Bashkia Kamëz pjesë e organizimit të “Javës Evropiane për Demokracinë Vendore”

 

Ndër veprimtaritë ndërkombëtare të Bashkisë Kamëz është edhe organizimi i “Javës Evropiane për Demokracinë Vendore”. “Java Evropiane për Demokracinë Vendore”, e kthyer në një traditë tashmë, është një veprimtari që zhvillohet në kuadër të programit të Këshillit të Evropës, çdo vit, në të njëjtën periudhë, gjatë datave 10-16 tetor. Kjo është një fushatë mbarevropiane që përfshin bashki dhe autoritete vendore në 47 vende anëtare të Këshillit të Evropës, mes tyre, edhe Shqipëria. Qëllimi i nismës së kësaj veprimtarie është rritja e profilit të njësive të qeverisjes vendore dhe rritja e transparencës, e në veçanti përfshirja e qytetarëve në proceset e demokracisë me pjesëmarrje që në një moshë të re, duke i familjarizuar ata me mekanizmat e vendimmarrjes vendore.
Në veprimtaritë që do të organizoje Bashkia Kamëz me rastin e Javës Evropiane për Demokracinë Vendore”, do të marrin pjesë personalitete të larta, diplomatë të huaj dhe vendas, si dhe shumë të ftuar, me kontribut jo vetëm në qeverisjen vendore, po ashtu edhe përfaqësues të të gjitha shtresave të komunitetit të qytetit të Kamzës. Kjo veprimtari organizohet në çdo vit, në kujtesë të nënshkrimit të “Kartës Evropiane për Autonomi Vendore” më datë 15 tetor 1985, si dhe me rekomandim të Kongresit të Autoriteteve Vendore bazuar në Rezolutën 238 (2007) – Propozim për Javën e Demokracisë Vendore. “Java Evropiane e Demokracisë Vendore” është një mënyrë për t’i ofruar publikut, një herë në vit, mundësinë për të diskutuar shqetësimet e tyre dhe punët e komunitetit me përfaqësuesit e tyre të zgjedhur për një perceptim më të mirë se si funksionon demokracia vendore.