Burrëri, dhe jo shpifje

Nga Faik Konica
Kombi shqiptar ka ca veti të mira dhe ca të liga. Detyra e burrave që shkruajnë është t’i lëvdojnë dhe të përpiqen t’i rrisin vetitë e larta, t’i luftojnë me forcë vetitë e poshtra. Mjerisht, pak ka që sillen ashtu: janë disa të cilët çdo të padrejtë, çdo të shpifur, çdo shtazëri e poshtërsi, e gjejnë të mirë në qoftë se shohin ndonjë fitim për vete të tyre; nga ana tjetër, fjalët më të vërteta, puna më e kulluar, sjellja më e bukur nuk gjejnë ndonjë mbrojtës në mes të tyre, në qoftë se këta shohin që mund t’u prishet interesi duke folur. Heshtin pra. Dhe këtë heshtje e thërresin paanësi, në vend që ta quajnë dobësi. Një gjë nuk mohohet dot; janë mjeshtër. Po mjeshtëria, në qoftë një cilësi e mirë, nuk është nga ato cilësi që mund të ndihin në themelimin e një kombi. Burrëria është shumë më e nevojshme.

(Albania, nr. 1, 1907).