Charta Europiane e të Drejtave të Njeriut në Shqipëri është asgjësuar prej vitesh!

Charta Europiane e të Drejtave të Njeriut në Shqipëri është asgjësuar prej vitesh!

Enver Bytyçi

Kryeministri i Shqipërisë ka vendosur dhe de jure largimin nga detyrimi themelor i vlerave evropiane, përkatësisht pezullimin e zbatimit të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Them kryeministri, sepse në Shqipëri nuk ka qeveri , nuk ka parlament, nuk ka gjykata as prokurori, nuk ka Gjykatë kushtetuese dhe është asgjësuar edhe vetë kushtetuta. Ka vetëm një byro politike duartroket diktatorin. Ka thjesht servilë të kryeministrit që shfaqen në ekrane, ka media e rrjete sociale me lëvdata për faraonin!

Në këto kushte askush nuk ka pse habitet nga vendimi i kryeministrit për të anuluar zbatimin e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Madje është mirë që ndodhi kjo, sepse kjo konventë ishte hedh poshtë në praktikë. Megjithatë habia nuk ka të bëjë me reagimin. Të bën përshtypje se i gjithë spektri politik, përfshirë dhe presidentin e vendit, janë pajtuar me këtë akt të paprecedentë në historinë e pluralizmit post komunist shqiptar.

Në fakt Edi Rama me kohë është larguar nga Konventa e Këshillit të Europës pët të Drejtat e Njeriut. Për ata që nuk kanë patur mundësi ta njohin, kjo konventë është hartuar e përpunuar nga ish-presidenti i RF të Gjermanis[, Roman Herzog, është propozuar në vitin 1999 dhe për herë të parë është proklamuar më 7 dhjetor të vitit 2000. U miratua nga 16 shefat e shteteve e të qeverive të BE-së më 15-16 tetor 1999. Ka hyrë në fuqi pas miratimit të parlamenteve të të gjitha shteteve të BE-së e më gjerë në Europë, më 1 dhjetor 2009. Është ratifikuar edhe nga parlamenti i Shqipërisë, duke u shndërruar në detyrim juridik për shtetin shqiptar për zbatim.

Thelbi i Kartës i përcaktuar në preambulë lidhet me respektimin e shtetit të së drejtës, me rendin demokratik. Praktikisht në Shqipëri nuk ka shtet të së drejtës e as rend demokratik. Në një vend ku kryeministri dhe ministrat e tij flasin e urdhërojnë vjedhjen dhe blerjen e votës, në atë vend prodhohet një qeveri e korrupsionit dhe vjedhjes. Kjo është e padiskutueshme. Në këtë rast shteti u përket militantëve. Askush tjetër nuk ndjehet i barabartë përballë një shteti të tillë. Për pasojë kryeministri i Shqipërisë asnjë ditë nuk ka menduar të zbatojë qoftë dhe formalisht nenin 1 të kapitullit të parë të kësaj konvente, i cili i kushtohet dinjitetit të njeriut.
Kapitulli i tretë i Kartës përmbledh ligjin për respektimin e barazisë, që do të thotë të mos diskriminimit. Qeveria e Shqipërisë në çdo rast, madje me ligje të posaçme ka diskriminuar shumicën dërmuese të qytetarëve të Shqipërisë.

Neni 21 i këtij kapitulli përcakton qartë: “Eshtë i ndaluar diskriminimi i njerëzve për shkak të gjinisë, rracës, ngjyrës, prejardhjes etnike e sociale, tipareve gjenetike, për shkak të gjuhës, fesë, ose botëkuptimit, për shkak të bindjeve politike ose bindjeve të tjera, por edhe për shkak të përkatësisë së minoriteteve, të pasurisë, vendlindjes, aftësive ndryshe apo moshës”!

Unë pyes kush nga këto grupe qytetarësh nuk ndjehen në këtë vend të diskriminuar?! Po! Janë vetëm disa grupe që diskriminohen pozitivisht, oligarkët, të cilët ndajnë paratë e qytetarëve me pushtetarët, trafikantët e drogës dhe qenieve njerëzore dhe servilët e militantët e pushtetit! Ne kemi parë gjatë këtyre shtatë viteve çfarë privilegjesh kishin në parlamentin shqiptar, në shoqëri, në tendera dhe shanse ata dy duzina deputetësh të mazhorancës, të cilët dolën të infektuar nga virusi i kriminalizimit!

Charta Europiane e të Drejtave të Njeriut garanton të drejta të posaçme për njerëzit në nevojë. Po a mund të thotë dikush se cili aksion politik i kryeministrit shqiptar kishte brenda tij karakterin human?! A nuk janë më të përdorura si kërcënime nga ana e tij burgu, gjoba, mbyllja, izolimi, lënia në mëshirën e fatit të çdo kujt që bën një kundërvajtje, ndërkohë që ata që bëjnë krime dalin nga burgjet me garancinë e kryebashkiakëve socialistë?!

Do të duheshin shumë faqe për një ballafaqim të realitetit shqiptar me nenet dhe kërkesat e Chartës Europiane për të Drejtat e Njeriut, por do mjaftojnë këto për të thënë se kryeministri Rama e ka asgjësuar prej vitesh atë kartë. Pandemia thjesht ia dha mundësinë që edhe formalisht ta heqë nga axhenda politike e tij.

Paradoksi është se edhe ky akt nuk zgjoi shqetësim tek qytetarët e këtij vendi, apo te institucionet e pavarura të shoqërisë sonë. Nuk foli as Avokati i Popullit, as opozita aq sa duhet, ndërsa presidenti e justifikoi si një akt kalimtar! Dal nga dalë po mësohemi me diktaturën dhe kemi filluar ta legjitimojmë atë. Kjo e dhjetëfishon rrezikun që paraqet kryeministri shqiptar për Shqipërinë!