Caja, “Heroi i heshtur “ i Qafë Barit!

 

 

Nga Nebil Çika

Dy ditë rresht gazeta “Dita” ka botuar dëshminë pas 28 vitesh të ish drejtorit famëkeq të burgut komunist të Qafë Barit të akuzuarit publikisht për krime kundër njerizimit Edmond Caja. Një shkrim e botim në stili, frymë dhe vijë politike e editoriale si të revistës “Në shërbim të popullit “, organ i “Sigurimit të Shtetit” policisë politike, përndryshe bandës më të madhe kriminale të diktaturës komuniste. Shkrimi dhe botimi më rikujtoi një botim periodik, në disa volume me titullin “Heronj të heshtur” që botohej nga Sigurimi i Shtetit në kohën e komunizmit dhe që u dedikohej vrasësve sadistë të Sigurimit dhe krimeve të tyre, që paraqiteshin në këndvështrimin komunist, si heroizma të mëdha të këtyre sadistëve, autor të krimeve kundër njerizimit dhe gjenocidit, për 45 vjet në Shqipërinë komuniste. Edmon Caja, zyrtarisht dhe publikisht, është njeri prej tyre. Kaq mund të them për shkrimin të cilit gazeta i kushtoi hapësirën kryesore të saj për dy ditë rresht.
Vendosa të shkruaj dy radhë për këtë palaçollëk mediatik, as i pari e sa i fundit në mediat shqiptare të kontrolluara nga komunistët, për shkakun se diku përmendej emri im por edhe për të treguar arsyet e vërteta pse Caja foli pas 28 vjetësh, që publiku i painformuar nuk besoj se i di.
Siç edhe mund ta dini në Gjermani ka nisur një proces gjyqësor ku personazhi kryesor është Edmond Caja. Ky “heroi I heshtur “ i Sigurimit të Shtetit ngriti padi në gjykate kundër ish të përndjekurës politike antikomuniste Mira Dine e cila denoncoi në bashkinë ku jeton Caja në Gjermani krimet e tij si drejtor burgu komunist në Shqipëri në momentin kur Cajës ju akordua nënshtetësia gjermane. Bashkia e shqetësuar i kërkoi Cajes shpjegime dhe siç mund të merret me mend ky nuk i pranoi krimet si në ketë shkrim. Për të kërcënuar znj. Dine dhe për të bindur autoritetet gjermane se akuzat ndaj tij nuk ishin të vërteta Caja ngriti padi në gjykatën gjermane për shpifje ndaj Mira Dines. Znj. Dine na vuri në dijeni për këtë situatë dhe na kërkoi ne si Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politike të Shqipërisë ta ndihmojmë me prova e fakte juridike për të rrezuar padinë e Cajës. Unë në cilësinë e kryetarit të Shoqatës bëra një njoftim publik ku u kërkoja të gjithë atyre që kishin prova e fakte publike për krimet e Cajës t’ia vinin në dispozicion znj. Dine dhe studios ligjore që do ta mbronte atë në Gjemani. Brenda javës, 43 ish të burgosur politike të Qafë Barit shprehën gatishmërinë për të dëshmuar kundër tij në Gjermani, ndërkohë që numri i tyre aktualisht është më shumë se 100. Gjatë kësaj kohe nga institucione e individë që kanë pasur apo kanë akses në arkivat e Sigurimit janë mbledhur prova të mjaftueshme juridike shkresore që vërtetojnë autorësinë e krimeve të Cajës. Ndërkohë ne menduam ta zgjerojmë pak më shumë trajtimin juridik në Gjermani të kësaj çështje. U konsultuam dhe kërkuam ndihmën e miqve dhe partnerëve tanë gjermanë për mundësinë e hapjes së një procesi gjyqësor me një padi për krime kundër njerëzimit në Gjermani për Cajën edhe pse krimet kishin ndodhur në Shqipëri. Përgjigja e tyre ishte pozitive. Është e mundur nëse padinë e bën një organizatë ose shtetas gjerman. Në këto kushte ne i kërkuam znj. Mira Dine si shtetase gjermane, të bënte një kundër padi për krime kundër njerëzimit ndaj Cajës. Në procesin në fjalë u përfshinë edhe institucione e individë të tjerë nga Shqipëria e Gjermania si Fondacioni “Konrad Audenauer” , ISKPK i drejtuar nga Agron Tufa si dhe ish deputeti Agron Shehaj dhe se fundi me kërkesën time edhe Autoriteti mbi Informimin e Dosjeve të Ish Sigurimit të Shtetit. U kontraktua një studio e njohur juridike në Gjermani dhe filloi procesi i mbledhjes së provave e dëshmive juridike. Kur po afronte dita e gjyqit që hapi vet, Caja i ndërgjegjshëm për krimet e kryera u tërhoq dhe gjykata shpalli fituese Dinen. Tani vjen faza tjetër ajo e padisë ndaj tij për krime kundër njerëzimit për të cilën edhe po punojmë. Pikërisht kjo e ka terrorizuar Cajën dhe të tjerë autorë të krimeve të komunizmit dhe reagimi i tij pas 28 vitesh vjen pikërisht për këtë arsye. Ne jemi përpjekur të hapim procese të ngjashme edhe në Shqipëri por ato janë bllokuar nga prokuroria e kontrolluar nga komunistët dhe ish sigurimsit të cilët bashkë me pushtetin politik, kanë qënë deri tani garancia e autorëve të krimeve të komunizmit që njerëz si Caja kanë heshtur. Sigurisht që nuk ua ka marrë mendja që ne mund të shfrytëzonim mundësitë e drejtësisë së vendeve demokratike siç është Gjermania për të vënë pak drejtësi për krimet komuniste në Shqipëri e për të krijuar një precedent edhe për krimet e tjera. Kjo i ka terrorizuar pasi, përveç Cajës, ka edhe të tjerë autorë të krimeve komuniste të strehuar në vendet e BE dhe SHBA.
Shkrimi i Cajës është një trakt komunist, një shantazh i pastër ndaj dëshmitarëve të mundshëm në procesion e tij për krime kundër njerizimit. Për fat dëshmitarët nuk kanë pritur që në të bëjmë një padi juridike ndaj tij, ata kanë folur e shkruar për krimet e tij shumë kohë më parë për 28 vjet rresht. Caja përmend si dëshmi një interviste timen me Visar Zhitin të cilin mundohet ta intimidojë e ta kërcënojë publikisht atë që ai e cilëson si dëshmitar. Mirëpo intervista ime me Visarin është bërë në qershor të vitit 2011 dhe ky heroi i heshtur nuk ka thënë asnjë fjalë, sigurisht se atëherë nuk rrezikohej juridikisht prej saj, tani po. Por për Qafe Barin në emisionin tim “Rrno për me tregue“ në Shijak TV kanë folur edhe dhjetëra të tjerë si i ndjeri Nuredin Skrapari, Hysen Haxhiu, Bedri Blloshmi, Gjergj Hani etj. Të gjithë më kanë thënë saktësisht të njëjtën gjë për Edmond Cajën dhe kimet e tij. Por siç thash më lart janë të paktën 100 dëshmitarë që janë gati për të dëshmuar kundër tij në Gjermani. Caja përmend një rast specifik siç është dëshmitari Haxhi Baçinozi i cili u vra në një atentat ditë me parë. Kur unë bëra thirrje publike për dëshmitaret i pari që u përgjigj dhe tha se do të shkonte po qe nevoja edhe me lekët e veta të dëshmonte në Gjermani ishte i ndjeri Baçinozi. Kur u vra, jo Agron Tufa, por unë hodha dyshimin e zhdukjes së tij si dëshmitar kyç në gjyqin ndaj Cajës dhe i kërkova organeve të hetimit ta konsideronin edhe këtë pistë hetimi. Nuk e di nëse e kanë bërë apo jo, por pas këtij reagimi të të akuzuarit prej tij për krime, prokurori duhet të hetojë me pa tjetër përfshirjen e Cajës apo ish sigurimit të shtetit në vrasjen e tij. Dyshimin e eliminimit si dëshmitar të Baçnozit ua kemi bërë prezent edhe partnerëve tanë gjermanë të cilët, mbështetur edhe në precedentët e tjerë të shumtë të zhdukjes së dëshmitareve për krime kundër njerizimit në Ballkan thanë se do të kërkonin hetime edhe nga shteti gjerman për këtë pistë.
Mendoj se kërcënimi verbal e publik i dëshmitareve të mundshëm me intriga e shpifje të sigurimit të shtetit si dhe përmendja midis tyre e vrasjes së Baçinozit është një paralajmërim publik për jetët dhe familjet e tyre, gjëra që ne e dimë se sigurimi dhe komunistët i kanë bërë e i bëjnë.
Një nga personat më të investuar në procesin gjyqësor të Cajës në Gjermani drejtori i ISKPK, Agron Tufa, i cili ka mundësi të gjejë prova juridike e dëshmitarë të krimeve të tij, gjë që e ka bërë e po e bën. Për këtë Tufa është vënë në krye të goditjes së makinës komuniste të baltës jo vetëm në shkrimin e Cajës. Në një reagim timin disa ditë më parë ndaj një sulmi të ndyrë të një autori tjetër të krimeve komuniste Spartak Braho, thashë që sulmi i Brahos ka lidhje me gjyqin e Cajës në Gjermani. Nuk kaloi shumë dhe vetë Caja me shkrimin e tij e vërtetoi dyshimin tim të qenësishëm. Përqendrimi i sulmit të Cajës tek Agroni dhe Visari ka edhe një synim tjetër. Si shkrimtarë ata janë dëshmitarë të spikatur, të besueshëm, jo vetëm në gjykatë por edhe në opinionin publik, gjë që i bën ata dhe seriozisht të rrezikuar.
Së fundi dua të them edhe një gjë thelbësore. Në fund të shkrimit të tij Caja shkruan se e ka bërë këtë reagim apo sqarim si detyrim për djemtë dhe gruan e tij. Sigurisht që është e rëndë të jetosh me peshën se ke një baba apo bashkëshort kriminel por besoj se Caja do të mund ti lehtësonte ata më shumë po të pranonte krimet e të kërkonte falje se sa të vazhdojë të mos i pranojë, të gënjejë, të fyejë e kërcënojë viktimat e tij.
Por unë mendoj se detyrimin apo më mirë të them hallin më të madh Caja nuk e ka me djemtë e tij por me djemtë dhe të afërmit e tjerë të viktimave të krimeve të tij, të vrarë e të torturuar në burgun e Qafë Barit, që iu thafshin duart po nuk e morën hakun, duke vënë në jetë drejtësinë. Ky është halli i madh dhe konflikti i interesit, i tij dhe i djemve të tij, me bërjen publike e zbardhjen juridike të krimeve të tij kundër njerëzimit.