Berisha shkallmoi nacionalizmin dhe po vuan pasojat

Nga Sebastian Zonja

Noam Chomsky e dekonstrukton bukur këtë emërtesën dhe cilësorin “anti-amerikan”. E cilëson budallallëk. I tillë është.
Në Shqipëri, me qenë anti-amerikan do të thotë të shkosh me interesat ruse apo kineze që bien ndesh me NATO-n. Pra, është qëndrim gjeopolitik. Kudo është kështu. Demokracia është çështje e brendshme, nuk eksportohet.
Deri diku duhet t’ja dimë për faleminderit amerikanëve që po investohen për demokratizim, se përndryshe ata kanë baza edhe në vende të pazhvilluara dhe shohin veç interesin strategjik.
Në Shqipëri s’ka ndonjë anti-amerikanizëm të zëshëm. Ka disa nostalgjikë stalinistë, por pa zë dhe parti. Ka edhe disa nostaligjikë të marrëdhënieve me Kinën, e këta me të drejtë flasin për miliona dollarë investime kineze. Pra, miqësia me Kinën ka qenë më frytdhënëse se me Rusinë sovjetike. Por ajo me Rusinë kishte rëndësi se ishte një botë e tërë që u hap për shqiptarët që shkuan me studime e specializime, dhe ishte e mbetet kulturë mjaft e veçantë dhe e bukur.
Në Shqipëri ka kolonizim mendor dhe të korruptuar. Kjo nuk na lë të bëjmë as diplomaci, se në këtë fushë s’ka dashuri apo urrejtje, por interesa. Ndaj, rusët e kinezët s’i kemi armiq, por as miq siç kemi amerikanët. Enveri i fuste të gjithë në një thes, me miq e armiq – barazonte Austrinë me Serbinë, për shembull. Mungesa e këtyre nuancave na dëmton sot të mendojmë si komb.
Sot kuptojmë se enverizmi është sistem binar – o me mua, o kundër meje! S. Berisha është enverist. Ai nuk është as pro, as anti-amerikan. Ai është po aq i korruptuar sa Rama dhe e ka vendin në burg për korrupsion, jo se thotë amerikanët e kanë gabim. Amerikanët kanë bërë plot gabime. Vetë i ndjeri Colin Powell, një figurë emancipuese në politikën amerikane dhe shumë e dashur për shqiptarët, e ka pranuar si gabim ndërhyrjen ushtarake në Irak, në vitin 2003.
S. Berisha e ka stimuluar këtë kolonizim mendor me amerikanë, si dikur me sovjetikët, se ka qenë sekretar Partie i Enverit, e dobësoi nacionalizmin në atë farë feje sa e katandisi te shqiponja e Kreshnik Spahiut, dhe sot çirret pse s’e kuptojnë se pa nacionalizëm s’ka kohezion shoqëror.
Berisha, me shkallmimin që i bëri nacionalizmit dhe së djathtës, i hapi rrugën Ramës që sot të mbretërojë i qetë me oligarkinë e patronazhistë.
S. Berisha shkallmoi nacionalizmin dhe duhet të vuajë pasojat. Ai nuk është as anti, as pro amerikan, se një hajdut s’është as anti as pro ndonjë gjëje veç interesit të xhepit të vet e pushtetit personal e familjar. Fiks si Rama, apo jo?