Berisha: Kuvendi Kombëtar do të mblidhet më 11 Dhjetor

 

Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar në një konferencë se mbledhja e Kryesisë së PD është “fake” pasi është emëruar nga Lulzim Basha, ose siç e quan Berisha “peng-kryetari”.

Deklaratat e Berishës u kryen pas propozimit të Bashës që mbledhja e Kuvendit Kombëtar të thirret me 18 Dhjetor dhe jo më 11 Dhjetor siç ka paralajmëruar lideri historik i PD.

Berisha garantoi firmëtarët “se nuk do të ketë asnjë forcë dhe asgjë që mund të nëpërkëmbë firmat e tyre dhe se Kuvendi i PD do të mblidhet datën e shpallur prej tyre”.

“5 ditë pas dorëzimit të 4200 firmave, peng kryetari i PD mbledh kryesinë falso, apo fake të kësaj –partie, e cila në masën 60 përqind të saj, është zgjedhur në dhunim flagrant të statutit të partisë, pra jo me votën e fshehtë të këshillit tonë kombëtar, por emëruar nga peng kryetari i partisë siç donte ai dhe njofton datën që jep pengu i tij Edi Rama për Kuvend të PD 18 Dhjetor. Me këtë rast, unë dua të garantoj të gjithë firmëtarët e këtij misioni historik firmat e të cilëve do të gdhenden në muralin e pluralizmit politik shqiptar, por dhe të PD se nuk do ketë kurrë asnjë forcë, dhe asgjë që mund të nëpërkëmbë firmat e tyre dhe se kuvendi i PD do të mblidhet datën e shpallur prej tyre dhe se ai Kuvend do të mblidhet jo sipas rendit të ditës të peng kryetari por sipas rendit të ditës që ata kanë firmosur në formularin e tyre”, tha Berisha.