Biba

Nga  Av. Alfred Duka

Memorizuar si ngjarja me burrërore, ne te cilen kam qenë prezent së bashku me qindra te tjere.
Parathënshmërisht vlen te theksohet se më mungon respekti per elitën intelektuale, jo përsa i përket arritjeve te tyre shkencore, pasi kjo gjë është në tejkalim te mundesive te gjykimit tim, por per atë që quhet përgjegjshmëri, a ndjeshmeri ndaj fateve te popullit te saj. Them te saj pasi nuk e di se i kujt quhet tjetër një popull pervec se i elites se tij. Prej këtej përplasemi në disa paradigma, si ta zëmë: c’raporte e pergjegjesi ka elita ndaj popullit te vet? Nëse ajo gjendet per nje kohë te caktuar e korruptuar dhe e deformuar qoftë edhe prej frikës, (aq sa kuptoj te qenit elitë intelektuale do te thotë të mos kesh frikë), populli i saj a është njëkohësisht i tille? Kush quhet popull I korruptuar? Kush është përgjegjësi i kësaj situate hipotetike? Po reale? Po nëse kjo është gjendje reale? Cili e ka tagrin per ta mbiemrezuar kështu popullin e vet? Elita qe ishte ne avangarde te ketij degjenrimi? Po kush tjeter ? Nëse Elita sillej si mediokre, si nëpunësi, a e meritonte emrin e saj? Nëse elita ka qene ne raport me Lirine tërësisht e korruptuar dhe e degjeneruar, ka pas njerëz të thjeshtë të cilët ngriheshin sfidueshëm mbi ta, si mbartës të thelbit të Lirisë. Si heronj të pamposhtur, të cilëve ju detyrohemi. Shumë.
Në ngjarjen e mëposhtme kam qenë prezent dhe po përpiqem ta sjellë sic ka ndodhur.
Ka ndodhur ne kulmin e Luftes se Klasave, në një fshat te humbur te humbetires rurale, Perlat quhet, ndodhet ne juglindje te Mirditës.
Ishin bërë ca vite që në krye të asaj zone kishin sjellë nje punëtorë te madh partie, kështu i pëlqente ta konsideronin, një person me sjellje psikopatie klinike. Një manjako-depresiv, karakteropat plotesisht. E kanë sjelle për dorë të fortë, lehnin ca langoj, për ta djegur ca te tjere, për ta vënë ne shina këtë fshat te pabindur të tjerë. Kishte ndonjë tek tuk qe përbetohej se ka qenë për muaj te tërë pacient i spitalit psikiatrik te Elbasanit, por meqë u be me mirë, këtë fshat o do ta bëjë tërbiet, o si veten, o do ta nxjerrë në dritë. Rrugë tjetër ska. Boll ka ba delebezen ky katund, ky ishte konkluzioni i partise. Ishte vete kryetarë, sekretarë, drejtor, shef sigurimi, kryetar fronti, brigadier dhe harrova të them se mbahej edhe për filozof. Dore e forte me një fjalë. Ilacet i pinte thuajse hapur dhe me grushta. Mbante fjalime pa asnjë objekt me orë të tëra. Ne jemi repart ushtarak ulurinte. Si ne rrethim-vetëtërbohej fare nga kjo frazë meqenëse i pëlqente shumë. Unë e kam mbaruar zborin guxonte ndonjeri. E qeshura mbetej ishullore. Vitet e fundit ishin arrestuar mbi 10 persona për agjitacion në tre fshatra.
Këtu ka edhe shumë armiq te tjerë-ulurinte, por partia do ti zbulojë te gjithë. Te gjithë. Armiqtë, armiqtë, armiqtë. E shijonte shumë këtë fjalë. Mund ta bërtiste me qindra herë me sa ze kishte fjalën “armik”, pa asnjë lloj kuptimi, ashtu i shijonte. Për ta sjelle veten në trajtën e të plotfuqishmit, manipulonte sjelljen e tij, si zbuluesi i të gjitha veprimtarve armiqsore. Nëpër botë biseda linte të kuptohej se njëkohësisht ishte dora e fortë, por edhe e fshehur e partise… Vishej gjysmë ushtarak me qillota dhe gozhup oficerësh, i pëlqente të ecte me hap ushatrak arave andej këtej, duke tundur kokën para mbrapa a thuaj se po lozte ndonjë rol që askush nuk i binte më të. Këndellej kur arrestohej ndonjë “armik”. Delirantizohej tërësisht. Përflakej si një djall. Manifestonte lëvizje energjike, me këmbë e duar, tipike prej një të sëmuri psikik.
Ishte fundviti dhe mbi 500 e kusur njerëz ishin thirrur ne aksion per te hapur gropa në një shpat për të mbjellë kumbulla. Aty as dushk nuk rritej, megjithatë ishte urdher partie. Aty nga dreka xhadesë me cakull u shfaq një 59-sh i zi. Shenjë e padiskutueshme se dikush do të arrestohej nëse do te ndalonte aty afër. Ashtu ndodhi. Prej tij zbriten 4 persona. Eeeeej, të gjithë ne mbledhje erdhi urdhri.
Psikiku me një si zgërdhirje triumfale e zu fill si zakonisht mbledhjen.
-Se partia…lufta e klasave…shoku Enver…diktatura e proletariatit…armiqtë e klasës …shoku Enver prapë…
-Bib Lekgega çoju në këmbë, uluriu. Ishte formula e zakonshme. Biba ishte dy metra burrë, i gjatë, shendetlig, rreth te gjashtëdhjetave, por që dukej shumë më tepër, u ngrit me shumë përtesë, me një mosperfillje që lexohej prej kujtdo. Ngritja i ngjante një zhvillimi kreatyrë, a thua se po ngjitej pjesë pjese drejt qiellit. Më në fund u drejtua. Sfidant, epik, mospërfillës, por edhe shpotitës. S’po i merrte fare seriozisht. E pa drejt e në sy apeluesin. Biba kishte sy të blertë, tmerrësisht të blertë, si pendë zogu, të mëdhenj me ujë, shumë të ujshem dhe tmerrësisht mospërfillës, i mbante gjysëm mbyllur, por mjaftueshem për të parë shumë mirë. Drejtoj pak qeleshen dhe mori një si qëndrim, si të donte te thoshte se ishte gati. Te gjitha ndjesite qe gjendeshin ne botë i kishte në atë vështrim, përveç frikes, e cila per këdo në pozitën e tij, duhej të ishte sunduese në ato caste të tmerrshme. Asnjë shenjë. Nuk i pelqente të thoshte “urdhëro”, apo ndonjë fjalë të natyrës se ishte gati.
Pasi e mori pak veten nga poshtërimi mospërfillës qe i bëri Biba, duke hetuar majtas djathtas se sa ishte përceptuar në popull ajo sfidë, e filloj breshërinë e akuzave, me gjithë fare fjalësh. Stampë.Stampë që përdorej para cdo arrestimi. Ata 500 e më shumë vetë, ishin thuajse te paqenë. Një heshtje mortore pasonte pauzat e psikikut.
Pasi e morën fjalën “diskredituesit”, të cilët ishin të parapërgatitur me qëllim përpunimin jo të pasuksesshëm të një situate shumë të rëndë, erdhi çasti final:
Vendim. Bib Lekgegës i hiqet triska e Frontit. Psikiku u tërhoq prej komunikimit me “ti”, kjo tanimë nuk ishte akuzë, por nje vendim qe i komunikohej popullit. Biba vijonte për më shumë se një orë e gjysëm ti vështronte me një fregizëm gati tallës burrat e podiumit të sajuar, harrova të them se në pod ishte edhe një grua, por që i pëlqente të ishte burrë, tallje e cila i lexohej krejt ashiqare. Reagimi i tij qe nepermjet nje vështrimi që ju hodhi, a thua se ata kishin ngatërruar person. Si të donte tju thoshte se:
Me kë e keni?
Ata u tërbuan, ndërsyen ca langoj dhe ata herë lehnin, e herë kafshonin Biben. As qerpiku nuk i lëvizte. Njërit langua ju kthye: Pa edhe ti or Nikolle? Po ti je maxharë more. Kush të njef e di. Shko or Nikolle ke shpia jote, se për zotin je me të vu samarin.
Armik, armik, armik, tentoi podiumi me vu rregull.
Bib Lekgega fjalën e fundit, uluriu psikiku.
Biba si një politkan i rregjur me një karrierë të gjatë, me një vetësiguri titanike, e sfiduese e injoroi podiumin dhe ju drejtua pjesëmarrësve të atij procesioni
– eh mor burra, mjeri unë i mjeri. Kam për ta gjet Tatën tem pa kalb toka, për atë Kishë. Tata em or burra nuk e ka pas asnjë ditë atë trisken e frontit që thonë këta, ka dek pa e provue. I mjeri tata em. Sa për veti? Ska probelm per mue mor burra, unë e kam pas nja dhjetë vjet, mue me kalb toka kolllaj, po tata em mor burra, tata em. I mjeri ai.
Të pranishmit u tronditën prej talljes shumë të rëndë të Bibës, kishin ulur kokën, si të donin të thoshnin se nuk ishin, apo kishin qenë aty. Biba e ngriti ma fort zanin
– Për Tatën tem kush pergjigjet? Kush përgjigjet ju duhet ta dini. Kush përgjigjet se tata em ka hi në dhe, pa triskë fronti? A ka qenë e drejtë kjo punë? Ju duhet ta dini…
Bib Lekgega, Bib Lekgega armik i betuar i pushtet popullor, uluriu përsëri me qellim per të vendosur rregull.
-Ta dish mirë se kurrë ma nuk ke për ta marrë ma triskën e frontit. Kurrë. Kurrë. Kurrë. Ulurimën e kthente shpati përballë si uuurrrëëëë, uuurrrrëëëëë…uuurrrëëëë.
Për atë Kishë qyky Bibë, ska për tua kërkue ma me këtë dynja. Manje atje, ishalla bgjateni me ta. Va rrit dreqi nerën.
Podiumi u gjend më i fëlliqur se i mbuluar me pështymën e të gjithë të pranishmëve. Tani si në teatrot e lashta populli ishin kthyer të gjithë nga Biba. Ai u shndërrua në qendrën e gravitetit të atij takimi. Një pjesë e madhe ja kishin kthyer shpinën podiumit, ai s’paraqiste më asnjë interes. Asnjëri spo e merrte veten për të vendosur rregull. Kishin frikë se situata mund të shkonte edhe më keq. Biba ishte përveç të tjerave, i paparashikueshëm.
Duke qenë se u krijua një pauzë tej të zakonshmes, BIba triumfues dhe zotërues apsolut i situatës, perseriste si me vete me shumë shpoti, si ai boksieri qe i drejtohet kundërshtarit të rënë në tapet se a do më?. ..eh Tata em, eh Tata em or burra…
Kurre nuk kemi për ta dhënë më triskën e frontit. Kurrë. Kuuuuuuurrë.
Për atë Kishë qyky Bib nuk ua do ma. Manje atje. Atje manje…
Shpërndarja e të pranishmëve u bë gati vetevetiu. Si nuk po e arrestojnë, ishte pyetja në mendjen e thuajse të gjithëve. Biba si të mos kishte ndodhur asgjë, u nis bashkë me të tjerët teposhte atij shpati, por pas një copë rruge e lanë krejt vetem, gjindja ju largue si me marfiet, një pjesë për ti ndenjur larg armikut të popullit, pjesa tjetër, për të mos qenë prezent në castet kur do ta prangosnin.
Kaluan disa muaj dhe për çudinë e të gjitheve Biba s’po arrestohej. Mirëpo kjo situatë nuk mund të zgjatej pa fund.
Ne emën të popullit, Bib Lekgega je i arrestuar! Kur e afruan tek makina per ta trasportuar në burg, polici, gjatë marrjes së masave të sigurisë, i hoqi ushkurin e brekushave të zeza. Ato i ranë Bibës në fund të këmbëve, duke krijuar ilaritet ndër pjesëmarrësit. Bibës i dolën zbuluar kërcijtë e gjatë, që përbentë një shfaqje makabër para gjithë atij mileti, por Bibës aq i bënte ajo punë.
-Ngriji brekushat i bërtiti polici.
-Jo për zotin or mek, qy ky Bib s’e ka ndërmend me i prek ma me dorë, unë ja kam pas vu ushkurin or mek or mek, tashti mbaj ti. Ty të kanë caktue për këtë punë, shpotiti Biba…