Bujar Leskaj i pervishet Ramës : Shpejt do e kesh vendin pranë Esad Pashë Toptanit!

Deputeti i Partisë Demokratike, Bujar Leskaj, ka reaguar pas komunikimit që kryeministri Edi Rama zhvilloi “online” me demokratët.

Leskaj thotë se sado të dëshpëruar, të pashpresë të jenë nga disa humbje, demokratët e vërtetë do e gjejnë rrugën e do të ngrihen si Feniksi.

Leksaj nënvizon se Rama është përgjegjës për largimin e 500 mijë shqiptarëve dhe zhytjen e vendit në varfëri.

Ai thotë më tej, se shpejt, kryeministri Rama do të ketë fatin e afër Esad Pashë Toptanit.
Postimi i Bujar Leskajt:

Sot, u bëmë dëshmitarë të një shfaqjeje provokative nga kryeministri, nga ai që pretendon se është jo vetëm lider i shqiptarëve, por edhe lider global!
Sot u bëmë dëshmitarë të një grotesku pa shije me “leksionet” e demokracisë, nga ai që ka mbi një dekadë që nuk ka demokraci në partinë e tij, që nuk bën, qoftë edhe formalisht zgjedhje, që i ka të gjithë të emëruar e jo të zgjedhur; që ka pasur dhe ka qeverinë më të korruptuar në historinë e tranzicionit shqiptar; që ka blerë ose grabitur zgjedhjet parlamentare dhe lokale në Shqipëri, veçanërisht zgjedhjet e 25 prillit 2021, gjenerues i krizës shqiptare.
Sot jo vetëm demokratët, por të gjithë shqiptarët u provokuan nga ai që ka dëbuar mbi 500.000 shqiptarë në 9 vitet e qeverisjes së tij; nga ai që ka përdhosur shtetin e së drejtës në Shqipëri; nga ai që ka shkelur me të dyja këmbët liritë e të drejtat elementare demokratike të shqiptarëve; nga ai që e ka përparuar aq shumë vendin me qeverisjen e tij, sa 70% e rinisë shqiptare do të ikë nga sytë këmbët nga Parajsa e tij mbi tokë, nga Lideri Global që ka kokën në Stamboll e trupin në Beograd, ndërsa këmbët në fytin e Shqipërisë e Kosovës!

Sot kryetari i sektit Rama shfaqi hapur natyrën e tij të vërtetë të pështirë: cinizmin e urrejtjen patologjike për Partinë Demokratike e demokratët dhe përçarjen për të gjithë shqiptarët, duke mbjellë e helm në çdo fjalë “të mençur” që lëshoi!
Çdo njeri tjetër në vendin e tij do ta fshihte gëzimin, do ta frenonte edhe urrejtjen teksa shihte situatën në kampin kundërshtar politik.
Në demokraci opozita është pasqyra ku pozita duhet të shikojë veten e të korrigjohet.

Një kryeministër serioz nuk do të gëzohej për gjendjen e tanishme të opozitës, sepse në demokraci opozita e fortë prodhon zhvillim, ide, progres; kornizon mazhorancën në kufijtë e shtetit të së drejtës.
Demokratët nuk kanë nevojë t’u tregosh ti rrugën, as t’i fyesh teksa etiketon si “kufomë politike” partinë e 100.000 anëtarëve dhe 620.000 shqiptarëve që e votuan!

Sado të plagosur, sado të dëshpëruar, sado të pashpresë të jenë nga disa humbje e udhëheqja e tyre, demokratët e vërtetë, të gjithë demokratët shumë shpejt do ta gjejnë rrugën.
Ata do të ringrihen si Feniksi!

Demokratët e kanë të qartë se, pavarësisht situatës së vështirë, në të cilën ndodhen, kundërshtari i vërtetë je ti dhe sekti yt që keni kapur për gryke Shqipërinë e shqiptarët.

Demokratët e dinë se opozita nuk është “kufomë politike”, siç e quan ti, por është frymë dhe besimi i shoqërisë për të sjellë ndryshimin.
Ti mund të “tallesh” për ca kohë, por mbaje mend, JO PËRGJITHMONË!
Shumë shpejt shqiptarët do të të tregojnë vendin e merituar, afër Esad Pashë Toptanit!

Do apo nuk do ti:

PARTIA DEMOKRATIKE është një ide e pandërprerë për të ardhmen euroatlantike të Shqipërisë.

PARTIA DEMOKRATIKE është ëndrra e qindra- mijëra, miliona shqiptarëve në të kaluarën dhe sot.

PARTIA DEMOKRATIKE ka lindur si forcë kundër diktaturës enveriste dhe do të vazhdojë të jetë edhe sot kundër autokracisë edviniste.

Demokracia është hapësira e saj, Liria është hapi i saj, dhe Drejtësia dhe e Ardhmja është koha e saj.

Në ndjekje të Demokracisë, Lirisë, Drejtësisë dhe të Ardhmes, PARTIA DEMOKRATIKE ekziston, merr frymë, vepron, ëndërron, mendon, ecën, rrëzohet, ngrihet përsëri, vrapon, guxon dhe fiton.

Ndaj ndalo provokimet, kurseji leksionet e demokracisë dhe kthe sytë nga realiteti ulëritës, në të cilin e ke çuar Shqipërinë.

“Lider” Global, një këshillë: Është varfëria, o budalla, pabarazia e thellë, në të cilën e ke çuar shqiptarët e Shqipërinë që do të të hajë kokën!
Partia Demokratike do ta rigjejë shumë shpejt rrugën e saj!
Do të jetë më e bashkuar, më e fortë e më demokratike, për të mirën e Shqipërisë e shqiptarëve dhe për të keqen tënde dhe të sektit që ke prodhuar e drejton!