Christopher Hill ambasadori i ri amerikan në Serbi

 

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, shpalli emërimet për disa poste në qeverinë amerikane, përfshirë emërimin e diplomatit Christopher Hill, që nëse miratohet në Senat, do të jetë ambasadori i ardhshëm në Serbi.

Christopher R. Hill, është një diplomat karriere i shërbimit të jashtëm. Kohët e fundit, ai ishte profesor në Shkollën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Publike të Universitetit Columbia.

Para se të tërhiqej nga shërbimi i Jashtëm në vitin 2010, zoti Hill shërbeu si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Irak, Kore, Poloni dhe Maqedoni, si Ndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit dhe si Shef i delegacionit amerikan në bisedimet për Korenë e Veriut.

Ambasadori Hill ishte përfaqësuesi i parë diplomatik i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, pas 45 vjetësh izolimi. Në tetor të vitit 2016, ish presidenti shqiptar, Bujar Nishani, e nderoi zotin Hill me titullin “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, në 25 vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.

Në vitet e 90-ta ai ishte anëtar i ekipit negociues që hartoi marrëveshjen e Daytonit në vitin 1995, e cila i dha fund luftës në Bosnjë.

Gjatë periudhës së luftës në Kosovë, zoti Hill shërbeu si i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, deri në konferencën e Rambouilletit, e cila i hapi rrugën ndërhyrjes së NATO-s që i dha fund luftës në Kosovë.

Kirby: Emërimi i zotit Hill – dëshmi se Washingtoni do përparim në rajon
Ish ambasadori amerikan në Serbi, Michael Kirby, që ka shërbyer si ambasador amerikan në Serbi nga viti 2012 deri në vitin 2916, tha se emërimi i zotit Hill për ambasador në Beograd, dëshmon se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë vërtetë përparim në atë pjesë të botës, në të cilën Serbia ka rol thelbësor.

“Mesazhi i këtij emërimi është se presidenti Biden për shumë vjet ka dëgjuar se si serbët flasin që do të bëjnë disa gjëra, por nuk kanë bërë atë që e kanë premtuar. Kjo është mundësia që të ndodhë përmbushja e zotimeve. Administrata është serioze dhe ju bëhuni serioz. Gjërat nuk mund të zgjaten në pafundësi”, i tha zoti Kirby programit në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës.

Ai përmendi siç tha, faktin se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka bërë premtime në Shtëpinë e Bardhë dhe është koha t’i përmbushë ato, duke vënë theksin te zotimi për të ndriçuar vrasjen e vëllezërve Bytyçi, shtetas shqiptaro amerikanë të vrarë në Serbi në korrik të vitit 1999.

Zoti Kirby, shprehet i bindur se përvoja e ambasadorit Hill do të jetë me rëndësi edhe për procesin e bisedimeve Kosovë – Serbi, i cili sipas tij, nuk po ecën si duhet.

“Bisedimet nuk bëhen vetëm sa për të biseduar, por duhet të çojnë te qëllimi i caktuar, që për mendimin tim është; Serbia në BE dhe Kosova e pavarur”, tha zoti Kirby.

Në qershor të vitit 2013, ai së bashku me diplomatin austriak, Wolfgang Petrisch, u nderuan me titullin doktor “honoris causa” nga Universiteti i Prishtinës, “për rolin e tyre në sjelljen e paqes dhe lirisë për shtetin e Kosovës”.