Çelo Hoxha: 29 nëntori simbol i komunizmit, të hiqet nga festat

Nga Erneta Shevroja

Festat e Nëntorit këtë vit risollën një debat, jo vetëm për shkak të nostalgjikëve që dalin me rrugët e Shqipërisë me simbolet e diktatorit, por dhe lavdërimin që i bëri Enver Hoxha një debat i Parlamentit.

Në një intervistë për ABC, kreu i Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, Çelo Hoxha thotë që kjo datë nuk duhet të ekzistojë si Festë.

“Data 29 nuk qëndron, duhet hequr. Partia Komuniste Shqiptare nuk ishte parti shqiptare, ajo huazoi një ideologji të huaj, u organizua nga dy jugosllavë dhe ajo që u arrit ishte në shërbim të Jugosllavisë”.

Ajo parti ka funksionuar në paligjshmëri, shprehet studiuesi Çelo Hoxha, duke e përkufizuar në vijim veprimtarin e saj si kriminale.

“Gjithë struktura e saj ishte e paligjshme, anti-kushtetuese me Kushtetutën e tyre. Kjo anë ligjore e përkufizon të gjithë veprimtarinë e saj si kriminale. Në momentin që është një veprimtari kriminale, çdo promovim i saj, çdo nostalgji për të është nostalgji për krimin”.

Shoqëria shqiptare nuk arrin të shkëputet prej saj.

“Vetë politika është në kaos moral. Nuk është e distancuar në mënyrë unike”.

Studiuesi mendon se dekomunistizimi do të ndodhte nëse elita do të distancohej prej së shkuarës komuniste.

“Dekomunistizimi bëhet në dy mënyra, e para me qëndrime morale, pa nevojën e ligjeve, kjo kërkon një shoqëri me nivel të lartë, të jetë e aftë të ndajë çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe, nëse elita do të mbante qëndrime ajo do të përçohej dhe në popull por elita ka qenë gjithmonë e përçarë, janë interesat politike në mes”.

Ka dhe mënyrë detyruese, që Hoxha thotë se duhet të ishte bërë, qoftë dhe si sfidë.

“Ana ligjore është detyruese, është imponim me dhunë por këtu duhet të kesh fuqi politike, epërsi në kuvend, mund ta marrësh nismën, e duhet të ishte marrë, të ishte depozituar në kuvend qoftë dhe nga një deputet, të shikohej si do të rreshtoheshin palët”