CDU dhe SPD humbëset më të mëdha të zgjedhjeve në Hessen

Në Hessen u mbajtën  zgjedhjet për parlamentin e landit, ku u dërguan sinjale të fuqishme në drejtim të Berlinit. Humbëset më të mëdha të zgjedhjeve janë dy partitë deri tani më të mëdha në vend – CDU dhe SPD.

Partia kristiandemokrate (CDU) e kancelars Angela Merkel ka fituar numrin më të madh të votave në landin Hessen. Por njëkohësisht kristiandemokratët janë edhe humbësit më të mëdhenj të këtyre zgjedhjeve, pasi CDU shënoi rezultatin më të dobët në këtë land, që nga viti 1966. Pas mbylljes së vendvotimeve u tha se partia CDU ka fituar vetëm 27,4% të votave (rreth 11% më pak se në zgjedhjet e kaluara).

Humbës të mëdhenj të këtyre zgjedhjeve janë socialdemokratët (SPD), të cilët kanë shënuar rezultatin më të dobët zgjedhor në këtë land, pas Luftës së Dytë Botërore. SPD sipas të gjitha gjasave ka zënë vendin e dytë në zgjedhje, por kjo parti fitoi vetëm 19,6 % të votave. Edhe kjo parti ka shënuar një rënie prej rreth 11 %.

Në këtë mënyrë, zgjedhësit në Hessen dërguan sinjal shumë të qartë në drejtim të qeverisë federale, sepse shumë zgjedhës në Gjermani nuk janë të kënaqur me qeverisjen federale dhe me grindjet në koalicionin e partive deri tani më të mëdha në Gjermani.

Fituesi më i madh i zgjedhjeve në Hessen janë ekologjistët, të cilët tani janë forca e dytë në parlamentin e landit. Ata fituan 19,5% të votave (8,4% më shumë se para katër vitesh), që do të thotë se ekologjistët do të jenë partia e tretë më e madhe në këtë land.

Populistët edhe në Hessen

Ndër fituesit e këtyre zgjedhjeve është edhe partia populiste, Alternativa për Gjermani (AfD), e cila ka fituar 13% të votave. Në këtë mënyrë, kjo parti me qëndrime armiqësore ndaj të huajve është futur tani në të gjitha 16 landet e Gjermanisë.

Në parlamentin e landit Hessen janë futur edhe liberalët (FDP) dhe e Majta. Liberalët fituan 7,8% ndërsa e Majta 6,0 % të votave.

Koalicionet mbeten të hapura

Në Hessen deri tani në pushtet kanë qenë partia CDU dhe ekologjistët. Mbetet të shihet nëse kryeministri i deritanishëm Volker Bouffier do të arrijë të vazdhojë këtë koalicion, apo do të ketë ndonjë koalicion tjetër. Në reagimet e para CDU dhe SPD i shprehën të pakënaqura. Relativisht të kënaqur ishin ekologjistët, të cilët kanë fituar shumë, duke shënuar rezultatin më të mirë historik në këtë land. Por ata kanë pritur edhe më shumë. Ndërsa më të kënaqurit ishin populistët e AFD.