Berisha,problemi që Basha duhet ta zgjidhë,jo duke kthyer fqen tjetër 

Nga Vehap  Kola

Me bërjen publike në Elbasan të ambicjes së tij për t’u bërë kryetar i PD, Sali Berisha i dha dje fund jo vetëm ëndrrave të disave, por edhe vetë mundësisë për karrierë brenda partisë që ai do të drejtojë. Me shpresën se e treta do të jetë e vërteta, partia e Berishës do të jetë një parti njerëzish pa ambicje, e për pasojë edhe pa lidership. Një parti dyshash. Një strukturë e rrafshët me Doktorin si drejtuesin e drejtpërdrejtë të të gjithëve.
Kjo është fiks PD-ja tradicionale pa rivalitetet e Pashkos, Imamit, Selamit dhe Pollos. Pra, partia e re do të jetë një parti shumë më jodemokratike por shumë më e kënaqur me mungesën e demokracisë brenda saj. Sepse demokracia që përjashton mundësinë për karrierë është thjesht skenike: është teatër.
Një tjetër problem që do të hasë projekti i Berishës tani që ai e shpalli hapur ambicjen, është se ai dëshiron të ndërtojë një anije që të kryejë funksionin e nëndetëses. Një anije e mbytur që pa nisur udhëtimin nuk tërheq as interesaxhinjtë e posteve të vogla.
Çdo projekt politik i ngritur me inatin ndaj amerikanëve është i destinuar të jetë nën mërinë e tyre gjatë gjithë kohës. Ata që ishin kundër ardhjes në pushtet të PD-së me Berishën si pjesë e saj, nuk mund të jenë pro ardhjes në pushtet të vetë Berishës.
Që këtej prejvjen edhe plaga e tretë e projektit politik të foltores së Doktor. Berishës: ai rrezikon të shkelë vetë në mallkimin që projekton sot ndaj Bashës dhe të bëhet arsyeja e qëndrimit të Ramës gjatë në pushtet.
Me të gjitha këto probleme që përvijojnë fatin e përpjekjeve të Berishës për të rilindur për herë të tretë nga hiri, mund të shfaqet më kthjellët qëllimi i vërtetë i foltores së tij: të pamundësojë rrugën e Bashes drejt pozitës së kryeministrit. Ky po që është një problem që Lulzim Basha duhet ta zgjidhë. Por jo duke kthyer faqen tjetër, sigurisht.