Berisha – Basha, kush është më i fuqishëm?

Nga Sebastian Zonja

Në skenën politike shqiptare sot ka katër politikanë të fuqishëm:
1. Edi Rama, kryeministër dhe kryetar PS-je
2. Lulzim Basha, kryetar PD-je dhe kryetar opozite
3. Ilir Meta, president i Republikës dhe ish-kryetar i LSI-së
4. Sali Berisha, ish-kryeministër, sot kandidat për kryetar i PD-së
Sali Berisha ka qenë për një kohë të gjatë politikani më i fuqishëm në skenën politike shqiptare. Në fillimet e pluralizmit dhe gjatë dy mandateve të tij, 2005-2013, ai ishte personi lëvizte fijet e skenës politike, ku Rama dhe Meta duhej të takoheshin me të për të dakordësuar ligjet dhe nismat politike. Sot që flasim, ai ka vetëm një burim fuqie – Dobësinë e Bashës. Si një nga politikanët më të mprehtë të pluralizmit ai di ta shfrytëzojë mirë këtë situatë.
Pra, që në krye të herës kuptojmë se synimi është kryesimi i PD-së, jo demokratizimi i saj. Demokratizimi dhe demonizimi i kryetarit të PD-së janë instrumente të mira për të arritur qëllimin. Berisha është asi politikani klasik që i ndan njerëzit në instrumente dhe armiq. Si rrjedhim, logjika politike e Berishës ngjan se është që të shkojë nga numri katër dhe politikani më i dobët në skenë, me një lëvizje, me “Foltoren”, në politikanin e dytë dhe bashkërendues i skenës politike shqiptare.
Gjasat që kjo të ndodh shpejt janë të vogla.
Arsyet janë të thjeshta:
1. Kryedemokrati Basha deri më tani ka qenë në pritje. Lëvizja e Berishës është duke shkuar kah fundi i saj, dhe sigurisht që ai do të ketë të tjera, por koha i ndih më shumë Bashës se Berishës.
2. Dobësia e Bashës, ndoshta e projektuar prej tij edhe në mënyrë makiavelike si te Fusheja i Cvajgut, ka bërë që të dallojë qartë se me kë mund të bashkëpunojë, e me cilin jo.
3. Ka qenë Genc Ruli që ja dha paralajmërimin e parë Berishës të dilte nga politika duke i thënë – “do të kesh ladi për dy jetë”. Dhe Genc Ruli është nga ata politikanë që e njeh mirë skenën politike shqiptare. Berisha eci me moton “I want it all”, por ja që të detyrojnë edhe me zor “të zbresësh nga kali”.
4. S. Berisha ka një barrë të madhe mbi supe e cila ja vështirëson këtë betejë – “non-grata” nga Amerika. Vlen të theksojmë se rendi amerikan në Ballkan ka ndryshuar – nga stabilokraci është bërë anti-korrupsion. Akuzat ndaj ish-kryeministrit janë të forta, dhe ky ndryshim doktrine në politikën e jashtme amerikane do të reflektohet edhe në një vend satelit të saj.
Për t’i qëndruar larg emocioneve të ngjarjeve sot, le të kthehemi pas në kohë kur Hrushovi zëvendësoi Stalinin. Destalinizimi që ai ndërmori u ndje në krejt Lindjen, por në Shqipëri ne preferuam që për hir të ndejtjes në pushtet të Enferrit, të shkonim ne Kinën motër.
Sot nuk ka ndonjë opsion për të dal nga NATO apo aleanca me Amerikën, ndaj, herët a vonë, kjo qasje e re e politikës së jashtme amerikane do të reflektohet edhe në Shqipëri.
Doktrinën e politikës së jashtme zor se e ndryshojnë edhe lobistët që shkojnë vijnë nëpër Shqipëri. Lobistët, sa më shumë t’i paguash, aq më mirë të mbajnë me gajret.
5. L. Basha mund të largohet nga kryesimi i PD-së, por treguesit e fuqisë na dëftojnë se Berisha, tani për tani, nuk e heq dot. Ndoshta mund ta bëjë dikush tjetër, por Berisha nuk e ka këtë fuqi. Basha ka tre burime fuqie:
1. Vulën e PD-së.
2. Është personi që ulet në tryezën e marrëveshjeve.
3. Ndihmën e aleatit strategjik, SHBA.
Këto mund të mos e bëjnë kryeministër, por vrullin e S. Berishës mund ta përballojë me sukses nëse tregohet i zgjuar dhe i matur.
6. S. Berisha është viktimë e mentalitetit që ai vetë e fuqizoi. Të kolonizuar si mentalitet, duke qenë gjithnjë nën sundimin e të tjerëve, dhe pasi kishim kaluar një dikaturë të ashpër nën Enferrin, ai zgjodhi të vijonte me kultin e liderit. Mentaliteti i kolonizuar bëhet gjithnjë me më të fortin, edhe nëse e zëmë se Berisha ka të drejtë. Ndaj, Berisha s’ka asnjë moral të kërkojë llogari pse s’e kuptojnë, sepse është vijues i enverizmit në politikë. Ai ngjall emocione për sa kohë vardiset me “Foltoren” nga qyteti në qytet, por kur të vijë puna që do t’i shkasë këmba, asnjë s’do t’i afrohët më. Vetë ka insistuar të fuqizojë kultin e liderit dhe të ndërtojë modelin ku duhet të bëhemi me më të fuqishmin, jo me atë që ka të drejtë!
E gjithë analiza është ngritur mbi një teori të njohur politike – “politika e fuqisë”, që në gjermanisht e kanë emërtuar Machtpolitik. Kulisat e politikës shqiptare dhe teori të ndryshme konspiracioni janë të mundshme logjike, por zgjedh t’i përmbahem më shumë teorive të mëdha politike. Ne nuk qëndrojmë si popull jashtë teorive sociologjike dhe politike, sikundër duam ta paraqesim veten shpeshherë, por thjesht i biem shkurt, për të “mos e vrarë mendjen”, me shpjegime konspiracioni.