Çfarë do të thotë çmimi negativ i naftës?

 

Ekonomia globale pësoi një tjetër goditje të paparë, pasi izolimi nga koronavirusi në gjithë botën shkaktoi rënie historike të çmimeve të naftës së papërpunuar në Shtetet e Bashkuara.

Për herë të parë në histori, çmimi ra nën zero dollarë për fuçi.

Kjo ndodhi, pasi pandemia e koronavirusit uli kërkesën globale për naftë, duke krijuar tepri të furnizimeve dhe duke i mbushur depot.

Tregtarët tani kanë vështirësi të gjejnë blerës për të blerë kontratat e naftës së papërpunuar për muajin maj ose qershor. Dhe, kjo i ka shtyrë çmimet teposhtë.

Çmimi i naftës së papërpunuar Brent në Detin Verior ra të martën për afro 12 dollarë për fuçi, për dërgesat e qershorit. Ajo u shit për vetëm 17 dollarë për fuçi, që është çmimi më i ulët në 18 vjet.

Kjo po ashtu është një rënie prej më shumë se 60 për qind nga kulmi i janarit të këtij viti.

Nafta Brent – pikë reference për Evropën – është më e lirë dhe më lehtë për t’u transportuar sesa nafta e SHBA-së, sepse Brent nxirret direkt nga Deti Verior.

Çmimi i naftës West Texas Intermediary (WTI), që është pikë reference për Shtetet e Bashkuara, ra të hënën nën zero, për herë të parë në histori. Dërgesat për muajin maj u shitën për minus 40 dollarë për fuçi.

Kjo do të thotë se prodhuesit duhet t’i paguajnë blerësit për të marrë naftën e tyre të papërpunuar, që ata nuk mund ta shesin dhe nuk kanë ku ta ruajnë.

Çmimi i WTI-së u rikuperua pak të martën, duke u shitur për rreth 1 dollarë për fuçi në tregtimin e pasdites së vonë.

Çfarë është kontrata e naftës?
Kontrata e naftës është një marrëveshje ligjore e tregtarëve për të blerë ose shitur naftë, për një çmim të caktuar, në një datë të caktuar në të ardhmen.

Ata që hyjnë në kontrata të tilla janë të detyruar që ta realizojnë marrëveshjen me çmim dhe datë të caktuar.