Basha :Strukturat Doshit dhe Rakipit të pranishme në sulmin e Berishës ndaj PD

I

Ndërsa njerëzit mblidheshin në oborrin e Selisë Blu më 8 janar, kryedmokrati Lulzim Basha kishte thirrur Kolegjin e Kryetarëve dhe po vijohej puna pavarësisht situatës jashtë godinës. Më pas situata u përshkallëzua dhe në momentin kur policia hodhi gazin lotsjellës zyrtarët e PD-së mbetën thuajse të bllokuar në godinë.

 

INTERVISTA E PLOTË

Pyetje: Zoti Basha, mëngjesin e djeshëm në orën 03:30, ka përfunduar mbledhja e Kryesisë dhe keni marrë ndoshta një nga vendimet më të rëndësishme për këtë forcë politike, keni përjashtuar liderin historik të kësaj force politike, jo vetëm nga strukturat drejtuese të Partisë Demokratike, por i keni hequr edhe atë kartën e thjeshtë të anëtarit. Si ishte për ju ky vendim nga ana njerëzore dhe nga ana politike? Kujtojmë se Sali Berisha është njeriu që iu solli ju në 2005-ën në Partinë Demokratike.

Lulzim Basha: “Ty, mua dhe këdo tjetër në këtë botë na sjell zoti, na rrit familja jonë. Në politikë futemi me vullnetin tonë dhe një nga përpjekjet kryesore të jetës time politike është t’i çliroj shqiptarët nga mentaliteti që të solli ky dhe të hoqi ai. Sali Berisha është përjashtuar me unanimitet nga Kryesia e Partisë Demokratike ditën pasi vendosi të sillej jo si politikan, por si kreu i një organizate kriminale antikombëtare, antiamerikane dhe provoi tentativën e vrasjes të një grupi drejtuesish dhe anëtarësh të Partisë Demokratike në selinë e Partisë Demokratike pasi kishte nisur një fushatë të nxitjes së dhunës, të gjuhës së urrejtjes, të përçarjes së demokratëve për të shkatërruar Partinë Demokratike siç e paralajmëroi vetë që nëse Partia Demokratike nuk do të kthehej në bunker për hallin e tij personal, ai do ta shkatërronte, nuk e meritonte të ekzistonte.”

Pyetje: Zoti Basha keni lënë një dritë le të themi portokalli për 19 funksionarët të Partisë Demokratike. Pse një pjesë e atij që quhet Komisioni i Rithemelimit janë parë me sy të mirë nga ju apo iu është dhënë drita jeshile ndërkohë për 9 funksionarë të tjerë përfshirë edhe Sali Berishën u mor vendimi që të përjashtohen përjetësisht nga Partia Demokratike?

Lulzim Basha: “Nuk ka dritë jeshile për asnjërin. Të gjithë janë përjashtuar nga Partia Demokratike. Të pezulluarit kanë një mundësi të distancohen nga dhuna dhe distancimi i tyre nga dhuna do të vlerësohet nga institucionet e partisë. Mosdistancimi i tyre deri në këtë moment flet qartë për fajin e tyre.”

Pyetje: Zoti Basha, flasim për atë çfarë ndodhi më 8 janar. Masat ishin marrë në Partinë Demokratike. Ndoshta media nuk ka pasur akses për të hyrë brenda selisë blu, por të paktën nga ajo që ndodhi në 8 janar u pa që masat ishin marrë në selinë e Partisë Demokratike. Ju atë ditë thirrët disa funksionarë të Partisë Demokratike, thirrët Kolegjin e Kryetarëve duke ditur që nga ana tjetër dhe ju thatë që keni pasur informacione që do të ushtrohej dhunë, a do të ishte mirë që të mos rrezikohej jeta e funksionarëve të Partisë Demokratike dhe le të themi ju për shkak të mbrojtjes që keni edhe nga strukturat e shtetit dhe disa funksionarë të Partisë Demokratike të ishit të vetmit që duhej të ishit atë ditë në seli?

Lulzim Basha: “Ju nuk keni veshur një xhaketë të bardhë dhe këmishë të zezë. Ju keni veshur një këmishë të bardhë dhe një xhaketë të zezë dhe e vërteta është ndryshe nga ajo që parashtruat ju. Ne ishim në një sesion mbledhjesh normale, në detyrën tonë si opozitarë, si drejtues të Partisë Demokratike dhe asgjë nuk ka penguar, nuk na pengon dhe nuk do të na pengojë të bëjmë detyrën tonë. Nuk ishim ne në vendin e gabuar në orën e gabuar me mjetet e gabuara, por Sali Berisha dhe organizata e tij kriminale.”

Pyetje: Zoti Basha ju përjashtuat Sali Berishën dhe me gjasë të gjithë atë që konsiderohet Komisioni I Rithemelimit, nëse ata do të vendosin sërish të vijnë në Partinë Demokratike do të jetë e njëjta gjë? Do të lejohen ata që të të vijnë, të mbajnë deklarata, të hyjnë në selinë e Partisë Demokratike?

Lulzim Basha: “Çdo akt dhune, çdo akt në kundërshtim me ligjin do të trajtohet siç trajtohet çdo vepër penale nga çdo keqbërës.”

Pyetje: Meqenëse flasim për shkeljen e ligjit dhe nevojën e institucioneve sepse shpesh herë në Shqipëri madje edhe opozita e ka konsideruar policinë si përkrahëse të qeverisë, a nuk do të ishte mirë që policia të kishte ndërhyrë atë ditë, a do të duhet ju të kërkonit më shpejt ndërhyrjen e policisë që të mos lejonit vandalizimin e Partisë Demokratike dhe pse jo rrezikimin e jetës së njerëzve?

Lulzim Basha: “Skenari ka qenë i mirëpërgatitur midis Sali Berishës dhe njerëzve të tij dhe midis Edi Ramës dhe njerëzve të tij. Sali Berisha po e bën të gjithë këtë për të shkatërruar Partinë Demokratike dhe në shërbim të kësaj ka kriminelët e Edi Ramës, ka të njëjtat struktura që Edi Rama ka përdorur me 25 prill, ju si media iu janë vënë në dispozicion dhe keni raportuar se janë të njëjtat struktura, strukturat e Tom Doshit kanë qenë të pranishme edhe atë ditë këtu, strukturat e Aqif Rakipit kanë qenë të pranishme edhe atë ditë këtu, po kështu edhe satrukturat e të tjerëve që priten të shpallen non grata apo pritet të kenë të njëjtin kurs konflikti sa i përket përpjekjes kundër korrupsionit në Shqipëri dhe natyrisht kreu i korrupsionit është kreu i qeverisë. Kështu që, këta të gjithë i bashkon një hall i madh, i bashkon beteja kundër korrupsionit që është shpalosur tashmë nga aleati ynë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Shqipëri për momentin ka vetëm një forcë, ka vetëm një faktorë, i cili është le të themi pengesë për ta dhe shpresë për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe një pikë mbështetje të strategjive të aleatëve tanë për të luftuar korrupsionin si armikun kryesorë të mirëqenies së shqiptarëve. Ndaj, ata janë të bashkuar në hallin e tyre dhe në përpjekjen e tyre për të ndalur luftën kundër korrupsionit, ne jemi më të bashkuar dhe më të vendosur se kurrë në luftën kundër korrupsionit si armiku numër një i mirëqenies së shqiptarëve. Të tjerat pastaj janë detaje taktike se si Trekëndëshi i Bermudës në të gjitha instrumentet që ka dhe Edi Rama ka padiskutim edhe instrumentet e tij në Policinë e Shtetit dhe në Drejtësi, përpiqen të ndalojnë të paevitueshmen, por nuk do ta ndalin dot. Korrupsioni do të bjerrë, do të shembet, do të marrë me vete aktorët kryesorë të korrupsionit dhe të tranzicionit 30-vjeçarë të Shqipërisë, ndërsa Partia Demokratike do të triumfojë me vizionin e saj dhe do të udhëheq Shqipërinë dhe shqiptarët drejt normalitetit, larg kulturës së dhunës, së linçimit. Larg kulturës së skllavërimit të mendjes dhe të shpirtit dhe rikthimit të dinjitetit për çdo njeri, për çdo qytetarë dhe të mundësive për të jetuar normalisht në një vend normal që i ka të gjitha mundësitë dhe pasuritë, t’i ofrojnë një jetesë normale çdo familje shqiptare nga Konispoli në Vermosh.”

Pyetje: Zoti Basha, pse arriti Partia Demokratike në këtë pozitë që t’i krijojë një pozicion kaq komod kryeministrit Rama? Nga njëra anë ju e konsideroni Sali Berishën si “tub oksigjeni” për qeverisjen e Edi Ramës, nga ana tjetër Sali Berisha ju akuzon ju se me Policinë e Edi Ramës po mbroni selinë e Partisë Demokratike. Ju në fakt keni ndonjë komunikim drejtpërdrejtë me kryeministrin?

Lulzim Basha: “Komunikimi im i vetëm është me qytetarët, është me demokratët. Komunikimi i trekëndëshit të Bermudës është i pandërprerë. Gjërat janë të ndara, duhet të kesh sytë e mbyllur, veshët e mbyllura dhe as dy pare mend në kokë, mos ta kuptosh.”

Pyetje: Të hënën do të nis sesioni i ri parlamentar, ju do të riktheheni në parlament, por pas vendimeve që Kryesia mori, do të jetë një grup parlamentar ndoshta me numrin më të ulët të anëtarëtve të tij në Partinë Demokratike, të paktën nga kalkulimet që kemi bërë, nga Zgjedhjet e fundit, heqim rreth 15 anëtarë të grupit parlamentar që i janë bashkuar zotit Berisha, 7 të tjerë janë aleatë, Partia Demokratike do të ketë në parlament ose nën drejtimin tuaj, të paktën 37 deputetë, numri më i ulët që Partia Demokratike ka pasur. Si mund t’i bëj një grup kaq i vogël deputetësh, presion Edi Ramës?

Lulzim Basha: “E para e punës, opozita nuk është sasi, por është cilësi. Partia Demokratike ka ditur, me një numër aktiv shumë më të vogël deputetësh të bëjë opozitën e duhur dhe të jenë të sigurt që kemi numrat, cilësinë, vendosmërinë për të qenë opozita deri në momentin kur të rikthehet Drejtësia, legjitimiteti dhe përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, kjo qeveri ilegjitime, produkt i masakrës zgjedhore, t’i lërë qeverisë së zgjedhur nga shqiptarët.”

Pyetje: I druheni faktit që të hënën në parlament mazhoranca mund ta shfrytëzojë këtë përplasje të brendshme, duke qenë se edhe Sali Berisha ka deklaruar se do të jetë në parlament dhe ta copëzojë kohën tuaj dhe të zotit Berisha dhe të përfaqësuesve të tij? Le të themi, për ta lejuar që kjo përplasje në Partinë Demokratike të spostohet në parlament.

Lulzim Basha: “Të gjithë shqiptarët i druhen që Trekëndëshi i Bermudës do të përpij të ardhmen e tyre, do t’i largojë të gjithë fëmijët e tyre, do të shkatërrojë ekonominë, do t’ia dorëzojë atë oligarkëve. Ndërsa unë jam këtu për t’iu thënë që keni shpresë, keni besim. Trekëndëshi i Bermudës, oligarkët dhe kriminelët, nuk do të na marrin dot peng përgjithmonë. Boll e kanë marrë peng këtë vend, 30 vite tranzicion, 8 vite regjimi kriminal, oligarkik që kanë shkatërruar ekonominë e shqiptarëve, ka shkatërruar themelet e bashkëjetesës demokratike, por ora po troket dhe jo për shqiptarët, por për trekëndëshin e Bermudës.”

Pyetje: Meqenëse flasim për Trekëndëshin e Bermudës, ka dhe një aktivizim për atë që po ndodh në Partinë Demokratike të Presidentit Meta dhe të ish aleatit tuaj, Lëvizja Socialiste për Integrim. A është kjo një ndërhyrje në punët e brendshme të Partisë Demokratike?

Lulzim Basha: “Njësoj si Edi Rama, edhe Ilir Meta dhe çdokush tjetër e shikon këtë si një mundësi për t’i zgjatur jetën tranzicionit nga i cili përfitojnë aktorët e tranzicionit. Për ne është e qartë: Beteja është midis të shkuarës dhe të ardhmes. Demokratët kanë folur qartë në Kuvendin Kombëtar, kanë folur qartë në aktet dhe veprimet e tyre. Shqiptarët duan të ardhmen, demokratët kanë zgjedhur të ardhmen, kanë zgjedhur t’i prijnë betejës për të ardhmen. Nuk ka për të qenë piknik, kemi përballë forca të errëta, forca kriminale, forca që sot zotërojnë financat dhe ekonominë e vendit, por një gjë është e sigurt: Historia na mëson që pakica mbetet pakicë. Dhe shumica dërrmuese e shqiptarëve është forca jonë, është frymëzimi ynë, është motivi ynë.”

Pyetje: Sipas kësaj dhe një pyetje të fundit dhe e kam shumë të sinqertë. Të gjithë bashkë e kishit të pamundur që, ose ju pamundësua të paktën nga ajo që ju e keni konsideruar si masakër elektorale, që të ishit fitues në 25 Prill. Sot kur Partia Demokratike është e copëzuar, një pjesë i janë bashkuar zotit Berisha, një pjesë është pranë jush. Sa shanse ka realisht Partia Demokratike, të paktën në betejën e radhës elektorale, që të jetë fituese përballë Edi Ramës?

Lulzim Basha: “Kjo është matematika e vjetër, matematika e vagonëve mekanikë, matematika që sillte në pushtet Edi Ramën me Ilir Metën, pasi s’kishin lënë gjë pa thënë kundër njëri tjetrit, plus kriminelët që solli në parlament në 2013-n dhe vazhdon ti ketë 2017, 2021-n. Kjo është matematika që na detyroi ne në koalicion me LSI-në, kur nuk arritëm të merrnim më shumë se 70 mandate në 2009-n. Kjo është matematika e tranzicionit. Ajo që unë i kërkoj shqiptarëve është ti çlirojnë mendjet e tyre dhe të shohin përtej matematikës së dinosaurëve të tranzicionit. Shumica e vlerave, shumica e ideve, shumica e shpresave të shqiptarëve, shumica e atyre që kërkojnë normalitet, ata janë shumica të cilët ne do ti prijmë drejt ndryshimit. Përndryshe nuk do të ketë ndryshim. Do të ketë ndryshim fytyrash në foltronat e kryeministrit dhe ministrave, por sa kohë nuk ka një ndryshim që e prekin shqiptarët, sa kohë që ekonomia vazhdon të mbetet në duart e një grushti njerëzish, sa kohë që korrupsioni vazhdon të gërryej themelet e shtetit, të shërbimeve të arsimit, shëndetësisë, ekonomisë shqiptare, çfarë ndryshimi është ai?! Prandaj matematika e tranzicionit ka marrë fund dhe vula e fundit është vula e 8 janarit, që i bashkon bashkë, nga njëra anë trekëndëshin e Bermudës me matematikën e tyre të vjetëruar të tranzicionit dhe nga ana tjetër shumicën dërmuese të shqiptarëve që duan ndryshim. Është detyra jonë, që përmes reflektimit, përmes hapjes dhe përthithjes së energjive pozitive në këtë shoqëri të gjitha atyre që nuk e kanë humbur shpresën te Shqipëria dhe shqiptarët, ta bëjmë të mundur këtë ndryshim dhe ti prijmë këtij ndryshimi. Dhe do ta bëjmë.”

Pyetje: Edhe diçka të fundit. Ju thatë se ndryshimi dhe ne e dimë që ndryshimi vjen përmes votës. Në vitin 2013 ju erdhët në krye të Partisë Demokratike përmes votës, madje duke ndryshuar edhe skemën se si zgjidhej kryetari i Partisë Demokratike, përmes parimit një anëtar një votë.

Lulzim Basha: “Jo, s’kam ndryshuar asnjë skemë. Nuk kam ndryshuar asnjë skemë. I jam bindur vendimeve që janë marrë në atë moment nga institucionet e partisë dhe gjykoj se vendimmarrja një anëtar një votë është vendimmarrja më demokratike.”

Pyetje: Këtë isha duke thënë, që është një vendimmarrje demokratike. Në këtë moment që flasim nuk keni menduar asnjëherë se është nevoja që pozicioni juaj, pozitat e kryetarit duhet të votëbesohen për aq kohë sa një grupim sado i vogël qoftë ai ka pakënaqësi, apo ka pretendime ndaj legjitimitetit tuaj si kryetar i partisë?

Lulzim Basha: “Jo nuk kanë pretendime ndaj legjitimitetit tim ata. Ata duan të zhvlerësojnë non gratën amerikane dhe prandaj i është bashkëngjitur dhe Edi Rama, ehd eIlir Meta, edhe Aqif Rakipi, edhe Tom Doshi, edhe oligarkët. Sepse non grata amerikane për korrupsion domethënës, iu varet mbi kokë si “shpata Demokleut”. I pari dhe më i shqetësuari është Edi Rama. Këta i bashkon një hall i madh, i bashkon mundësia që mund t’i vij fundi kulturës së pandëshkueshmërisë dhe duan ta asgjësojnë të vetmin formacion politik, të vetmen familje politike që është në krah të shqiptarëve, në krah të luftës kundër korrupsionit, që është shpallur interes kombëtar i shteteve të Bashkuara, nga Presidenti Biden dhe që në fakt është interes kombëtar i shqipërisë dhe i shqiptarëve. Pse? Sepse është armiku i mirëqenies së shqiptarëve. Pse s’kanë punë, pse s’kanë akses nëpër institucione? Pse nuk marrin shqrbimet e duhura? Pse i këpusin me gjoba? Sepse nuk është thjesht një shtet i korruptuar, është shteti i të korruptuarve. Duke nisur me edi Ramën dhe bandën e tij dhe duke vazhduar me të gjitha segmentet e tjera të pushtetit, por edhe të aktorëve të tjerë të tranzicionit 30-vjeçarë.”

Pyetje: Pra në katër vitet e ardhshme nuk kemi zgjedhje për kryetar?

Lulzim Basha: “Nuk ka lidhje kjo. Zgjedhjet për kryetar u bënë më 13 qershor. Ata që mendojnë se problemi qëndron tek vendosmëria e kryetarit të Partisë Demokratike për t’i qëndruar vendimeve të Partisë Demokratike dhe demokratëve në luftë ballore, pa kompromis me të keqen, ata janë pjesë e të keqes. Ose në rastin më të mirë, naiv. Atyre u bëj thirrje: Hapni sytë, naivëve. Kurse atyre që janë pjesë e të keqes, do na keni përballë, nuk do të na shkatërroni dot, do t’iu mundim, do t’iu çojmë aty ku e keni vendin, para drejtësisë.” /abcnews.al/