Basha: Rama i dështuar, po e drejton vendin si despot lindor

 

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nga emisioni ‘Java në RTSH’, e ka cilësuar Ramën të dështuar në menaxhimin e situatës, ndërkohë që I mban qytetarët me gënjeshtra në banesë, duke u sjellë si despot.

Lulzim Basha: Plani ynë kalon në të njëjtat vija apo prioritete që janë zbatuar në ato vende ku ka një përballje të suksesshme. Pika e parë: Testimet. Si ka mundësi që ne mbetemi në nivel kaq të ulët testimesh?! Natyrisht, janë rritur pasi kemi ngritur zërin pesë herë në ditë për testimet, por prapë janë të pamjaftueshme, janë të pamjaftueshme sepse nuk janë marrë mjaftueshëm kite testimi. Janë të pamjaftueshme sepse duke treguar vetëm majën e ajsbergut dhe jo gjithë problemin e ke më të lehtë të fshehësh masën e vërtetë të dështimit të shtetit dhe të qeverisë në përballjen me pandeminë edhe me problemet ekonomike.

 

Testimet janë hapi i parë. Kjo është gjëja e parë që do të bëja. Rritja masive e testime do të na tregonte pamjen reale të infeksionit. Së dyti: duke patur këtë tablo reale,merr masa inteligjente dhe të mençura të gjurmimit dhe të izolimit. Ti u thua 6 javë shqiptarëve rrini në shtëpi, mos lëvizni, po plan për t’i nxjerrë ke?! Për t’i nxjerrë pa i ekspozuar bëhet fjalë, jo për t’i lëshuar në mëshirë të fatit. Sepse në qoftë se ti nuk ke plan, sillesh siç sillet kryeministri. Del në mëngjes thua diçka, del mëngjesin tjetër thua diçka tjetër. E pamë fundjavën e kaluar: karantinë, pastaj do të dalin këta e do të dalin ata.

Po pse kështu qeveriset Shqipëria e 2020-ës në mes të Europës?! Po nuk ka vend në Europë ta pranojë. Ky është një turp, një tallje e madhe me dinjitetin e çdo shqiptari që të pranojë që dikush të sillet si një nga ata filmat komik të Boratit dhe të despotëve të lindjes. Pse?! Sepse nuk ka plan, nuk ka ide dhe kalon në improvizime. Por nuk është për të qeshur se bëhet fjalë për shëndetin dhe jetën e shqiptarëve.

Prandaj testimet, gjurmimi, izolimi do të ishin hapat e parë. Natyrisht do të ishte dhe pajisja e plotë e shëndetësisë me masa mbrojtëse, me kite testuese dhe me të gjithë masat për kurimin e njerëzve. Në momentin që do të ishin vënë në lëvizje këto të treja për të cilat është humbur dhe vazhdon të humbet kaq shumë kohë, qeveria e para dhe këtë i theksova kryeministrit edhe institucionalisht, do të kishte mekanizmat matës për të thënë; shiko, jemi në këtë situatë.

Këtu mund ta shtrëngojmë, këtu mund ta lirojmë dhe pastaj duke vazhduar matjet intesive dhe përdorimin inteligjent të testimit për të vendosur se si mund të ecet sepse COVID-in nuk mund ta dekretosh. Ti mund të fshehësh shifrat, mund të monopolizosh të dhënat siç bëjnë disa regjime, por ti nuk mund të fshehësh dot infeksionin. Mund ta fshehësh nga ekrani i televizioneve, por nuk e zhduk dot as nga trupi i njerëzve as nga shoqëria. Vetëm pasi të kesh marrë këto masa je në gjendje të ecësh përpara me nxjerrjen e njerëzve nga masat shtrënguese dhe çfarë është më e rëndësishmja me ekonominë dhe shoqërinë sepse do të duhet shumë kohë të vazhdojë të përshtatet me situatën.