Basha thërret Kuvendin Kombëtar më 18 Dhjetor : Hallet e Berishës nuk janë të PD

 

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka propozuar në mbledhjen e kryesisë që Kuvendi Kombëtar të mblidhet më 18 Dhjetor. Burime për Klan News bëjnë me dije se kreu i demokratëve ka thënë se nuk ka për të pasur Kuvend më 11 Dhjetor siç ka paralajmëruar Sali Berisha.

Kreu i demokratëve u shpreh se ka njerëz të interesuar që pritet të shpallen “non grata” që duan që të vazhdojë kjo përplasje në Partinë Demokratike për të mbrojtur veten e tyre.

Lulzim Basha: Për disa vendime të miat, në pamje të parë, mund të duket se i turbullojnë demokratët, mund edhe t’ia arrini për një kohë të shkurtër, por demokratët kanë mençurinë për të dalluar të keqen nga e mira, për të dalluar ata që bëjnë sikur luftojnë, dhe ata që vërtetë janë në betejë me regjimin e Edi Ramës. Çfarë pune ka me PD, por nëse doni edhe me Sali Berishën: Qifja, Suel cela, Rrahman Rraja, Tom Doshi? Shumë njerëz jo vetëm demokratët pyesin: Ç’ne këta me Kuvendin e Partisë Demokratike? Pse kaq të investuar këta për një akt të tillë?

Shpjegimi është i thjeshtë: Disa duan të jenë faktorë në PD dhe të vijojnë aferat e tyre korruptive e kriminale me PD-në siç kanë bërë e bëjnë me PS e Ramës. Disa të tjerë, që presin të shpallen “non grata”, u intereson kjo përplasje për të mbrojtur veten e tyre. Të gjithë këta që përmenda në një formë a tjetër janë njerëzit e Ramës, i shërbejnë vetëm Ramës, nuk vrasin mendjen as shqetësohen që demokratët janë pa bukë, janë nën presionin e pushtetit, janë papunë.

U ka shkelur syrin Rama të futen në betejë nën flamurin e Berishës per te percare PD dhe zgjatur jeten politike të Edi Ramës. Kemi sakrifikuar shumë për të mos e bërë pis PD. Për ta mbajtur Partinë Demokratike të pastër nga krimi. S’ka për të ndodhur as tani, as sot dhe as nesër. Nuk do të ketë Kuvend Kombëtar të PD më 11 Dhjetor. 11 Dhjetorin nuk mund ta shndërrojë dot Sali Berisha, nga dita e lirisë, dita e demokratëve, dita e demokracisë, në ditën e bunkerizimit të PD, në ditën e izolimit të PD.

Ai dëshiron ta bëjë, sepse vetëm ashtu mendon se i shërben hallit të tij. Por detyra jonë është t’i shërbejmë hallit të demokratëve dhe jo hallit të Sali Berishës. Partia Demokratike e Shqipërisë do të përqendrohet tek ajo që kemi marrë përsipër: T’i prijmë demokratët drejt qeverisjes së vendit, të mundim të vetmin kundërshtar që kemi Edi Ramën dhe të krijojmë një të ardhme për shqiptarët.

Për këtë arsye, për t’i shërbyer demokratëve dhe jo hallit të Sali Berishës, i propozoj Kryesisë së Partisë Demokratike:

Thirrjen e Kuvendit Kombëtar më 18 Dhjetor.

Basha: Nuk ka për të patur struktura paralele, hallet e Berishës nuk janë të PD

Lulzim Basha ka mbledhur këtë të hënë Kryesinë e Partisë Demokratike. Burime për Klan News kanë raportuar se Basha ka propozuar që PD të mbajë më 18 Dhjetor një Kuvend Kombëtar.

Kryetari i PD-së u shpreh se nuk ka për të pasur struktura paralale në selinë blu dhe se hallet e Berishës nuk janë të Partisë Demokratike.

“E nisin betejën me gjoja unë paskam shkelur statutin dhe askush nuk mund të thotë cilën pikë të statutit kam shkelur, sepse nuk ka, dhe vazhdon duke dhunuar statutin dhe çdo institucion të PD dhe mbi të gjitha duke fyer dhe poshtëruar anëtarësinë, madje edhe ata që besuan tek lëvizja e tij. PD nuk mund të funksionojë me struktura paralele. Vetëm Vuçiç në Kosovë kërkon struktura paralele dhe Dodiku në Bosnje.

Zoti Berisha duhet të përballej vetë me Departamentin Amerikan të Shtetit. Ashtu siç premtoi fillimisht në mënyrë të përsëritur. Pa e përfshirë PD dhe Grupin Parlamentar të PD.

Çfarë po kërkon Sali Berisha sot:

-PD të dalë kundër SHBA

-PD të kthehet në mburojë të interesave personale të Sali Berishës

-Izolimin e PD nga SHBA sepse nuk ka asnjë dyshim se partnerët nuk do të bashkpunojnë me një organizëm që ka aktiv brenda vetes një individ të shpallur “non grata” për korrupsion nga SHBA, pavarësisht se çfarë pretendon zoti Berisha.

Partia Demokratike nuk mund të mbajë më mbi shpinë hallet e zotit Berisha. Hallet e tij janë të tij, jo të PD”, ka thënë Basha.

Zbulohet rendi i ditës i Kuvendit të propozuar nga Basha: Interesat personale të anëtarëve të mos dëmtojnë PD-në

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i propozoi Kryesisë së PD thirrjen e Kuvendit Kombëtar në 18 Dhjetor sipas një rendi dite me 3 pika.

Burime për Klan News bëjnë me dije se Basha theksoi se nuk ka një Kuvend të PD në 11 Dhjetor, por një thirrje për t’i kundërvënë SHBA-ve një pjesë të vogël të PD për interesa personale, që do të sillnin izolimin e selisë blu nga SHBA.

Kryetari i PD i propozoi Kryesisë një rend dite për Kuvendin Kombëtar të 18 Dhjetorit, të thirrur prej tij.

Rendi i ditës i propozuar nga kryetari i PD, Lulzim Basha:

I. Vendimmarrje mbi situatën politike, si dhe marrjen e masave për të mbrojtur interesin e Partisë Demokratike, duke mos lejuar që problemet apo interesat personale të secilit anëtar të dëmtojnë interesat elektorale dhe politike të PD, dhe axhendën e saj politike në përballjen me regjimin e Edi Ramës.

II. Miratimin e Aksionit Politik për të ardhmen e Partisë Demokratike dhe shpalljen e Platformës Qytetare për Demokraci, për rikthimin e legjitimitetit dhe demokracisë në vend, si dhe ndërtimin e mekanizimit të bashkëpunimit me të gjitha forcat e shoqërisë në përballjen me regjimin e Edi Ramës, i cili në aleancë me krimin e organizuar dhe korrupsionin ka shkatërruar çdo mjet të funksionimit demokratik të shtetit shqiptar dhe po nxit braktisjen masive të vendit nga qytetarët dhe kryesisht të rinjtë.

III. Miratimin e programit organizativ të Partisë Demokratike për të përgatitur strukturën e partisë për zgjedhjet e ardhshme, sipas objektivit “Partia Demokratike, partia e demokratëve dhe çdo shqiptari të ndershëm – Forca e vetme politike që do të sjellë ndryshimin në Shqipëri”.

Mes disa pikave të draft vendimit për çështjen e organizimit dhe thirrjen e Kuvendit Kombëtar më 18 Dhjetor ka edhe një pikë tjetër me rëndësi, që synon disiplinimin e strukturave.

“Çdo veprim apo akt tjetër, në çdo formë apo mënyrë, që bie ndesh me këtë vendim të Kryesisë së Partisë, do të përbënte dëmtim të interesave elektorale dhe politike të Partisë Demokratike”, thuhet në pikën 3 të vendimit të propozuar nga kryetari i PD