Bregoviç është simbolika e së keqes! E keqja e vërtetë janë Rama dhe Vuçiç!!

Enver Bytyçi
Baton Haxhiu duke anatemuar ata që janë kundër pjeësmarrjes në koncertin e Korçës të këngëtarit serb, Goran Bregoviç, ka shkruar: “Shqipërinë e kemi të ndarë, por plehun e kemi të përbashkët”. Ndërsa Mustafa Nano thotë se “Më afër ndjehet me Bregoviçin, sesa me shqiptarët nacionalistë”! Për Batonin “plehu” janë ata që na qenkan nacionalistë shqiptarë dhe bëhen pengesë për integrimin e Shqipërisë në Serbi. E njëjta gjë edhe për Muç Nanon: Nacionalizmi shqiptar është pengesë për integrimin e Shqipërisë në Serbi.
Më bëri përshtypje se Mero Baze në një koment të tijin për këtë çeshtje pranon se “Nga Serbia duhet të refuzojmë nacionalizmin, politiken kriminale ndaj popujve te tjerë, përfshij dhe shqiptaret, duhet te refuzojmë sindromën e Millosheviçit dhe Sheshelit, që duan të dominojnë shoqërinë me nacionalizëm”. Ky shënim i Mero Bazes i përmbys jo vetëm qëndrimet e tij sa i përkket kritikave ndaj Albin Kurtit, por edhe dy pikëpamjet e shprehura nga Baton Haxhiu dhe Mustafa Nano. Sipas Bazes, nacionalizmi serb është problemi dhe unë shpreh të njëjën pikëpamje. Pra plehu nuk është grumbulluar në territorin e patriotëve, por të anti-shqiptarëve, edhe shqipfolës. Le të japim disa argumente për këtë:
Nëse nuk do të kishim parë përpjekjet politike të kryeministrit Rama për të justifikuar dhe rehabilituar nacionalistët dhe kriminelët serbë, përfshirë Aleksandër Vuçiçin, pjesmarrja e Bregoviç në festën e birrës në Korçë nuk do të përcillej me kaq debat dhe nervozizëm. Nëse Aleksandër Vuçiç do të kishte kërkuar ndjesë për krimet serbe në Kosovë konflikti midis Kosovës dhe Serbisë do të kishte marrë fund. Në këtë rast askush nuk do të shqetësohej për ftesën ndaj një këngëtari serb, edhe pse ai ka mbështetur Milosheviçin, Karaxhiçin e Mlladiçin në masakrat që kanë bërë kundër shqiptyarëve dhe boshnjakëve! Nëse presidenti i Serbisë nuk do të dekoronte me dekoratën më të lartë një kriminel të dënuar në Hagë për dhjetra krime kundër shqiptarëve, ose nëse ai do ta kishte dënuar veprën e tij, atëherë me shumë gjasë nuk do të kishte shansin as Batoni, as Muçi të shprehnin antipatinë e tyre kundër “plehrave shqiptarë”! Ndërkaq do të më lejohet të them se Batoni vetë është shndërruar në plehërishtë, nuk është thjesht një pleh në raport me mbrojtjen e interesave serbe në Kosovë e në Shqipëri.
Nga ana tjetër, nëse Edi Rama do të mbante qëndrim kundër nacionalizmit serb të Aleksandër Vuçiç, kundër kërcënimeve dhe provokimeve që ai ia bën në stilin e Milosheviçit çdo ditë Kosovës, atëherë nuk do të kishte kaq shumë debate për një këngëtar, qoftë ky edhe Gorna Bregoviç, i njohur përveç tjerash për mohimin e përkatësisë shqiptare të Nënë Terezës! I njohur gjithashtu për koncerte anti-NATO në kulmin e masakrave të Milosheviçit në Kosovë! Nëse Edi Rama nuk do të promovonte iniciativat serbe për ta izoluar Kosovën ose për ta futur atë në kurthin e Beogradit, nuk do të kishte kaq kundërshti për një koncert apo disa këngë të cilitdo këngëtar nga Serbia.
Prandaj pajtohem me kërkesën e Mero Bazes për ta refuzuar nacionalizmin serb dhe të sindromës së Milosheviçit e të Shejshelit në Serbi. Kjo sindroma e këtyre dy kriminelëve duket se adresohet si vërejtje edhe për Albin Kurtin e të tjerë kundërshtarë të politikave të kryeministrit shqiptar për vëllazërim-bashkimin shqiptaro-serb, ende pa i dhënë fund këtij konflikti në Kosovë! Por unë do ta marr si kërkesë për të refuzuar nacionalizmin e Serbisë.
A nuk do të ishte racionale që këtë kërkesë Meroja, Batoni dhe Muçi t’ia bënin shefit të tyre, Edi Ramës?! Pse nuk merren këta me atë që ka shkaktuar problemin e konfliktin, por merren me ata që kundërshtojnë Bregoviçin?! Të tre ata e dinë se plehu i përbashkët shqiptaro-serb janë dy politikanët që determinojnë skenën politike në të dy vendet, Aleksandër Vuçiç dhe Edi Rama! Të tre ata e dinë se janë të bajgosur deri në grykë nga bashkëjetesa shumë vjeçare me plehrat në fjalë! Këta plehra kanë promovuar në të dy vendet përkatëse plehrishten e krimit të organizuar dhe korrupsionit, deri te fabrikat e sallamit me mish njeriu dhe vaskat me acid për zhdukje kufomash! Dhe këta të tre, në vend që të merren me protagonistët e plehrishtes, me kapobandën në pushtet, merren me të drejtën e çdo kujt që të kundërshtojë e të vrefuzojë diçka që e sheh të gabuar!
Ftesa për Bregoviçin nuk do ishte e gabuar ndoshta në rrethanat e tjera të zgjidhjes së konfliktit shqiptaro-serb në Kosovë me drejtësi. Ftesa për Bregoviçin është krejt e gabuar në momentin që Aleksandër Vuçiç hapur deklarohet se vendi i tij do të luftojë me të gjitha mjetet për fabrikat, minierën e Trepçës dhe minierat e tjera në veri të Kosovës! Ky është plehu helmues në rajon! Por këtë pleh nuk e shohin plehrat si Baton Haxhiu! Rivendikimi i territorit të Kosovës nga ana e presidentit të Serbisë duhet të shqetësojë çdo shqiptar, përfshirë Batonin e Muçin, por edhe Meron. Ndërsa ftesën për Bregoviçin unë e shoh si shpërfillje të shtetësisë së Kosovës dhe mbështetje të synimeve serbe ndaj territorit të saj. Ndaj deklaratat e dy të parëve dhe kritikat e Meros për Kurtin dhe “patriotët” e shtirur janë pa themel. Janë një shërbim i radhës për politikat rivendikuese të qeverisë dhe presidentit të Serbisë në Kosovë. Janë nitrat amoni e superfosfat në bimën e së keqes në Kosovë e në rajon!
Goran Bregoviç është simbolika e së këqes. Ndërkohë që e keqja e këtij vendi, e Kosovës dhe e shqiptarëve në Ballkan janë Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç! Në historinë e këtij vendi përgjegjës për këtë të keqe do të jenë të gjithë ata që mbështesin këta dy protagonistë të rrënimit të shtetësisë së Kosovës. Meroja bënte pak më shumë kujdes në trajtesën e tij. Mesa duket i ka ngelë në subkoshiencë një lloj ndjenje po e themi dhe patriotike që nga koha kur bashkëpunonte me Sali Berishën! Ndërsa Batoni dhe Muçi nuk e fshehin se janë shërbëtorë të zellshëm të së keqes që ka mbjellë e po mbjellin kreu i shtetit të Serbisë dhe kreu i ekzekutivit të Shqipërisë!