‘Basha: Pritet arrestimi i Vangjush Dakos si fasadë, por Rama nuk shpëton dot

 

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pas mbledhjes me krerët e degëve të kësaj force politike, deklaroi se po përgatitet arrestimi i Vangjush Dakos. Sipas Bashës, kjo është një përpjekje fasadë, për të shuar revoltën popullore.

“Ajo që dua të ndaj me ju një paralajmërim i qartë dhe i prerë për Edi Ramën. Asnjë përpjekje fasadë nuk e shpëton nga përgjegjësia ligjore që ka. Është kapur duke vjedhur zgjedhje me bandat. Orët e fundit janë intensifikuar me lajme se po përgatitet arrestimi i Vangjush Dakos. Dosja ‘339’ faktoi se ,ai dhe zyrtarë të tjerë janë kapur duke vjedhur vota. Mosarrestimi i tij është me urdhër të Edi Ramës. Për të mos e arrestuar Dakon, Rama flijoi Fatmir Xhafën. Arrestimi i Dakos duhet të ndodhë një orë e më parë, por nuk e shpëton dot Ramën”, u shpreh Basha.

Opozita ka djegur mandatet parlamentare dhe një prej arsyeve kryesore, është blerja e zgjedhjeve nga elementë të krimit të organizuar. Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, figuron në disa përgjime me anëtarë të bandës Avdylaj, ku tregohet afrimiteti i tij me këta persona dhe gjithashtu përmendet nga Avdylët në disa biseda, për shitblerje votash.