Basha :’PD është në krah të çdo qytetari që ngre zërin për liritë, shëndetin dhe punën e tij’

 

Partia Demokratike nëpërmjet një deklarate sot theksoi se “dënon me ashpërsi përndjekjen e qytetarëve që kërkojnë kthimin e të drejtave kushtetuese, të kufizuara padrejtësisht kaq gjatë nga qeveria.”

“Ngritja e zërit nga disa aktivistë, që nuk pajtohen me vendimet antikushtetuese të parlamentit ilegjitim për zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme, është garanci për themelin e çdo shoqërie demokratike, – ka nënvizuar PD, duke iu referuar sjelljes agresive të Policisë së Shtetit ndaj disa qytetarëve që protestuan dje në Tiranë kundër zgjatjes së masave shtrënguese të Qeverisë.

 

“Urdhrat e Edi Ramës për të përndjekur kundërshtarët e vendimeve të tij antikushtetuese e shndërrojnë Shqipërinë nga një vend kandidat për Bashkimin Europian në një vend që drejtohet prej një regjimi dhe kryeministër autoritarist.

Sot, qytetarëve po u cenohen të drejtat me lehtësi nga regjimi i Edi Ramës, sepse kryeministri anti-shtet po pengon ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, me qëllim kontrollin politik të saj.

Partia Demokratike është në krah të çdo qytetari që ngre zërin për liritë dhe të drejtat, që ngre zërin për shëndetin dhe punën e tij. Asnjë vendim antikushtetues nuk mund të bëjë që Edi Rama të marrë shqiptarët peng dhe të zëvendësojë demokracinë me regjimet autoritariste.”

Deklarata erdhi pasi mëngjesin e së premtes, Policia e Shtetit njoftoi se procedoi penalisht 7 persona, ndërmjet tyre edhe 3 organizatorët e një proteste të paligjshme sipas saj. Sipas Policisë, procedimi ndaj tyre nisi pasi në datë 7 maj 2020, rreth orës 11:30, te sheshi “Skënderbej” kanë protestuar në mënyrë të paligjshme, pa lejen e organeve kompetetente, duke prishur rendin dhe qetësinë publike, aq më tepër në situtatë të jashtëzakonshme në kohë pandemie, ku ndalohen me ligj grumbullimet apo tubimet.

Shtetasit Z.I., K.B. dhe S.G., në rolin e organizatorëve të protestës, më herët kanë bërë thirrje në rrjete sociale për protesta e tubime.

Në vijim të veprimeve janë siguruar pamjet filmike dhe fotografike, si dhe është bërë këqyrja e rrjeteve sociale, pasi nga këta shtetas (organizatorët) bëhen thirrje për protesta dhe tubime.

Nga ana e shërbimeve të Policisë janë vendosur masa administrative/gjoba, pasi asnjëri prej tyre nuk ka patur autorizim për të dalë, bazuar në nenin 3 të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020.

Po punohet për masat plotësuese sipas Aktit Normativ, si dhe për shoqërimin e personave të tjerë që kanë marrë pjesë në protestë, pasi janë fotografuar dhe identifikuar nga ana e Policisë.

Materialet i kaluan Prokurorisë në ngarkim të organizatorëve, për veprat penale “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në tubime të paligjshme”.

Policia e Shtetit në përfundim bënte apel për respektim në maksimum të masave kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

© SYRI.net