Çfarë ka prodhuar deri tani operacioni amerikan në PD?

Nga Red Varaku
·
Pavarësisht pretendimeve, shpallja nongrata e liderit historik të PD z. Sali Berisha nga Sekretari Amerikan i Shtetit Anthony Blinken dhe ultimatumi i zyrtarit më të lartë të SHBA për Europën Juglindore z.Philip Reeker për përjashtimin e tij nga grupi parlamentar i PD, është një provë e pakundërshtueshme që e vulos në mënyrë të padiskutueshme qëndrimin amerikan në lidhje me zgjidhjen e krizës së demokracisë në Shqipëri.
Një qëndrim që synon eliminimin e elitave të korruptuara, të cilat sipas tyre kanë bllokuar procesin e demokratizimit të këtij rajoni dhe gjithashtu ka marrë dhe trajtën e një urdhri egzekutiv të Presidentit Amerikan për Ballkanin Perëndimor që për herë të parë përfshin edhe Shqipërinë, i cili cilëson çdo të korruptuar të këtij rajoni si kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA-ve dhe ka si objektiv kryesor mbrojtjen e vlerave demokratike dhe luftën kundër korrupsionit në nivelet më të larta.
Pa diskutim që në marrjen e këtij qëndrimi ka dritëhije lobimesh të errëta dhe nëse doni dashkeqëse ndaj shqiptarëve, po cili lobim në SHBA nuk i ka. Por fakti që tashmë ky është kthyer në qëndrim zyrtar të SHBA-ve dhe fakti që për të mbështetur këtë ka një Urdhër Egzekutiv të Presidentit Amerikan e bën atë të padiskutueshëm në kuptimin e qëndrimit zyrtar Amerikan dhe pasojave që ka ky vendim juridikisht dhe politikisht
Pra, nuk ka dyshim se sot kemi një qëndrim të qartë të SHBA-ve në lidhje me mënyrën se si ata janë vendosur për të zgjidhur krizën e demokracisë në Shqipëri dhe më gjerë, një qëndrim që të paktën formalisht pretendon rikthimin e vendit në shinat demokratike, përmes ndëshkimit të të korruptuarve dhe ndëshkimit të “llumit të tranzicionit” që sipas tyre e kanë marrë peng këtë vend.
Kjo është kështu dhe kush e diskuton këtë qëndrim dëshmon që që është më e pakta naiv në politikë.
Çështja është a po prodhon ky qëndrim efektet e dëshiruara apo po e përkeqëson më tej krizën e demokracisë në Shqipëri?
Nga të dhënat e deritanishme i vetmi rezultat që po shohim nga materializimi i qëndrimit Amerikan është vetëm degradimi i krizës së brendshme të PD për shkak të vendimit të z. Basha për të përjashtuar z. Berisha nga grupi parlamentar i PD.
Një krizë që po rrezikon të përçajë përfundimisht të djathtën shqiptare dhe për pasojë të asgjësojë opozitën shqiptare, duke kontribuar qartazi në instalimin e një regjimi autokrat identik me regjimet e tjera autokratike në rajon.
Me gjithë përpjekjet e ambasadores amerikane për t’iu bërë krah Lul Bashës në vendimin e tij përmes deklaratave të ndryshme, kjo krizë e brendshme në PD në vend që të zgjidhet po thellohet edhe më tej dhe ajo që po dëshmojmë është një tendencë për rritjen në PD të dy grupimeve që do ta bëjnë thuajse të pamundur ardhjen e PD në pushtet .
Një tendencë që nëse vazhdon me këtë ritëm me siguri që do të prodhojë një çarje të pakthyeshme dhe përfundimtare të PD dhe do ta kthejë atë në një parti që nuk ngjall më asnjë shpresë për ndryshim.
Kjo do të ishte fatale për PD dhe fatale për demokracinë hibride shqiptare dhe do ta rrezikonte seriozisht produktin kryesor të operacionit amerikan, duke bërë pikërisht të kundërtën e asaj që synon SHBA me aksionin e saj, asgjësimin e demokracisë.