama është i zënë me koronavirusin, por nuk harroi të mbyllë kufijtë me Kosovën e painfektuar dhe t’i mbajë ata hapur me Greqinë, Maqedoninë e përmes saj me Serbinë, të tri këto vende me disa raste të koronavitusit!
Në fakt, skenaristi dhe regjisori i gjithë kësaj skeme përçarëse dhe shkatërruese për Kosovën është presidenti dhe qeveria e Beogradit. Hashimi është në rolin kryesor në këtë dramë të vendit të tij. Investimi për realizimin e kësaj drame anti-shqiptare është shumë i madh, më i madh se çdo lloj investimi tjetër në 150 vitet e fundit të Serbisë kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve. Presidenti i Kosovës me këtë bashkëpunim me Serbinë për përçarjen e Kosovës dhe faktorit politik të saj ka shkel kushtetutën e vendit të tij, sepse me kushtetutë ai është e duhet të jetë unifikues dhe autoriteti kryesor i unitetit kombëtar! Atëherë pse ai përçan? Kush ia ka vënë këtë detyrë?

Ka ardhur koha që Parlamenti i Kosovës jo vetëm ta miratojë atë rezolutë, me të cilën i kërkohet Hashim Thaçit të largohet nga bisedimet me Serbinë, por edhe të hetohet ai për shkelje të rënda kushtetuese. Ndryshe presidenti i Kosovës do ta vazhdojë ta përçajë faktorin politik të vendit të tij, duke realizuar kështu ëndrrën e përhershme serbe për t’i sunduar shqiptarët përmes kësaj përçarjeje.

Fatkeqësisht kësaj radhe përçarja është ngjit në shkallët e interesit strategjik të Kosovës me nxitjen e konfliktit me kë duhet të jetë ajo: Me Amerikën apo me Europën! Kjo strategemë u shpik nga Serbia dhe po implementohet në Kosovë përmes rolit pro-serb të Hashim Thaçit, jo të Albin Kurtit. Kush i ndjek çdo ditë qëndrimet dhe deklarimet e dy liderëve kryesorë të Kosovës, ai kupton lehtë se kryeministri është në ekuilibër, ndërkohë që presidenti i vendit është ç’ekuilibruar!