Berisha kërcënon Bashën :Po të hyj me ushtarë e nxjerr me këpucë të kuqe 

 

Ish-kryeministri Sali Berisha i ka kthyer përgjigje akuzave të Lulzim Bashës, që firmat për Kuvendin e PD-së u mblodhën përmes ndikimit dhe presionit të disa personazheve të njohur të botës së krimit.

Në një reagim në rrjetet sociale Berisha thotë se tani po merret më fuqishëm se kurrë në jetën e tij me botën e krimit, dhe paralajmëron Bashën që të mos të provokojë më tej.

Ish-Kryeministri shprehet se tani është përqendruar për t’u marrë me “organizatën kriminale që ka goditur pluralizmin politik”. Dhe kjo sipas Berishës përbëhet nga Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha.

Lideri historik i demokratëve tha se Kuvendi Kombëtar i thirrur nga Basha më 18 Dhjetor është ideuar nga Rama. Berisha shprehet i bindur se Kuvendi do të zhvillohet më 11 Dhjetor dhe nuk është i përjashtuar as Basha.

Postimi i plotë i Berishës:

Duke ndjekur Opinion! Miq, lidhur me akuzat e Kreut të Meduzës dhe peng Bashës për heshtjen time ndaj krimit madje lidhje të pretenduara prej tyre, shtoj sa vijon:

Unë tani po merrem më fuqishëm se kurrë në jetën time politike me botën e krimit. Me kreun e Meduzës dhe pengun e tij, Lulzim Basha, krimi ka hierarkinë e tij. Askush nuk është marrë më shumë se unë me kreun e meduzës dhe ushtarët e tij. Por tani përqendrimi im është total në organizatën me kriminale në Shqipëri, Ballkan dhe Europë që ka goditur pluralizmin politik dhe ky klan është klani Rama dhe “peng-Basha”. Ky i fundit gabon, se po të hyj pastaj me ushtarë e nxjerr me këpucë të kuqe.

Tani po merrem me balozët e krimit monstruoz politik. A ka krim më të shëmtuar sesa të zëvendësosh pluralizmin politik me pseudo pluralizmin apo fasad pluralizmin. Uragani “foltore” shkatërroi projektin e tyre të shëmtuar. Shfrytëzoj rastin të përshëndes kryetarët e degëve, 20 prej të cilëve bojkotuan mbledhjen e “peng-kryetarit” 30 prej tyre hodhën poshtë me heshtje kërkesat e pengkryetarit për antimitingun e datës 18 Dhjetor ngjarja më e turpshme në 30 vite pluralizëm. Unë i përgëzoj ata. Janë dhe do jenë të respektuar.

Natyrisht pati një grup të vogël i cili mbajti qëndrim pro Bashës, por kjo nuk i pengon ata të jenë të pranishëm në Kuvendin e datës 11 Dhjetor. Nuk besoj t’i lejojnë vetes turpin historik, të bashkohen me antimitingun e shoqatës Basha-Bardhi të ideuar nga Kreu i Meduzës. Me datë 11 Dhjetor PD ngrihet më e fuqishme se kurrë. Nuk janë të përjashtuar as Basha dhe as Bardhi. Ata do të krijojnë Shoqatën Basha – Bardhi për t’i bërë fresk kreut të Meduzës! Sb