Basha “sqaron” Vokshin e Këlliçin: U skaduan mandatet, e përdorët për interesa personale

Lideri i PD-së, Lulzim Basha mbrëmjen e sotme u ka kthyer përgjigje kreut të FRPD-së, Belind Këlliçi dhe kryetares së LDGSH-së, Albana Vokshi pasi akuzuan kryedemokratin për uzurpim me vendimin për shpalljen e garës për drejtuesit e rinj të këtyre dy forumeve. Përpos kohës së Sali Berishës, Basha tha se ka përfunduar edhe koha e mandateve të skaduara, referuar dy forumeve, ndërsa akuzoi se janë përdorur për interesa personale.

“Koha e Sali Berishës ka mbaruar. Bashkë me të ka mbaruar edhe koha e mandateve të skaduara dhe përdorimit të PD-së dhe forumeve të saj për interesa personale. Asgjë dhe askush nuk do ta kthejë PD-në në një bunker për interesat personale të Sali Berishës. Partia Demokratike ka lindur si një aspiratë e popullit shqiptar për liri dhe demokraci, dhe është shpresa e shqiptarëve për të zgjidhur hallet e tyre të shumta. Dhe halli me i madh i shqiptarëve sot është regjimi i Edi Ramës Prej javësh, me zdërhalljet e tij Sali Berisha është kthyer në një tub oksigjeni për regjimin e Edi Rames. Unë jam i vendosur t’ja këpus këtë edhe këtë tub oksigjeni për regjimin Edi Ramës” tha Basha.